Seksi dhe krimi rrezikojnë çmimin Nobel për Letërsi
14 Prill 2018Kush e merr atë, mund të bëhet i famshëm dhe shumë i pasur: Çmimi Nobel është ndoshta çmimi më i lakmuar i biznesit letrar. Vitin e kaluar atë e fitoi britaniko-japonez Kazuo Ishiguro. Nj vit më parë ai iu akordua muzikantit amerikan Bob Dylan, në vitin 2015 bjelloruses Svetlana Aleksandrovna Aleksieviç. Po sado e diskutueshme ka qenë ndonjëherë zgjedhja e fituesve, në akademi nuk ka pasur kurrë aq shumë kritika sa tani. Dhe ato nuk kanë qenë kurrë më të justifikuara se sot.
Para, nxjerrje sekretesh dhe ngacmime seksuale
Bëhet fjalë për korrupsion, shpërdorim pushteti dhe ngacmime seksuale: anëtarja e Akademisë Katarina Frostenson thuhet se ka marrë pjesë në vendimet për dhënie subvencionesh për shoqatën kulturore të bashkëshortit të saj dhe ka bërë të njohura para kohe emrat e shtatë laureatëve të çmimit Nobel. Një numër grash e akuzojnë bashkëshortin e saj Jean-Claude Arnault për ngacmime seksuale. Kemi të bëjmë me një skandal të vërtetë që po trondit institucionin e nderuar.
Por kjo nuk është e gjitha: ndërkohë - pas tre anëtarëve dhe poetes lirike të akuzuar - ka dhënë dorëheqjen edhe kryetarja e akademisë Sara Danius. Me njëmbëdhjetë anëtarë që kanë mbetur, Akademia, e cila përbëhet nga shkrimtarë, studiues të letërsisë dhe të gjuhësisë si dhe nga historianë, nuk është më në gjendje të marrë vendime. Sipas statuteve në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj duhet marrin pjesë të paktën dymbëdhjetë anëtarë.
Më së voni tani po bien këmbanat e alarmit në pallatin e mbretit: Karli XVI. Gustafi është mobilizuar - megjithëse vonë. Për shkak se 18 anëtarët e Akademisë zgjidhen për gjithë jetën e tyre, ata nuk mund të japin dorëheqjen para kohe dhe në vendet e tyre nuk mund të zgjidhen të tjerë. Mbreti premtoi tani një rishikim të statuteve. Kjo është urgjentisht e nevojshme, madje edhe në interes të letërsisë!
A do të mund të përzgjidhet një nobelist për letërsinë për vitin 2018?
Sa shpejt mund të ndërmerret një reformë e tillë? Që tani skandali e ka çorientuar orarin e Akademisë dhe të Komitetit Nobel. Aktualisht ekspertët e Akademisë po shqyrtojnë qindra propozime për Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2018. Por nëse ata do të arrijnë të gjejnë edhe një fitues të çmimit deri më 10 tetor, ditën e vdekjes së themeluesit të këtij çmimi Alfred Nobel, kjo nuk dihet.
Në të kaluarën juria e çmimit Nobel u është nënshtruar vazhdimisht presioneve - nganjëherë nga politika, ndonjëherë për shkak të kuotave. Dhe në fund të fundit në favor të disa fituesve ka qenë aritmetika kontinentale ose edhe arsye estetike. Por çmimi Nobel për Letërsinë, për këtë bota letrare duket se është në një mendje, ka vendin e vet të patundur në jetën kulturore. Vënia në rrezik e kësaj do të ishte pakujdesi. Por kjo nuk vlen për Akademinë Suedeze dhe statutet e saj.