Shtohet në Gjermani përdorimi i Crystal Meth
18 Prill 2014Crystal Meth është kokaina e të varfërve, thotë profesori Heino Stëver, drejtor i Institutit për Hulumtime në Shkollat e Larta profesionale. "Crystal Meth është një drogë, e cila po na shqetëson gjithnjë e më shumë. Nëse Crystal Meth konsumohet më gjatë, mund të sjellë dëme të mëdha në organizëm dhe në psiqikën e njeriut. "Masa e kristaltë, e quajtur edhe ice, mund të merret me hundë, si tabletë, apo dhe në venë. Ndërsa droga prodhohet lehtë.
Në disa rajone të Gjermanisë konsumi i Crystal Meth është në veçanti i lartë në disa lande, që shtrihen në afërsi të kufirit me Çekinë. Kjo drogë mode prodhohet atje në laboratore të vogla, në të ashtuquajtura kuzhina droge, me kosto të ulëta dhe sillet në Gjermani. Saksonia, Saksoni-Anhalt, Tyringjia dhe Bavaria janë ndër landet më të prekura. "Sipas statistikave numri i atyre, që kanë kërkuar ndihmë brenda një viti, është shtuar në Saksoni nga 4 në 13 %", shpjegon Heino Stëver.
Dëmet që mbeten
Crystal Meth vepron në psiqikën e njeriut dhe mundëson hiperaktivitet fizik për shumë orë me radhë. Fitohet përshtypja se mund të zgjohesh dhe të jesh tërë ditën në këmbë. Proceset normale të trupit më nuk vërehen. Nëse personi heq dorë nga kjo drogë, në trup ndodh e kundërta: personi më nuk mund të flejë pa droga, edhe pse është i lodhur dhe ka probleme të mëdha me koncentrimin.
Konsumimi për vite të tëra shkakton dëme të mëdha në tru dhe si pasojë janë problemet tepër të mëdha shëndetësore. Shumë prej tyre u bien dhëmbët, dobësohen shumë dhe duken si të moshuar brenda një kohe të shkurtër. Në rastet më ekstreme simptomat e këtilla vërehen brenda disa muajve. Këto dëme nuk mund të riparohen, pohon Stëver.
Drogë e njohur kaherë
Dihet që Crystal Meth ekziston kaherë, diku me emrin Pervitin, një masë që është përdorur kundër lodhjes. Ai është përdorur shumë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e kanë përdorur edhe shumë komandantë të njësive artilerike dhe pilotë, të cilët është dashur të mbeten të zgjuar për një kohë të gjatë. Për shkaqe të njëjta Crystal Meth përdoret edhe sot, pohon Heino Stëver. "Njerëzit, që duan të rrisin produktivitetin e tyre, studentët, apo personat, që ushtrojnë disa profesione të caktuara, ku ka tepër stres, e përdorin këtë drogë."
Në Gjermani Crystal Meth është përdorur fillimisht në party, si në techno-party. Me marrjen e kësaj droge të rinjtë mund të luajnë më gjatë dhe të mbeten në party. Substanca shton edhe dëshirën për seks, thotë Stëver.
Kërkesat për programe
Shumë shqetësuese janë të dhënat, se për herë të parë pas shumë vitesh është shtuar edhe numri i të vdekurve nga drogat. Stëver thotë se ky është një sinjal se në luftën kundër përdorimit të drogave dhe prevencionit ka mbetur shumë për tu bërë, në radhë të parë për largimin e njerëzve nga përdorimi i Crystal Meth. "Me politikën "Business-as-usual" nuk do të mund t'ia dalim në luftën kundër kësaj dukurie", thotë ai.
Stëver kërkon angazhim më të madh, që do të thotë se duhet të ketë më shumë persona, që angazhohen në këtë luftë, një strategji më të mirë infomimi dhe metoda të tjera. Mund të përdoren edhe përvojat e konsumuesve të dikurshëm të Crystal Meth. "Bashkëpunëtorët në pikat e këshillimeve zakonisht janë njerëz më të moshuar. Atyre nuk u besohet kaq shumë, sikur personave më të rinj, të cilët flasin për përvojat e veta me Crystal Meth. Kjo rrugë është më efektive", pohon ai.