Shtypi gjerman për agjentët gjermanë në Irak
19 Dhjetor 2008Në lidhje me punimet e komisionit parlamentar për veprimtarinë e Shërbimeve Sekrete Gjermane në Irak gazeta "Landeszeitung" që botohet në Lüneburg shkruan:
"Në fakt mund të diskutohet nëse jo-ja e qeverisë së koalicionit mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve ndaj luftës në Irak ishte aq e qartë sa thuhej atëhere. Por edhe në rast se dy agjentët e BND-së kanë zbuluar se një fabrikë armësh maskohej si shkollë, kjo s'do të thotë pjesëmarrje në luftë. Por lëvdatat e ushtarakëve amerikanë i bëjnë të tingëllojnë informacionet e agjentëve gjermanë, që asokohe nuk kishin mundur të dilnin as pa i njohur kush prej ambasadës, sikur të ishin vendimtare për luftën. Një gjë e tillë tingëllon e ekzagjeruar. Në rast se sjellim në kujtesë se ish-gjeneralët sot angazhohen si lobiistë të Shtëpisë së Bardhë, atëhere ideja e një akti hakmarrjeje ndaj koalicionit mes social-demokratëve dhe ekologjistëve duket edhe më e mundshme. Jo e pastër është edhe përpjekja e të djathtëve për ta dëmtuar Shtainmajerin në fazën paraelektorale, sepse në vitin 2003 pikërisht ata kërkonin prej qeverisë së koalicionit mes social-demokratëve dhe ekologjistëve që t'u shiste armë SHBA-ve. "
Kurse "Süddeutsche Zeitung" shkruan:
"Gjermania nuk ka ndjekur ndonjë politikë që do të meritonte të quhej lojë e dyfishtë. Eshtë dhe mbetet fakt që ndryshe nga Bleri apo Berluskoni, Shrëderi nuk dërgoi ushtarë në Irak. Por njëkohësisht duhet thënë se bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete gjermane dhe atyre të SHBA-ve nuk ishte edhe kaq i parëndësishëm sa duan ta paraqesin Shtajnmajeri dhe co. Qeveria e pranoi këtë kooperim për të mos i përkeqësuar më tej raportet me SHBA-në."
(AUD)