031109 Irak Öl
5 Nëntor 2009Shkak për tërheqjen e papritur të koncerneve ishte se Bagdati ka pikëpamje plotësisht të qarta për marrëdhëniet e ardhshme të biznesit në këtë fushë dhe ato nuk u përshtaten atyre të koncerneve. Në këtë mënyrë do të nënshkruhen vetëm të ashtuquajturat kontrata të shërbimit, me të cilat koncernet do të paguhen në 20 vitet e ardhshme për secilën fuçi nafte, që kalon lartësinë e prodhimit të sotëm. Ato nuk do të jenë pjesëmarrëse në fitime dhe pagesa prej dy dollarëve për një fuçi naftë të nxjerrë është larg asaj çfarë kanë pritur koncernet e huaja.
Ministri irakian i naftës, Hussain Al-Shahristani shprehet për këtë shumë i vetëdijshëm. Në një intervistë televizive ai tha se Iraku nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shtetëzimi i prodhimit të naftës, i cili është bërë në vitet e 60-ta. Dhe sipas tij, tani nuk ka as ndere politike kundrejt shteteve tjera:
"Ka kaluar epoka e Sadamit. Asnjë veprim politik i brendshëm apo i jashtëm nuk do të ndikojë në vendimin tonë".
Ministria irakiane e naftës ka vendosur që të mos lejojë pjesëmarrjen në fitime përmes firmave prodhuese të koncerneve të huaja. Sharistani e pranon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë provuar viteve të fundit që të jenë pjësëmarrës në fitimet e naftës irakiane por ato janë refuzuar me vendosmëri:
"Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njerëz që duan të na japin këshilla. Por ne në ministrinë e naftës nuk i vlerësojmë këshillat e tilla dhe nuk i pranojmë ato. Dhe ne u themi atyre: ne e dimë se çka është më së miri për popullin tonë, për Irakun dhe nëse do të kemi nevojë për ndonjë këshillë atëherë do t'ju drejtohemi".
Sidoqoftë Iraku ka nevojë për këshilla dhe ekspertiza. Në Irak konsiderohet se rezervat e naftës janë afro 115 miliardë fuçi dhe burimet e tjera të pashfrytëzuara mund ta kthejnë Irakun në prodhuesin më të madh të naftës në botë. Për vite të tëra industria e naftës në Irak ka vuajtur pasojat e luftës me Iranin (nga viti 1980 deri në vitin 1988) si dhe pasojat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara për shkak të sulmit në Kuvajt. Dhe që prej invazionit të amerikanëve në vitin 2003, gjendja nuk ka ndryshuar shumë: prodhimi me 2,3 milionë fuçi nafte në ditë është sot po aq i ulët si në vitin 2003 dhe vetë qeveria irakiane nuk pret ndonjë përmirësim të shpejtë.
Autor: Peter Philipp/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi