Si u shemb RDGJ
14 Tetor 2014Ceremonia përkujtimore e demonstratave që sollën shembjen e sistemit komunist në RDGJ u zhvillua të enjten (09.10.) në Lajpcig. Ishte ky qyteti ku nisën 25 vjet më parë, ato që kanë hyrë në histori si demonstratat e të hënave të Lajpcigut. Fjalën kryesore të rastit e mbajti presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck – vetë me origjinë nga Gjermania Lindore. Ndër të ftuarit e tjerë ishte edhe ish-ministri i jashtëm i SHBA, James Becker.
Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck tha në fjalën e tij se para ribashkimit erdhi liria. „Pa demonstratat e 9 tetorit nuk do të kishte 9 nëntor“ - pra hapje të Murit të Berlinit. Së dyti, ai tha se përvojat e vitit 1989 japin mësim për kohën e sotme, koha kur u vihet pikëpyetje rendeve dhe sigurive të vjetra në botë. Ky mësim është kujtesa, se njeriu, duhet të "vetëfuqizohet", për ta marrë fatin e tij në dorë. Ata që rrinë mënjanë e nuk përzihen, kthehen në objekte të sunduara nga të tjerët, kujtoi presidenti gjerman.Së treti Gauck tha se demokracia e lirisë, që nisi me Lajpcigun, edhe „nëse nuk është e përsosur, është rendi më i mirë, nga gjithë të deritashmit“. Ndaj Gjermania duhet ta propagandojë edhe më fort këtë rend në botë.
Edhe ish-ministri i jashtëm i SHBA, James Becker shprehu mirënjohjen për deklarimin e fuqishëm të lajpcigasve për lirinë. Ai tha se pa njerëzit në Evropën Lindore Lufta e Ftohtë mund të merrte fund ndoshta vetëm me një përplasje atomike.
Çfarë ndodhi saktësisht 25 vjet më parë në Lajpcig?
Zhvillimet që sollën shembjen e regjimit komunist në RDGJ janë zhvillime interesante. Ato kanë paralele të ngjashme të mëvonshme edhe në vende të tjera komuniste, edhe me zhvillimet në Shqipëri.
Ishte viti 1989 dhe udhëheqja komuniste e Gjermanisë Lindore ishte në situatë shumë të vështirë.
Nga njëra anë ajo kundërshtonte lëvizjet reformuese, si të perestroikës në BS. Kjo sepse ndjente që reformat do ta përmbysnin regjimin komunist.
Nga ana tjetër, po të ndërmerrte reagime të ashpra të tipit kinez në Tien An Men ndaj protestuesve,asaj do t’i ndërpritej ndihma ekonomike e mbijetesës nga RFGJ.
Në këtë kohë, në Lajpcig, ishte zakon që të hënave, njerëzit të shkonin në kishën Sankt Nikolai, për t'u falur. Pas faljes në 11 shtator 1989, rreth 2000 vetë dolën në demonstratë. Por i shpërndanë me dhunë. Kjo bëri që dy javë më vonë të demonstronin 5000 vetë. Kurse në 2 tetor demonstruan 20.000 vetë.
Parullat avancuan në politike si "populli jemi ne" - pra nuk është partia. "Ne do të rrimë këtu"- pra do ta ndryshojmë shtetin nga brenda. Dhe "jo dhunë, jo Kinë të re".
Si reagoi regjimi i RDGJ ndaj demonstruesve
Regjimi nuk kishte një përgjigje të qartë për demonstruesit, ndaj u përpoq t'i denigrojë ata. I quajti publikisht huliganë. Por njëkohësisht po përgatiste aparatin e dhunës. Historiani gjerman Ulrich Herbert thotë se qenë ngritur kampe internimi për rreth 80.000 vetë. Ndërkohë, rreth demonstruesve, po formohej opozita. U ngritën grupe si "Forumi i Ri", "Fillimi Demokratik". Dhe një parti socialdemokrate. Në një deklaratë, në 4 tetor 1989, opozita u bëri thirrje qytetarëve "ta reformojnë në mënyrë demokratike shtetin dhe shoqërinë". Kërkoi dhe zgjedhje nën kontrollin e OKB-së.
Moment i volitshëm për opozitën e re
Ishte një moment shumë i volitshëm për opozitën, sepse frymëzuesi i reformës, Mihail Gorbacovi ndodhej në Berlin. Ishte 40 vjetori i themelimit të RDGJ. Gorbaçovi po përpiqej ta bindte kryetarin e shtetit dhe të partisë të RDGJ, Erich Honeckerin të "mos e humbiste momentin" për reforma.
Krejt papritur, para pallatit, ku kremtohej 40 vjetori i RDGJ me Gorbacovin, u mblodhën qindra vetë. "Gorbi ndihmo" - kjo qe parulla e tyre. Regjimi i largoi me dhunë demonstruesit. Po kjo u transmetua live nga televizionet perëndimore të pranishme.
Ftohja e Gorbaçovit me Honeckerin dhe pasoja
Ishte një faktor që e ftohu më tepër Gorbaçovin me regjimin e Honeckerit.
Dhe qe ndoshta një hap vdekjeprurës për një regjim komunist, në orbitën e Moskës. Kjo pasi të hënën pasuese nga kjo ngjarje, në Lajpcig pritej një demonstratë e madhe. Meqenëse u përhap lajmi se Honeckeri donte ta shtypte me dhunë demonstratën, ambasadori sovjetik në Berlin kërkoi të mos lejohej gjakderdhje. Edhe ushtarët sovjetikë morën urdhër të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë në Lajpcig.
Kështu që 50 mijë vetë demonstruan në Lajpcig në 9 tetor 1989, pa u konfrontuar me dhunë nga regjimi. Ulrich Herbert e sheh këtë si pikën e kthesës: u pa, se pa miratimin e Moskës, udhëheqja e RDGJ nuk kishte vullnet dhe nuk i shtypte dot me dhunë demonstratat.
Zgjerimi i demonstratave dhe rrëzimi i Honeckerit
Demonstratat u përhapën në 200 zona të Gjermanisë Lindore.
Më 30 tetor, vetëm në Leipzig, demonstruan 300 mijë vetë.
Paralelisht disa anëtarë të byrosë politike e rrëzuan Erich Honeckerin nga posti. Dhe me frymëzimin e Moskës zgjodhën, si pasues, Egon Krenzin.
Egon Krenzi u përpoq të ndiqte një politikë më të zhdërvjellët nga ajo e Honeckerit. Pasi u sigurua për mbështetjen e Moskës, ai organizoi fillimisht mitingje me shkrimtarë dhe mbështetës të tjerë të regjimit. Synimi ishte të bënte për vete, përmes tyre, opozitën. Krenzi ndryshoi edhe stilin e raportimit në medie. Udhëheqja e re filloi të fliste hapur në medie për gjendjen e vështirë ekonomike në vend.
Por ngjarjet kishin marrë dinamikë të pakthyeshme.
Momenti kur u rrëzua regjimi
Shkasin për rrëzimin e sistemit komunist, qytetarëve të RDGJ ua dha ligji për udhëtimet jashtë shtetit. Nën protestat e masës, Egon Krenzi u detyrua ta reformojë ligjin e vjetër. Ligji i ri i lejonte udhëtimet pa shkak të veçantë jashtë shtetit dhe qëndrimin gjatë jashtë vendit.
Në 9 nëntor 1989, në mbrëmje ishte një konferencë shtypi e regjimit. Gynter Schabowski, anëtar i Byrosë Politike do të paraqiste rezultatet e mbledhjes së Byrosë Politike. Në fund të konferencës, një gazetar e pyeti Schabowskin se kur hynte në fuqi ligji i reformuar i udhëtimeve. Ai si duket nuk qe përgatitur për pyetjen. Dhe tha gabimisht: "me sa di unë menjëherë".
Pa e zgjatur, qindra vetë u turrën drejt kufirit me RFGJ. Pra drejt Murit të Berlinit. Presioni i turmës u bë dikur aq i madh, sa në orën 22 të darkës, kufitarët e panë veten "të përmbytur"- siç u shprehën ata. Kështu kufitarët e hapën kalimin drejt Berlinit Perëndimor. Pra hapën Murin e Berlinit – që shënoi fundin e sistemit komunist në Evropën Lindore.