"SPD - Një kongres i ndëshkimit për drejtuesit!"
17 Nëntor 2013Të deleguarit nuk ia bënë të lehtë punën kryesisë në kongresin e Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD) në Lajpcig. Në zgjedhjet e kryesisë ata shprehën qartë pakënaqësinë dhe e dënuan thuajse gjithë ekipin drejtues me rezultate të dobëta votimi.
Atmosfera ishte rëndë, nuk dallohej asgjë nga kthesa apo rilindja, krejt ndryshe nga katër vjet më parë, pas disfatës në zgjedhjet e 2009. Atëherë kryetari i sapozgjedhur Sigmar Gabriel, ia doli t'u jepte zemër dhe kurajë shokëve në kongresin e partisë në Dresden.
Ndërsa këtë herë tek të deleguarit mbizotëronte hutimi dhe frustrimi. Ky kongres i partisë së sociademokratëve nuk vendosi piketa të reja as në program dhe as në drejtim. Në fjalimin e tij Gabriel përmendi vërtet shumë probleme që janë bërë shkak për largimin e zgjedhësve nga SPD. Por nuk ka asnjë shenjë se po mendon të ndryshojë drejtim dhe të trajtojë çështjet thelbësore, që shkatërrojnë partinë e tij.
Të ashtuquajturat reforma të tregut të punës, të qeverisë së Gerhard Schröderit, të cilat goditën para së gjithash të pambrojturit në shoqëri, dhe që e kanë përçarë thellë SPD-në, ai nuk ka ndërmend t'i prekë. Që atëherë hendeku mes të varfërve dhe të pasurve po thellohet gjithnjë e më shumë, pagat nën kosto dhe varfëria në pleqëri kërcënojnë shoqërinë në vendin më të pasur në Evropë.
Për të gjitha këto në Lajpcig nuk u fol. Nuk kishte diskutime për kursin e partisë. Vetëm pakënaqësi nën zë dhe ndëshkim me votë. Gabriel u inatos. Ai priste më shumë mbështetje. Në fund të fundit ai gjendet në Berlin në negociata të ndërlikuara për hyrjen e SPD-së në një koalicion të madh.
Opozita është pa vlerë?
Por pikërisht ky është problemi. Shumë socialdemokratë nuk duan ta ndjekin kryesinë në këtë rrugë. Ata parapëlqejnë ta rinovojnë partinë në opozitë, nuk pranojnë drejtimin që partia pati marrë nën Kancelarin Gerhard Schröder dhe prej të cilit Gabriel nuk pranon të largohet. Ata janë të zhgënjyer, që ata të cilët janë përgjegjës për rezultatin e dobët në zgjedhje, nuk kanë nxjerrë mësime nga disfata e tyre.
Vetëm kandidati për kancelar Peer Steinbrück u tërhoq nga funksionet drejtuese politike, megjithëse para zgjedhjeve kishte premtuar të kundërtën. Frank Walter Steinmeier me një lëvizje gati surprizë, siguroi përsëri postin e kryetarit të grupit parlamentar. Ndërsa ata, të cilët prej vitesh tashmë janë përgjegjës për rënien e vazhdueshme të SPD-së, negociojnë tani me fituesit e zgjedhjeve, konservatorët e Bashkimit CDU/CSU, për krijimin e një qeverie të përbashkët.
"Opozita është gjë pa vlerë", pati thënë ish kryetari i partisë, Franz Müntefering, kur në 2005 e çoi SPD-në në një koalicion fatal me konservatorët. Këtë qendrim e kanë bërë të vetin shumë nga socialdemokratët drejtues. Por kështu e kanë shkatërruar partinë popullore krenare dhe me traditë. SPD ka humbur profilin tek zgjedhësit e saj, ajo nuk është më partia që angazhohet për solidaritet dhe barazi shansesh.
Alternativë ndaj CDU/CSU-së
Në kongresin e partisë në Lajpcig, Sigmar Gabriel njoftoi vetëm në dukje një kthesë. Nuk duhet të vlejë më motoja: fillimish vendi pastaj partia, tha ai. Shumë më tepër vlen deviza "Ajo që është e mirë për SPD, është e mirë edhe për vendin". Kjo është e vërtetë, të vjen t'i bërtasësh. Për socialdemokracinë dhe për Gjermaninë do të ishte mirë nëse SPD do të dilte në opozitë. Atje ajo mund të rinovohet, mund të braktiste rrugën e saj të gabuar të neoliberalizmit dhe të bëhet sërisht partia e drejtësisë sociale, ndoshta edhe me koka të reja drejtuese. Por para së gjithash mund të kthehet në një alternativë ndaj unionistëve të Kancelares Angela Merkel. Kjo do të ishte e mirë për demokracinë dhe e mirë për vendin.