Gaza Luftangriffe
2 Shkurt 2009Aviacioni luftarak izraelit bombardoi një sërë objektivash në qendër të Rripit të Gazës gjatë natës në të gdhirë të së hënës. Si pasojë u shkatërruan një kamp i forcave të rendit të Hamasit dhe komplekset e tuneleve në kufirin me Egjiptin, njoftojnë mediat izraelite duke u bazuar në informacione të ushtrisë. Nuk ka njoftime për të plagosur dhe viktima.
Në Rripin e Gazës të rrethuar, dyshohet se tunelet përdoren për kontrabandë armësh krahas transportit të mallrave ushqimore, që nuk arrijnë në Gazë përmes pikëkalimeve të rregullta kufitare, për shkak të bllokadës izraelite. Sipas përllogaritjeve të organizatës humanitare "Oxfam" Izraeli u bllokon banorëve të Rripit të Gazës më shumë se 50% të furnizimeve për nevojat e përditshme. Pas ofensivës ushtarake tri javore boshllëqet në furnizim janë të mëdha.
Sipas kësaj organizate, rrugët për kalimin e ndihmave humanitare duhet të jenë të hapura. Krahas ndihmave ushqimore, Gaza ka nevojë edhe për materiale ndërtimi për rindërtimin e 21.000 shtëpive të shkatërruara apo të dëmtuara nga bombardimet. Kështu thuhet në një deklaratë të publikuar të hënën në mëngjes nga organizata humanitare "Oxfam".
Ndërkohë janë rritur tensionet brenda vetë qeverisë izraelite. Arsyeja: Procedimi i mëtejshëm në Rripin e Gazës. Siç njoftojnë njëzëshëm mediat izraelite, kryeministri Omert dhe ministrja e Jashtme, Zipi Livni janë grindur ashpër me ministrin e Mbrojtjes, Ehud Barak. Livni, e cila tetë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare nuk ka rritje në sondazhet paraelektorale, ka kërkuar një përgjigje ushtarake të menjëhershme dhe joproporcionale të Izraelit për çdo sulm që vjen nga ekstremistët palestinezë:
"Sipas mendimit tim, nuk kemi nevoje të presim. Kjo nuk është rruga e duhur. Përgjigja jonë duhet të jetë masive dhe e menjëhershme. Kjo është e vetmja mënyrë që Hamasi të kuptojë se ekuilibri ka ndryshuar, se Izraeli do të verë në përdorim forcën, një forcë të madhe, edhe atëherë kur raketa ka devijuar nga pika e shënjestrës. Nuk mund të presim, nuk kemi nevojë të presim që të mblidhet një numër i madh sulmesh me raketa."
Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak është më tepër i interesuar në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, e cila mund të vendosej me Hamasin me ndërmjetësimin e palës egjiptiane. Baraku, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ushtaraku me dekoratën më të lartë të Izraelit e ka akuzuar Livnin, se flet për gjëra, që nuk i merr vesh. Propozime të tilla vijnë nga njerëz që nuk kanë prekur në jetën e tyre njëherë një pushkë me dorë, citojnë mediat izraelite, Barakun.
Shërbimet izraelite të sigurisë janë të mendimit se sulmi i së dielës me katër rakata "Kassam" dhe 14 granata ndaj Izraelit nuk është kryer nga Hamasi. Sipas sigurimit izraelit, për këtë sulm janë përgjegjës grupe të veçuara palestinezësh. Hamasi, po sipas sigurimit izraelit, po përpiqet që të përforcojë armëpushimin.