Transformim rrënjësor i SHBA nën republikanët e Trumpit?
10 Nëntor 2024"Kjo ditë do të mbahet mend përgjithmonë si dita kur populli amerikan rimori kontrollin” - kështu u shpreh Donald Trump në fjalimin e tij të fitores duke kujtuar premtimin e tij për të "ndryshuar” vendin. SHBA lëvizi ndjeshëm nga spektri i djathtë në ditën e zgjedhjeve - republikanët, të cilët janë në linjë me lëvizjen "Make America Great Again", MAGA të Donald Trump, tani kanë gjithashtu shumicën në Senat. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ka të ngjarë që ata gjithashtu të ruajnë shumicën e tyre pasi të jenë numëruar të gjitha zonat. Pra, është lëvizja MAGA e Trump-it ajo që ka "rimarrë kontrollin" - e cila që para zgjedhjeve kishte njoftuar plane të mëdha se si dëshiron ta përdorë këtë pushtet.
Trump më i përgatitur se në 2016-n
Dallimi i madh nga fitorja e zgjedhjeve të Trump në vitin 2016 është se ai është shumë më i përgatitur këtë herë, thotë Stormy-Annika Mildner, drejtoreshë e institutit të pavarur studimor, Aspen Institute, Gjermani. "Trump ka mësuar se mund të jetë problematike për të nëse ai ka jo besnikë në ekipin e tij”, tha Mildner për DW. Mund të pritet që ai të rrethohet vetëm me mbështetës të vërtetë. "Dhe për shkak të shkëmbimit të gjerë të zyrtarëve në ministri dhe autoritetet më poshtë, nuk do të ketë më një faktor të rëndësishëm që ekzistonte nga viti 2016 deri në vitin 2020: pra njerëz që parandaluan që diçka më e keqe të ndodhte në një moment apo në një tjetër."
"Project 2025"
Mildner pret që dokumenti strategjik "Project 2025", i cili u bë publik në verë, të luajë një rol kryesor. Trump ishte distancuar zyrtarisht nga manifesti i think tank-ut konservator "Heritage Foundation”. Por hulumtimet nga mediat amerikane sugjerojnë se të paktën disa nga ndjekësit e tij MAGA ishin të përfshirë në manifest. Si rezultat i ndryshimit të qeverisë, ata mund të ngjiten në pozicione me ndikim.
Trump i miratoi kërkesat qendrore të projektit 2025 gjatë fushatës zgjedhore: sugjerimet e tij për politikën e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve korrespondojnë me ato të fondacionit - gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi "operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane". Ai gjithashtu dëshiron të rrisë ndjeshëm shfrytëzimin e lëndëve djegëse fosile që dëmtojnë klimën dhe të reduktojë rregulloret mjedisore.
Modifikimi i shtetit fillon nga institucionet
Autoritetet federale - si për shembull Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) - do jenë një levë kryesore për zbatimin e planeve të tilla. Kapitulli 32-faqesh mbi EPA-në në dokumentin strategjik "Project 2025" vjen nga Mandy Gunasekara, drejtuesja e shtabit të agjencisë gjatë presidencës së parë të Trump, e cila tani po konsiderohet si drejtuesja e mundshme e ardhshme. Në atë kohë, kompetencat e EPA-s u kufizuan dhe shumë punonjës u pushuan nga puna - gjë që administrata Biden e riktheu kryesisht. Në mandatin e dytë në detyrë të Trump, qëllimi është të "heqë dhe rindërtojë" strukturat e agjencisë, citon New York Times të ketë thënë Gunasekara.
Ekspertja Stormy-Annika Mildner thotë: "Ju mund të përdorni autoritetet që i përkasin degës ekzekutive, siç është Agjencia e Mjedisit, për të rregulluar në interes të publikut. Ose mund t'i bllokoni duke u dhënë atyre shefa që thjesht thonë: 'Këtë nuk e bëjmë më.` Kjo është e pritshme në fushën e mbrojtjes së klimës. Nga ana tjetër, Trump mund të përdorë autoritetet për të nxjerrë rregullore me efekt të madh - për shembull në lidhje me emigracionin e parregullt dhe sigurinë kufitare ose promovimin e lëndëve djegëse fosile."
Gjithashtu pritet me padurim se kë do të vendosë Trump në krye të Departamentit të Drejtësisë - pikërisht Departamentin e Drejtësisë, të cilin Trump ka deklaruar se dëshiron ta përdorë për ndjekjen ligjore të kundërshtarëve politikë. Transmetuesi publik NPR numëroi më shumë se 100 kërcënime të tilla gjatë fushatës zgjedhore. Nuk janë vetëm prokuroritë publike që politizohen – pas një ndërprerjeje katërvjeçare, por lëvizja MAGA e Trump tani ka dorë të lirë për të plotësuar postet e larta gjyqësore me konservatorë. Republikanët mbajnë shumicën në Senat, i cili do të pajtohet me këtë, të paktën deri në zgjedhjet afatmesme në fund të vitit 2026. Në mandatin e parë në detyrë të Trump, u emëruan 234 gjyqtarë – duke përfshirë tre në Gjykatën e Lartë.
Agjencia e lajmeve Reuters citon profesorin e drejtësisë në Universitetin George Washington, John Collins: "Në mandatin e tij të parë, Trump riformoi gjyqësorin federal. Tani ai ka mundësinë të çimentojë këtë vizion për një brez të tërë."
Republikanët do të duan të kryejnë një ristrukturim të madh të shtetit brenda rregullave të përcaktuara nga kushtetuta. Mildner, vlerëson se vetë kushtetuta duhet të mbetet e paprekur - sepse ndryshimet kushtetuese janë të ndërlikuara dhe gjithashtu mund të dëmtojnë republikanët nëse ata janë sërish në opozitë në një moment.
Ka ende "Checks and Balances"
Edhe nëse Shtëpia e Bardhë, Kongresi dhe Gjykata e Lartë janë të gjitha konservatore, Mildner është e bindur se institucionet e tjera - për shembull media - do të përmbushin funksionin e tyre të kontrollit si "check and balances". Dhe shtetet e qeverisura në mënyrë demokratike po përgatiten gjithashtu për mosmarrëveshje të ashpra politike. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit: "Nëse përpiqesh të dëmtosh njujorkezët ose të kufizosh të drejtat e tyre, unë do të luftoj çdo lëvizje tënde”.
Mildner ia atribuon Shteteve të Bashkuara shumë aftësi durimi dhe qëndrueshmëri ndaj krizave. "Prandaj nuk do të thosha definitivisht se ky është fundi i demokracisë amerikane”, tha ajo për DW. Megjithatë, ndarja mes dy kampeve nuk do të tejkalohet nën drejtimin e Trump, përkundrazi: "Këto katër vite do të kontribuojnë që polarizimi të vazhdojë të rritet".