Tronditje e rëndë e futbollit nga bastet
8 Shkurt 2013Gjithçka është një çështje kapitali. Edhe skandalet e ndryshme të korrupsionit në futboll, si ç'është së fundi operacioni "veto" i Europolit. I këtij mendimi është sidoqoftë Chris Eaton. Ish-polici ka punuar për një periudhë kohe se hetues për mashtrimet me baste tek FIFA. Aktualisht ai po bën hetime në tregun e basteve të Azisë Jugore, për të gjetur, sa para futen aty, në bazë të cilave mekanizma funksionon e gjitha dhe në ç'masë përfitojnë kriminelët. Dhe ai ka hasur në një rregull të thjeshtë:"Realiteti është ky: ti manipulon gjithçka, ku arrin të depërtosh. Sa më shumë para të jenë vënë për një lojë, aq më i madh është interesi për ta manipuluar këtë lojë".
Eaton mendon se lojërat që janë shtyrë në Evropë dhe në rajone të tjera nuk janë gjë tjetër, veçse një: "Reagim i tregut ndaj njerëzve, që vënë bast. Njerëzit që vendosin se cilat janë ndeshjet më të rëndësishme janë ata që vënë baste. Mund të mendosh se lojërat më të rëndësishme janë ato të Premier League-s, ose të Ligave të mëdha evropiane në Spanjë, Francë ose Gjermani. Por shpesh baste vihen edhe për lojëra të Ligave australiane apo për ndeshje në Amerikën e Jugut dhe në atë Qendrore. Shumë para harxhohen për bastet për ndeshjet e volejbollit dhe ato të bejsbollit në Kore. Bastaxhinjtë e Azisë Jugore vënë bast për të gjitha llojet e ndryshme të sportit."
Fusha, për të cilën vihet baste, është e gjerë. Por rrugët e parave çojnë gjithmonë në të njëjtin drejtim´.
"Qendrat janë Manila në Filipine, në Hongkong dhe në Macao. Paratë vijnë kryesisht nga Azia Juglindore. Por shuma të mëdha parash vijnë edhe nga pjesë të tjera të botës. Mund të them se 70% e parave që vihen në baste vjen nga Azia Juglindore dhe këtu kryesisht nga Kina. Por me siguri që 30% janë para evropiane, afrikane dhe nga Amerika e Jugut- dhe kjo kryesisht përmes internetit, sms-ve dhe rrugëve të tjera elekronike."
Bastaxhinjtë - vetë viktima
Natyrisht që fajin për mashtrimet me baste nuk e kanë bastaxhinjtë. Ata në fund të fundit bëjnë pjesë edhe tek viktimat, kur lojërat nuk i vendosin rezultatet sportive, nga të cilat janë nisur ata kur kanë vënë baste, por mashtrimi. Por angazhimi i tyre u ofron mashtruesve të basteve një bazë. Sepse ndeshjet, për të cilat vihen shumë baste për një rezultat të caktuar, ia vlen t'i manipulosh në atë masë, sa të dalë një rezultat tjetër.
Jo gjithmonë megjithatë janë lojërat me më shumë përfitim ato të cilat edhe mund t'i ndikosh më lehtë. Për këtë ka kritere të tjera. Interesante janë, sipas Eatonit:
"Nga pikëpamja e kriminelëve, çdo lloj sporti me qasje të lehtë tek lojëtarët dhe arbitrat, për ta manipuluar rezultatin."
Ata që e organizojnë mashtrimin kryesisht ndodhen në Singapor.
"Singapori dhe Malajzia janë vendet, prej nga ka ardhur vitet e fundit numri më i madh i personave, që kanë manipuluar lojëra."
Hetuesit e Europolit ende nuk kanë depërtuar si duhet në Singapor. Në skandalin tjetër pra duhet të habitemi më pak se deri tani.